E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Sela nën maskën e pendimit

Aktori thyhen heshtjen. Më në fund një intervistë dhe vetëm për rolin e Babait që aktori duhet ta ketë një nga realizimet e tij më të mira në teatër. Me Pirandelon ai tregon se ka provuar: ethe, shqetësime, net pa gjumë, ndonjëherë edhe kënaqësi


Drama e Pirandelos "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" (1921), premierë në tri net në Teatrin Kombëtar, me regji të Mehmet Xhelilit, u duk se përmbysi një lloj besimi të krijuar kohët e fundit: teatri po harron të komunikojë. Vepra e autorit italian, e përkthyer saktë në regjinë e Xhelilit, ishte ngritur mbi përballjen e qartë të tragjikes me komiken, fantazisë me realitetin, teatrit me të vërtetën, personazhet me aktorët.


Me "Gjashtë personazhe kërkojnë autor", Xhelili, arriti t'i rrëfente shikuesve dramën që Pirandelo kishte krijuar, të nguliste mesazhin sesi duhet të funksionojë teatri dhe të realizonte figura të veçanta artistike.


Të gjithë ishin njëlloj të rëndësishëm dhe veçmas njëri shquhej nga tjetri nga një tipar i veçantë, madje edhe atyre që nuk iu dëgjua zëri në skenën e teatrit.
Kjo nuk ishte një shfaqje vetëm për protagonistët, që shpesh zaptojnë skenën dhe harrojnë raportet me të tjerët.


Do të dukej e zbrazët skena e teatrit, pa të qeshurën kumbuese të Madam Paçesë (në rol Suela Konjari), pa lajkat dhe vitalitetin e aktores së parë (në rol Flaura Kureta), pa atmosferën që sillnin qoftë dhe vetëm me praninë e tyre aktorët Sokol Angjeli dhe Devis Muka.


Apo pa atë fotografi statike të dhembjes, ku ishin kuadruar Nëna (në rol Marjeta Ljarja), Djaloshi (Erin Kujofsa), Vogëlushja (Dea Xhelili). Aktorja Olta Dako, në rolin e regjisores, mund të kuptohej si çelësi që hapte dyert të cilat ndanin aktorët me personazhet e gjallë, një rol për të zbritur me këmbë në tokë, personazhet "egoistë" dhe aktorët e "përkëdhelur".


Pesha e shfaqjes binte mbi Babain (Fatos Sela) dhe Thjeshtrën (Eftiola Laçka). Në mbrëmjen e premierës, Sela arriti ta prezantonte me mjeshtëri Babain, një njeri i zënë në kurth me zgjedhjen e tij, fajtor për një gabim që do ta vuajë gjithë jetën, që gjykohet nga të gjithë dhe i bëhet gjyqi në skenën e Pirandelos.


Tonet e qeta, që Sela i përdor si armë për të bindur të tjerët, apo kur e përshkruan veten e tij si: "Një burrë që s'është aq plak sa mund të bëjë pa grua, po jo aq i ri sa të mund t'u vardiset femrave lehtë e pa pasur turp", flasin hapur për aftësitë e lindura të aktorit dhe talentin. Laçka, më e zonja në shpërfaqjen e vajzës së pacipë, të inatosur, që kërkon të hakmerret, nuk qëndron në të njëjtin nivel kur shpreh joshjen dhe kur i demonstron publikut dhembjen e saj.


Disa ditë pas premierës, Fatos Sela flet për dilemat që i ka vënë përpara roli i babait, puna me Pirandelon, konsultat me regjisorin Mehmet Xhelili, marrëdhënien me aktorët e tjerë, kërkimin që ka bërë për të zgjedhur modelin e duhur të personazhit. U deshën disa ditë takimi në kafenenë pranë teatrit, që aktori të pranonte të fliste për "Shekullin" pas një kohe të gjatë larg shtypit të përditshëm dhe ekraneve.


Aktori na i ktheu përgjigjet në një mënyrë po aq klasike sa heshtja e tij, një intervistë me shkrim dore në 6 fletë të bardha nga vetë ai, që preferoi më mirë intimitetin e shtëpisë sesa një bisedë të regjistruar "ditën në diell".

Kush është


Fatos Sela (1948) u diplomua në Institutin e lartë të Arteve në Tiranë më 1972.
Për një kohë të gjatë, prej njëzet vitesh, prej 1995-ës, ishte aktor i Teatrit "Bylis" të Fierit. Më 1995 emërohet aktor i Teatrit Kombëtar ku vazhdon të interpretojë role të para dhe të rëndësishme siç ishte së fundi roli i Babait tek "Gjashtë personazhe kërkojnë autor", po edhe Franku V në dramën me të njëjtin titull të Friedrich Durrenmatt, me regji të Arben Kumbaros më 2008.


Në një natyrë krejt tjetër e angazhoi së fundi regjisori Hervin Çuli pranë Teatrit të Metropolit për rolin e kalorësit tek "E zonja e Bujtinës" e Goldonit". Me Çulin aktori ka pasur disa bashkëpunime.


Në kinema interpreton në filmat "Gunat përmbi tela" (1977), "Nëntori i dytë" (1982), "Gracka" (1983), "Të paftuarit" (1985), "Vjeshtë e nxehtë e 41'" po atë vit, "Një vit i gjatë" (1987), "Pesha e kohës" (1988), "Pas takimit të fundit" (1990), "Bolero" (1997), "Tirana, viti 0" (2001).
Më 1989 merr titullin "Artist i Merituar"


Intervista


Zoti Sela, përse e pranuat rolin e babait në dramën "Gjashtë personazhe kërkojnë autor"?


Nuk bie dakord me ju kur thoni "pse e pranuat". Është fat i madh për çdo aktor kur i afrohen shanse të tilla, figura që kanë lënë gjurmë në historinë e dramaturgjisë botërore e sidomos kur kjo është krijuar nga një nobelist si Luixhi Pirandelo. Pra aktori në këtë rast duhet të falënderojë fatin dhe regjisorin që i besuan një figurë të tillë kaq komplekse dhe frymëzuese.

Çfarë përfaqëson babai, sipas jush?


Babai, gjithmonë ashtu siç na e prezanton Pirandelo nuk është një njeri real nga bota e gjallë njerëzore por një karakter i krijuar nga fantazia e autorit. Pra, me një fjalë është personazh drame.


Ajo që bie në sy më shumë tek ky karakter është maska e PENDIMIT. Gjatë gjithë zhvillimit dramatik lufton me forcë të jashtëzakonshme, të shpjegojë vuajtjet e tij. Autori e ka privuar nga e drejta që të arsyetojë mbi shkaqet e vuajtjeve të tij. Kjo e revolton shumë karakterin Baba sepse ai ka bindjen se njeriu nuk arsyeton më shumë se sa kur vuan.


Ai don të dijë përse vuan, kush është përgjegjës për vuajtjen e tij, e ka apo s'e ka hak vuajtjen. Në fund ai shprehet se vetëm kafshët vuajnë pa arsyetuar. Prandaj lufton me çdo kusht që të përjetësohet në Teatër së bashku me personazhet e tjerë, për t'ia lënë publikut për të gjykuar për jetën e tyre. Ky është misioni i tij.


Megjithatë ky personazh sa ç'duket sikur ka nën kontroll gjithkënd, po aq duket se e kanë nën kontroll. Natyra e tij perverse krijon vartësi të ndërlikuara edhe për atë vetë...


Ajo që të bie më shumë në sy tek ky karakter është këndvështrimi i tij i veçantë për të zgjidhur problemet që i dalin në jetë. Ai mbron filozofinë që njeriu nuk duhet të gjykohet nga të tjerët (nënkupto opinioni) vetëm nga disa lidhje poshtëruese që ka pasur në jetë.


Sepse mundësitë e paraqitjes së ekzistencës së tij janë të shumta dhe në bazë të këtyre duhet të krijohet për të opinioni nga të tjerët. Ajo që e trishton më shumë Babain është drama e moskomunikimit njerëzor që bëhet shkak për lindjen e shumë keqkuptimeve dhe konflikteve.


Këtë fatalitet ai e nënvizon si një plagë të madhe, të pashërueshme të shoqërisë njerëzore. Babai bën eksperimente të shumta në jetë në kërkim të lumturisë personale por gjithmonë ka dështuar duke shkaktuar viktima njerëzore.


Një anë delikate tek ai është natyra e tij perverse.
Sa e vërtetë është kjo? Kemi diskutuar gjatë me kolegët dhe regjisorin në lidhje me këtë çështje. Na ka marrë shumë kohë ky diskutim dhe të them të drejtën, e kemi lënë të hapur si një proces krijues që s'ka fund. Që të jem i sinqertë, unë brenda vetes e kam pranuar këtë natyrë perverse të Babait. Sepse ky lloj konceptimi e bën kompleks dhe interesant figurën e tij.


Si ishte puna me regjisorin Xhelili?


E vërteta krijuese na ka treguar se regjisori pas leximit të veprës skenike ndërton menjëherë në kokë spektaklin ideal, figurat e aktorëve idealë që do të mishërojnë veprën. Fantazia e tij i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe merr arratinë nëpër botë. Dhe mbasi mbaron këtë rrugëtim të gjatë, kthehet e pajtohet me kushtet që i paraqet realiteti krijues shqiptar. Është periudha më torturuese për regjisorin ndarja e roleve.

Janë shumë faktorë që e detyrojnë të bëjë lëshime, kompromise dhe të pajtohet me atë që i servir realiteti ynë. Pjesë e këtij realiteti krijues ku jam edhe unë. Ndaloi një ditë regjisori Mehmet Xhelili tek unë dhe më tha: "Të kam besuar rolin e Babait te vepra ne Pirandelos." Kaq është kjo histori.

Mendoni se ia keni dalë, e keni realizuar?


Ah, sikur ta dija, do isha i lumtur!

Si qëndron ky rol në raport me të tjerë që keni krijuar në teatër?


Është i njëjti raport që prodhon ethe, shqetësime, net pa gjumë dhe ndonjëherë me pakicë edhe kënaqësi, kur ka duartrokitje.


Çfarë kërkimesh bëni për një personazh?


Kur fillon një proces i ri krijues, brenda tij janë të gjitha: karriera jote artistike, niveli yt kulturor, intelektual etj..


Fillon të grumbullosh dhe të rifreskosh informacione që kanë të bëjnë me veprën, autorin, kohën e tij, veprat e tij, historitë e vënieve të ndryshme nëpër botë etj., pa fund kërkim.


Gjithmonë kur më bëhet kjo pyetje, më kujtohet historia e një piktori të madh me një zonjë. Kjo zonjë kishte porositur tek piktori një tablo menjë kokë gjeli, dhuratë për djalin e saj me rastin e ditëlindjes. Piktori i tha që do ta marrësh pas një muaji. Për një kokë gjeli një muaj?! Piktori s'iu përgjigj.


Pas një muaji zonja vajti te piktori dhe i kërkoi tablonë. Piktori në çast mori një letër të bardhë dhe në moment pikturoi kokën e gjelit. Zonja e ofenduar i tha: Po kur paska qenë kaq e lehtë pse më torturuat një muaj të tërë? Ejani me mua, i tha piktori dhe e futi në studion e tij. Zonja shqeu sytë sepse të gjitha faqet e mureve të studios ishin të mbushura me trajtime të ndryshme të kokave të gjelave.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›