Ushtarakët: Urdhri për Gërdecin, me mangësi ligjore
Sipas dëshmitarëve të djeshëm të procesit gjyqësor, zona ku u ngrit fabrika nuk kishte leje ndërtimi të Bashkisë së Vorës
Dëshmitari: I kemi kërkuar sqarime Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Ushtrisë, por nuk na kthyen përgjigje
TIRANË- Ushtarakët që dëshmuan dje në seancën e radhës të procesit "Gërdeci", e konsideruan me mangësi ligjore urdhrin nr. 550, të datës 25 prill 2007 të ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që autorizonte Komandën e Forcës së Bashkuar që t'i jepte një firme private një sipërfaqe prej 200 metra katrorë për ndërtimin e fabrikës së demontimit.
Lidhur me këtë urdhër, ushtarakët e Forcës së Bashkuar kanë kërkuar shpjegime në Ministrinë e Mbrojtjes, por që nuk kanë marrë përgjigje.
Këtë e pohoi dje dëshmitari Ylber Dogjani, i cili kur ishte nxjerrë ky urdhër, ishte shefi i Logjistikës në Forcën e Bashkuar, ndërsa sot është shefi i Shtabit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Sipas Dogjanit, urdhri i ministrit të Mbrojtjes binte në kundërshtim me ligjin e urbanistikës, pasi për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec duhej leja e autoriteteve vendore. "Sipas gjykimit tim, urdhri nr. 550, datë 25 prill 2007, kishte mangësi të theksuara ligjore.
Mangësia e parë kishte të bënte me shkeljen e ligjit të urbanistikës, pasi lejen për ngritjen e fabrikës duhet ta jepte edhe pushteti lokal. Për këtë ne si strukture kemi kërkuar shpjegime në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm, ku kemi trajtuar gjithë problemet e urdhrit, por nuk morëm përgjigje.
Detyrimet e Komandës në zbatim të këtij urdhri kishin të bënin me dhënien me qera të një sipërfaqeje të repartit, për ngritjen e strukturave të demontimit"- u shpreh, Ylber Dogjani. Ai e konsideroi urdhrin e ish-ministrit Fatmir Mediu, në kundërshtim me ligjin e urbanistikes.
Më tej Dogjani tregoi se Ministria e Mbrojtjes, autorizoi Komandën e Forcës së Bashkuar të jepte me qera një sipërfaqe prej 200 metra katrorë, në ish- repartin e tankeve në Gërdec, për ndërtimin e një fabrike demontimi. Duke mbrojtur edhe ish- eprorët e tij, Dogjani u shpreh se detyrimet për dorëzimin e ambienteve i përkisnin Brigadës së Forcave Ajrore.
Dëshmitari i procesit gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve u shpreh se pas ngjarjes së Gërdecit ka marrë vesh që kontrata për marrjen e sipërfaqes 200 metra katrorë është nënshkruar me firmën "Alba Demil" dhe sipas informacioneve të tij, kjo shoqëri kishte marrë plotfuqinë për nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrinë e Mbrojtjes, nga kompania amerikane SAC.
Ish- shefi i logjistikës në komandën e Forcës së Bashkuar që drejtohej nga Gjeneral Shpëtim Spahiu në kohën e tragjedisë së Gërdecit, përmendi edhe dërgimin e një shkrese me numrin 2408/1, të 2 majit 2007, në Ministrinë e Mbrojtjes, që sipas tij mbeti pa përgjigje.
Shkresa në fjalë kishte të bënte me problematikën që ishte evidentuar në urdhrin e ish-ministrit Mediu që i kërkonte Forcës së Bashkuar lëshimin me qera të sipërfaqes prej 200 metra katrorë në repartin e Gërdecit. Gjyqi i "Gërdecit" numëron 29 të pandehur që në pjesën më të madhe janë ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Në seancën e djeshme, nga të pandehurit që mbahen në burg ishin prezent në sallën e gjyqit vetëm Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi. Të pandehurit akuzohen si përgjegjës për ngjarjen 15 marsit të vitit 2008, në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës. Nga shpërthimi i depove me barut, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur dhe pati dëme materiale në zonën përreth.
Dëshmitarët: MEICO Punoi pa çmime
Në dëshmitë e tjera të dhëna dje në gjykatë, ish- ushtarakët e Forcës së Bashkuar treguan se kjo strukturë nuk kishte në kompetencë të jepte licencë për fabrikën e Gërdecit dhe kjo, sipas tyre, ishte në kompetencën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Paulin Paluku, ish- specialist i mbështetjes në Forcën e Bashkuar, tregon se komanda ku ai punonte nuk mund të jepte licencë për fabrikën e Gërdecit dhe kjo është bërë nga Ministria e Mbrojtjes, por sipas tij edhe nxjerrja e municioneve jashtë përdorimit nuk ishte detyre e komandës së Forcës së Bashkuar.
Sipas Plukut në bazë të kontratës, MEICO duhet të merrte municionin e tepërt nëpër reparte dhe për këto municione nuk kishte çmime të përcaktuara nga struktura ku ai punonte. Ndërsa për urdhrin nr. 550 datë 25 prill 2007, ish- specialisti i komandës së Forcës së Bashkuar u shpreh se është njohur me përmbajtjen e tij në mënyrë indirekte, për shkak se nuk kishte të bënte me kompetencat e tij.