E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i lejeve të ndërtimit dhe axhenda e socialistëve



Në deklarimin e fundit, ndonëse me tone me të qeta për ndokënd, Kryeministrit shpalli vendosmërinë e qeverisë dhe mazhorancës për t’u përballur deri në fund me pasurinë e mafies dhe korrupsionit. Në qëndrimin e mazhorancës ka dy momente ku kjo vendosmëri duket qartë se nuk është retorikë politike për konsum. Momenti i parë është miratimi i ligjit antimafie dhe moment i dytë është kalimi në veprim konkret për prishjen e një godine 12-katëshe që është ndërtuar qartazi në kundërshtim jo vetëm me kondicione urbane, por në shkelje të hapur me ligjin. Natyrisht aksioni politik, vendosmërinë për të cilin e përsëriti edhe një herë Kryeministri, është shoqëruar edhe me retorikë politike dhe përfaqësuesit e mazhorancës, me shkrime dhe me deklarime në Kuvend e në media kanë artikuluar anën ligjore, por edhe kanë treguar me gisht dhe pa asnjë hezitim përgjegjësinë dhe implikimin politik dhe jo vetëm politik të kryetarit socialist, Rama. Por, edhe një herë aksioni politik nuk ka vetëm retorikë. Ai ka nismë ligjore dhe veprim institucional, si dhe ka deklarime e denoncime politike e ligjore të drejtpërdrejta me emra dhe vepra konkrete.

Përballë këtij aksioni dhe sjelljes së mazhorancës, opozita është përgjigjur me kundërshtime të fortë ndaj nismës ligjore shumë të lavdëruar edhe nga ndërkombëtarët për ligjin antimafie, por edhe me kundërshtim të ashpër deri irracional ndaj veprimit institucional për prishjen e godinës. Edhe qëndrimet e opozitës janë shoqëruar me retorikë politike, por drejtimi i retorikës së opozitës ka synuar ta paraqesë aksionin e qeverisë për të goditur pasuritë e mafies dhe korrupsionit si një gjueti shtrigash, si një sulm i nisur vetëm kundër opozitës.

Kundërshtimi fillon që me debatin para miratimit të ligjit antimafie të provokuar nga juristë, që me ndonjë përjashtim të rrallë, janë dukshëm të afërt ose të angazhuar me opozitën. Kundër këtij ligji, opozita artikuloi hapur negativizmin e vet dhe njëkohësisht vuri në përdorim gjithë makineritë e veta për të penguar zbatimin e ligjit. Së fundi, po përdoren edhe një herë organizata të shoqërisë civile, pavarësia e të cilave është tërësish e kompromentuar, për të rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj. Nuk ka asgjë të keqe që të shfrytëzohen mundësitë që jep sistemi për të parë dhe nëse është nevoja edhe për të qortuar ligjshmërinë, qoftë edhe të ligjit antimafie. Por, negativizmi ndaj ligjit në parim, negativizëm që ndodh në mungesë totale të kontributit, si nga ana e opozitës, ashtu edhe nga aktorë civilë e profesionistë, komprometon qëndrimin ndaj qëllimit dhe frymës së ligjit. Ky ligj është bazuar në përvojën e vendeve si SHBA dhe Italia, si dhe në njohje të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut.

Opozita dhe levat e veta kundërshtojnë ligjin antimafie dhe nuk kanë dhënë asnjë propozim. Kjo e komprometon tërësisht opozitën. Ky qëndrim e komprometon edhe shoqërinë civile, e cila në rekordet e veta ka disa raste të ngjashme, kur është vënë të bllokojë në Gjykatë Kushtetuese nisma të tjera sipas porosisë politike. Një nga rastet më të shëmtuara ka qenë edhe kundërshtimi i ligjit për deklarimin e pasurisë së politikanëve. Duket se ashtu si edhe para disa vitesh të njëjtat organizata, në vend që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, përdoren, dje për të mbajtur të fshehur nga sytë e qytetarëve pasuritë e politikanëve, sot për të mbrojtur nga ligji pasuritë e atyre mbi të cilët rëndon një dyshim i arsyeshëm për veprimtari kriminale e mafioze.

Edhe ndaj veprimit të institucioneve për të zbatuar ligjin, siç është rasti i prishjes së godinës që shënon rekord botëror për shembullin korruptiv, godinë e ndërtuar mbi rrugë publike me miratim të bashkisë, opozita kundërshton duke u identifikuar me këtë abuzim të paprecedent. Ndërtuesi, formal shfaqet në publik dhe thotë “ua kam blerë tiranësve të vjetër”, por deputeti Peza, të cilin të gjithë e njohin si ndërtuesin e vërtetë shfaqet i gatshëm të hyjë në konflikt me policinë, duke i vënë vulën e vet pronësisë të aktit të turpshëm të lejes.

Opozita e Ramës përdori Policinë Bashkiake, të cilën e solli në vendngjarje si të ishte polici private. Më tragjikja në këtë ngjarje ishte prania e deputetëve socialistë. Grupi ambulant i deputetëve u çnderua kur u shndërrua në mburojë njerëzore kundër zbatuesve të ligjit. Grupi i atyre deputetëve u keqpërdor, pasi doli publikisht në kundërshtim të institucioneve dhe në mbrojtje të një akti korrupsioni të jashtëzakonshëm.

Opozita e Ramës, jo e gjithë opozita, shfaqet hapur me qëndrim negativist e kundërshtues ndaj ligjit antimafie dhe shfaqet hapur në pengim të zbatuesve të ligjit, kur institucionet ndërhyjnë të prishin ndërtimin e bërë tërësisht në korrupsion. Moment më fatkeq për njerëz të politikës nuk mund të ketë. Moment më fatkeq për një opozitë nuk mund të ketë.

Kur politikanët e përdorur nga Rama marrin ne mbrojtje pasuritë e të dyshuarve për veprimtari mafioze, dhe kur marrin në mbrojtje pasuritë e krijuara nga korrupsioni dhe babëzia, retorika politike, apo më thjeshtë, gjuha e përdorur ndaj tyre, nuk mund të jetë më pak se akuzë dhe denoncim për bashkëfajësi. I ndërgjegjshëm për këtë, Rama po kërkon të inkriminojë sa më shumë politikanë dhe përfaqësues të opozitës.

Por, retorika që kërkon ta paraqesë qëllimin e aksionit politik ndaj pasurisë së mafies dhe korrupsionit si aksion politik kundër opozitës nuk mund të funksionojë. Qytetarët, por edhe përfaqësues të opozitës janë të ndërgjegjshëm dhe e shikojnë vetë se pallati i Dashit nuk është çështje politike, por një çështje e pastër korrupsioni, për të cilën nuk mjafton vetëm prishja, por duhet hetuar deri në fund që të ndëshkohen fajtorët. Qytetarët, por edhe përfaqësues të opozitës, e dinë se ligji antimafie nuk cenon qytetarin e thjeshtë, as bizneset, qofshin edhe ato të rritura në informalitet, por ata që pastrojnë paratë e krimit. Krimi duhet hetuar e ndëshkuar dhe për këtë duhet ligji.

Opozitarët socialist e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm që refuzimi i ligjit antimafie dhe pengimi i prishjes së pallatit të Dashit nuk është dhe nuk mund të jetë kauza e tyre. Opozitarët socialistë e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se nuk është kauza e tyre as mbrojtja e korrupsionit të Ramës. Nuk është kauzë e socialistëve të drejtohen sot nga axhenda e kryetarit të lejeve të ndërtimit dhe nga fitimet e një grushti ndërtuesish që kanë përfituar mbi 500 mijë metra katrorë ndërtime. Nuk është kauzë e socialistëve të thjeshtë dëshpërimi humbës i kryetarit të lejeve të ndërtimit dhe po këtij grushti ndërtuesish që sot janë deputetë. Nuk është kauzë e socialistëve që të mbrojnë korrupsionin e lejeve të ndërtimit dhe pastrimin e parave të krimit.

Kur është përpjekur të jetësojë synimin e vet për pushtet, Rama ka ditur të prodhojë dhe shesë edhe profile të tjera të vetes. Por, për të treguar se cili është profili i vërtetë i tij, mjafton të tregojmë rastin e një prej miqve të tij më të ngushtë të dikurshëm, i cili refuzonte të paguhej për shkrimet e veta, nga ata që sot janë denoncuar si mafie e ndërtimit, pikërisht duke u krenuar se kishte një ndërgjegje politike të sinqertë socialiste. E kundërta, Rama sot jeton politikisht vetëm mbi lejet e ndërtimit. Ai ka gati 9 muaj që s’e mbledh KRT-në dhe nuk jep asnjë leje ndërtimi, kur mijëra qytetarë dhe biznese presin lejet e tij. Ai e ka detyrim ligjor ta mbledhë të paktën një herë në muaj KRT-në, por preferon të shkelë ligjin, pasi lejet e ndërtimit janë pushteti i tij i vetëm.

Duket qartë se Rama dhe socialistët, Rama dhe elektorati i majtë kanë axhenda krejt të ndryshme. Socialistët votuan një kryetar që t’i bashkonte, votuan një kryetar që të rigjeneronte të majtën, që të sillte një program, që të ndërtonte alternativën e majtë qeverisëse. Përkundrazi, sot kanë në krye kryetarin e lejeve të ndërtimit, i cili nuk hoqi dorë nga bashkia dhe të dilte në garë elektorale se nuk donte të hiqte dorë nga lejet, se veç ortakërisë së ndërtimit nuk di çfarë t’i propozojë politikës, se me paratë e ndërtimit shpreson të blejë të ardhmen e vet politike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›