E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Lubonja i ‘68-ës; Vargjet e panjohura për Leninin - ose Autoritetin e Atit



A mund të bëhet babai tiran? Kjo figurë që mishëron autoritetin e gjithëpushtetshëm, që ka “pamjen enigmatike të tiranëve”, ligji i të cilëve i ka rrënjët tek figura e personit, jo e mendimit” në vitin 1919 kur Kafka shkroi letrën e famshme me dëshirën për ta djegur “Letër babait” – ky portret pra, shfaqet në sytë e tij si përfaqësues tipik i një bote praktike dhe pragmatiste, që nuk ka përputhje me dëshirat e tij, prej të cilit ndihet i përjashtuar.

Por ky qëndrim i Kafkës kundrejt autoritetit të atit nuk na shpjegohet kaq thjesht nga pasthënia që i ka kushtuar librit të tij, shkrimtari George Bataille. Ndërsa, sot e sjellim për të kuptuar në këtë linjë organike lidhjeje, poezinë e panjohur të publicistit dhe shkrimtarit Fatos Lubonja. E shkruar në vitin 1968, në një moshë adoleshente, veç 17 vjeç, për herë të parë gjejmë një qëndrim dhe zbërthim të portretit diktator – rreziku që sjell Autoriteti i Atit.

Poezia mban titullin “Përpara fotografisë së Leninit” dhe “standard” për herë të parë e boton të plotë. Vetëm para pak kohësh e ka zbuluar Lubonja poezinë, në ditët e festivalit ndërkombëtar të poezisë që organizohet në Durrës. Në një panel shkrimtarësh, ku duhej të flisnin për sindromën e Piter Panit në Ballkan, Lubonja ka gjetur rastin për të bërë paralelen me kohën e tij të adoleshencës, kur edhe shkroi vargjet frymëzuar nga një kornizë e varur në mur, me portretin e Leninit.

Vetë Lubonja ka treguar se realisht ka pasur një foto të Leninit në shtëpinë e tij.

Ndërsa poezia u lexua për të kuptuar hermetikën në një moshë të re, atë të rinisë, kur sapo kalon adoleshencën. E pashprehura mirë e Lubonjës është kontestim për të thyer autoritetin e Enver Hoxhës.

Në këtë distancë kohe pyetja që shtroi Lubonja është: Çfarë vlen të trajtohet në shoqërinë shqiptare? Fëmija në raport me autoritetin e Atit është gjithë thelbi i angazhimit të tij si mendim. Ndërsa krijohet një kurbë instiktive e fëmijës që rritet derisa ndeshet me Atin, si baba dhe si autoritet.

“Ndeshja - kjo është pika kruçiale kur biri ka tendencën e brendshme për ta mposhtur Atin. Atëherë autoriteti i birit rritet”, është shprehur Lubonja ndërsa e sheh këtë si proces natyror që krijon të ardhmen nga e tashmja.

Por nëse ky autoritet i humbet birit, çfarë ndodh? Sigurisht që Lubonja jep përgjigjen më racionale mbi këtë, si përgjithësim i asaj çfarë pësoi shoqëria shqiptare në diktaturë. Në mos aludimi vjen dhe për dilemat e sotme të djalit plangprishës, të sjelljes së fëmijës në sindromën që merr rritja; “nëse ky autoritet e humbet këtë “ndeshje” biri do jetë i dobët - kjo vlen në marrëdhënie pune me shefin, dhe me çdo njeri tjetër”. Është një arsye shoqërore që e shtyn Lubonjën në një përvojë po kaq empirike dhe të mbyllur nga lindin diktatet si sjellje autoritare.

“Ai nuk donte t’i kundërvihej këtij babai që i hiqte mundësinë për të jetuar; dhe nga ana e tij nuk donte të rritej si të ishte baba”, - shkruan Georges Bataille-në pasthënien e librit të Kafkës, “Letër babait”. Këtu bën ndarjen edhe Lubonja kur thotë se në shoqëritë tona Ati fiton me birin, ndaj autoriteti bie, por vëmendja shkon në vështirësinë e rritjes, mungesën e saj. Nëse në kohën kur Kafka zbërthen vetveten mizorisht në “Letër babait”, që donte ta digjte, sot krahasimi modern i frikës për t’u bërë adult ka shpikur si model Piter Panin. Sigurisht që këtu Lubonja na shtyn mendimin mbi Piter Panin se kërkon mungesat e përgjegjësisë, ka frikë për t’u rritur, dhe kjo është arsyeja pse njeriu mbetet i dobët, duke nënkuptuar këtu dhe në shkallë hierarkike shtetin. “Zhvilloi, sipas mënyrës së vet, një luftë të pashoqe për të hyrë në shoqërinë e të atit me gjithë të drejtat që i takonin, por do të kish pranuar vetëm me një kusht; të mbetej ai vocërraku i papërgjegjshëm që ishte” - siç shihet kjo përputhje ideale e mendimit të Bataille-s në zbërthimin e Kafkës vlen edhe për shoqërinë shqiptare.

Paralelja e të dyve janë shoqëritë dhe individi. Për shembullin tonë është sjellë politika, e cila nuk kërkon prijësin por babanë. Nga arsye të prirjes autoritare shpërfillet i riu sot, si qenie e pavlerë. Me këtë e lidh edhe poezinë Lubonja kur ka kujtuar se në moshën kur shkroi poezinë, në vitin ’68-të, kanë qenë një grup të rinjsh “plangprishës” që ishin në një frymë, por dihet goditja që mori rinia e asaj kohe duke e shkatërruar krejtësisht rritjen drejt personalitetit, me parullën se nuk ka konflikt brezash. Është e ashpër, gati mizore çfarë Lubonja rrëfen duke kujtuar se në atë kohë u futën në burg, dhe që prej atëherë rinia shqiptare nuk e ka fituar autoritetin.

Ashtu si Kafka dhe Lubonja nuk shtron probleme politike por njerëzore.

Qëndrimi i Kafkës kundrejt autoritetit të atit njësohet me qëndrimin kundrejt autoritetit në përgjithësi, e sidomos kjo në lidhje me individin duke dhënë vetveten.

“Në kuadrin e komunizmit sjellja e fëmijës është e vetmja sjellje e gjithëpushtetshme që mund të pranohet; por kjo s’është veçse ana më pak e rëndësishme e kësaj sjelljeje. I rrituri, kur i jep një kuptim më të rëndësishëm naivitetit fëmijëror, kur merret me letërsi, i bindur të arrijë vlerën e gjithëpushtetit, nuk gjen vend në shoqërinë komuniste- shkruan Bataille ndaj duke e nënkuptuar në këtë sens dhe poezinë e shkruar nga Lubonja në kulm të moshës adoleshente, ku naiviteti dhe tendenca e rritjes është e dukshme, ndaj vargjet bëhen të rrezikshme për t’u bërë të njohura në shoqërinë komuniste. Për këtë arsye e gjejmë sot të publikuar, instinktivisht ndoshta këtë poezi.

Në poezinë e Lubonjës autoriteti shfaqet si përbindësh në sytë e djaloshit 17-vjeçar, që ka i humbur mëvetësinë dhe drejt rritjes së qenies së tij, arsyes për ta kuptuar këtë realitet si botë dëshirash dhe dijesh, “korniza” bëhet ndalja më e tmerrshme.

Krahasuar me tipizimin që iu bë Kafkës, si djali plangprishës i dënuar nga fati, me prirje prej shkrimtari, që nuk kuptohet nga të tjerët, i trazuar dhe përherë në kërkim të konfirmimit, ndërkohë që kundërshtari i tij tejçon siguri. Të njëjtën gjendje shohim përballë poezisë dhe me Lubonjën.

Duke përballur një jetë të brendshme, si në një rreth vicioz botën brenda shtëpisë, familjes së tij, pak më gjerë kufirin ku jeton në territorin brenda Shqipërisë, pa kuptuar pse jeta bëhet e gjitha një sipërfaqe “kornize”, Lubonja na krijon përfytyrimin më të saktë se çfarë ndodh në subkoshiencën e tij, në botën e tij psikologjike. Çfarë kuptohet nga një lexues i jashtëm është krejtësisht e panjohur, por edhe çfarë ndodh me moshën për të cilën bën fjalë poezia mbetet sërish mister. Po qe se Lubonja do ta kish mbajtur në sirtar këtë poezi, asnjëherë nuk do mund të hapej ky debat aq delikat – edhe për ditët e sotme. Këtu qëndron gjithë thelbi i trajtesës në poezi, përmes së cilës lexohet e kaluara hermetike dhe mbetet e pazgjidhur si çështje patologjike ende sot për shqiptarët. Prandaj shpesh alibia e ndyrë se ishim mirë në atë kohë, për disa shqiptarë thuhet pa kurrfarë përpjekje duke na kujtuar sindromën e njëjtë të qenies sonë - se çdokush këtu ishte gati të ndiqte modelin alla diktator - modelin e Atit Autoritar. Shqiptarët jetuan “të lumtur” nën diktaturë sepse të gjithë krijuan harmoni me diktatorin, u sollën si ai, pa mundur të krijonin “hendekun” psikologjik, të nevojshëm për t’u shkëputur nga sjelljet e njëjta. Kujtojmë këtu librin që donte ta digjte Kafka “Letër babait”, i cili shpjegon shumë mirë tipat që do të jetonin të lumtur me Atin e tij, pra ata që do të ishin të njëjtët me të, ndërsa ai që përjetonte frikën, terrorin dhe ndjenjën e fajit përtypi çdo fyerje dhe heshti, kurse e motra e Kafkës që u rebelua, u largua, e nuk përfilli asnjë mënyrë absolute të edukimit nga i Ati “shpëtoi” duke krijuar atë hendekun e nevojshëm mes saj dhe të atit, duke u rritur e lirë. Ky është burimi i gjithë vargjeve të mësipërme prej nga Lubonja na jep hijet e tmerrit, jo thjesht si kohë historike të cilën tashmë e njohim.

Por që ka mbetur ende e panjohur, e patrajtuar çfarë ka ndodhur me koshiencën shqiptare, atë që quhet zhvillim psikologjik, rritje të personalitetit. Pushtimi nga ndjenja e frikës prej autoritetit sigurisht që merret si shenjë tmerri dhe në këtë arsye kanë humbur të gjitha siguritë personale, vetëbesimi, dobësitë etj. Ndryshe mund të hidhet krejtësisht dritë mbi anën e errët se si njeriu përjeton së brendshmi, pa guxuar të shfaqet, gjigantizmin e autoritetit se si pushtohet çdo ndjesi duke bërë zotëruese frikën dhe pavendosmërinë.

Ndoshta ky është momenti më fatal, gjithnjë në përgjithësim ndodhi edhe me shqiptarët në diktaturë krejt ashtu siç e përshkruan Georges Bataille Kafkën, që sipas tij, shkrimtari deri në fund, nuk doli nga qerthulli i pavendosmërisë. Ajo që do donte Lubonja të ndodhte me “portretin” përballë të futur në kornizë, e shikon si marrëdhënie me vetveten. Është sikur ta kërkonte ndryshe “çarjen me gjak të zi”; apo “thika të reflektonte dritën”... janë qartë shenja të një obsesioni urryes mbi njeriun autoritar, luftën për ta mposhtur atë, e në këtë rast sigurisht që kjo shkon për diktaturën, diktatorin, komunistin portretin përballë tij.

Denoncimi i kotësisë, zhgënjimi nga gjërat pa kuptim, imagjinata që shkruhet si në një terr pa fund, universi i papërfytyrueshëm e cung - janë përpjekje e të riut për të kuptuar pse po ndodhte e kundërta; “dritarja zgjeroi pa masë boshllëkun pa vlerë...”.

Duke folur për një rast kur përbuzja e të afërmve të tij u shpalos e pamëshirshme, Kafka shprehet: “Qëndrova ulur dhe u përkula mbi atë fletë që s’kishte pikë vlere... por, në të vërtetë, papritur isha dëbuar nga shoqëria...”. Po të shikohet teksti dhe vargjet kanë një përputhje interesante për të na konfirmuar frymën e Autoritetit të Atit, se si hyn në të njëjtën përkitje, letra e bardhë, qëndrimi apatik, qoftë dhe kotësia, duke pasur të njëjtën përbuzje së brendshmi për autoritetin e atit, si largim.

Një moshë kur etja për të marrë njohuri, dije, për ta kuptuar botën kur gjithçka mundohet t’i afrohet përsosjes së brendshme, apo të marrë një edukim të natyrshëm që përbën “dritaren”, pra, mendjen, inteligjencën, intelektin drejt një hapësirë zhvillimi të panjohur - kthehet në zhgënjim që ndeshesh me një “boshllëk pa vlerë”. Pra është një zemëratë e fortë e Lubonjës në poezi që asgjë nuk i ofrohet, që i shkatërrohet realiteti mu përpara syve që e priste në kulm të saj, të hynte në sfidë me intelektin.

Ka përkime dhe nga jeta private të Lubonjës me Kafkën. Ne nuk dimë lidhjen me babanë e tij, po duke pasur parasysh moshën kur e shkroi poezinë mund të hamendësojmë që edhe lidhjet me babanë, autoritetin e tij e shihte në një linjë me Atin politik. Ndërsa kthjelltësia e ndërgjegjes është e njëjtë me Kafkën, i cili në pamundësi për t’u arratisur, (siç na e shtjellon Batallie) pranon një lloj ujdie për të qëndruar aty, në një gjendje të pashpresë përballë dhunimit psikologjik, dhe mungesën totale të mëshirës ndaj vetvetes. Nuk ka asnjë ndjesi lirie të përftuar, ose perceptuar në këto vargje. Por se si ai ka ndërtuar piramidën atërore në një poezi mbi teoricienin komunist, si postulat i Atit, në vitin ’68, e për më tepër në moshën 17-vjeçare – e ka të nënkuptuar lirinë e brendshme, atë që është zanafillë shpirtërore.

Dhe revolta i drejtohet pikërisht portretit në kornizë, autoriteti që kishte shkaktuar këtë gjendje apatie dhe të pashpresë, e njëkohësisht plot ankthe dhe frikë. Nëse tek Kafka komunizmin siç e cilëson në pasthënie Bataille është veprim, një veprim që ndryshon botën, poezia e Lubonjës na shfaq të kundërtën atrofizimin, gjendjen e ngurtësuar të “Autoritetit”, murin e kapërcyeshëm për t’u përballur. Ky ishte qëllimi i komunizmit në Shqipëri, që njerëzit të shkërmoqeshin në vetvete, të vetëshkatërroheshin edhe nga Uni Autoritar. Këtu rreh ndjesia që përftojmë nga qenia e poetit adoleshent, që gjithsesi tangetojnë në një pikë me Kafkën adoleshent; pakuptimësinë. Autoriteti i atit i trondit sigurinë, besimin duke e çuar deri në ndrydhje personalitetin e adoleshentit. Hija e Atit. Hija e autoritetit deri në mposhtje-nëse ndodh. Ndoshta e zbuluar, sot, kjo poezi është një “fryt” se si duhet parë jo vetëm se si ndodhi shpëlarja e trurit në diktaturë, por është dhe një shenjë referenciale për të kuptuar nga mbijnë diktaturat, autoriteti absolut që çon në terror, në ndjellje frike deri në arritjen e nënshtrimit të personalitetit duke “prodhuar” një shoqëri të sëmurë. Është e njëjta analizë që Kafka e sjell në mënyrë gjeniale në librin “Letër babait”. Se si karakteret gjenerojnë nga ky impakt i dhunës hermetike mbi personalitetin që krejt pa papritur Ati bëhet adhurues, xhelat dhe i urryer.

Ka edhe një paralele tjetër me Kafkën, kur ky shkroi librat e sidomos i referohemi gjithnjë këtu “Letër babait”, dhe ditën kur vendosi t’i djegë. Lubonja e shkroi këtë poezi në ’68 dhe vendosi ta botojë (jo ta djegë) gati 20 vjet pas rënies së diktaturës. A është kjo një rastësi apo hezitim i Lubonjës për ta shfaqur këtë poezi në publik pikërisht pas këtyre viteve? A ka menduar kur ishte adoleshent që ta zhdukte poezinë? Arsyet pse kjo poezi vjen tani për lexuesin duket sa ka të njëjtin ind psikologjik me Kafkën - pavendosmëria, hija e frikës që e ka ndjekur, pavarësisht se këtu flasim për një Lubonjë që ka vuajtur praktikisht burgun, dhe tmerret komuniste.

Në radhë të parë, ai i shkroi këto libra; dhe duhet marrë me mend që ka kaluar kohë nga dita kur i shkroi dhe kur vendosi t’i djegë.

A e quante veten të dënuar? Derisa arrinte të shikonte gjithë pamundësinë, dhe të urrente, dhe ta mbyllte mllefin e tij në një simbolikë llahtarë, të zmadhuar përpara syve të tij, sigurisht që këtu kemi “hipnozën” e dënimit fëminor, si fatin e tij të pashmangshëm. Te letërsia siç duket Lubonjën e ka çuar udhëtimi nëpër njohjen, që shkakton dhe dyshimin.

Ne nuk e dimë, pasi vetë Lubonja nuk është shprehur ndonjëherë, se si mund t’i ketë pasur marrëdhëniet me të atin, Todi Lubonjën, i dënuar edhe ky nga regjimi komunist. Por, si duket është dhe një lloj gjendjeje e brendshme që del kuptueshëm nga ky test i shkurtër i poezisë, që ka një lidhje të njëjtë me autoritetin e atit, si mospëlqim të jetës së të birit, çfarë ka zgjedhur dhe pëlqen. Në paralele shkon dhe më tej kjo si metafizikë me diktaturën. Kjo duhet ta ketë zhytur në dëshpërim dhe zhgënjim të madh adoleshentin, por dhe gjithë brezin e tij. Vdekja së fundi është një dialogim - me një njeri që i ka mbetur historisë si njollë e zezë, si gjithë diktaturat, ku na vjen gati si halucinacion edhe hamletian për ekzistencën.

E vërteta, ajo pika e ujit si njohje, si lëvizje, si veprim, të logjikës, kthehet në bumerang të ndërgjegjes në poezinë e Lubonjës. Ndaj simbolika hermetike “Si një pikë uji/ gjigante/e fryrë mbi trurin tim/ u tret...” - fsheh pikërisht lirinë e të vërtetës, që i dha realitetit Lubonja, duke qëndruar me gjithë qenien e tij në një situatë racionale - origjinal, për të kuptuar pse ndodhi tjetërsimi, që qëndroi shumë gjatë deri në rënien e komunizmit, ku pranohet si pikë e domosdoshme dhe absolute vdekja.

Fatos Lubonja

Përpara fotografisë së Leninit

Vështrimi i koordinuar me buzëqeshjen

Vështrimi qëndron i dobët

Tmerr

Një çarje e thellë me gjak të zi

Buzëqesh

Thika reflektoi dritën

Uji lau xhamin

që shkëlqeu i zi

reflektoi vështrimin

Tymi u ngrit

U largua gjithçka e zezë

dhe e hirtë

së bashku me sytë

Ç'po mbetet!

Ndjej diçka të fortë

E fshehur nën bardhësinë e letrës

U zhgënjeva

Rashë

ndoshta është toka e thjeshtë si glob.

Dritarja zgjeroi pa masë

boshllëkun pa vlerë

Që ra

Si një pikë uji

gjigante

e fryrë

mbi trurin tim

u tret.

Por ti qëndron akoma aty.

1968

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›