E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aneta Rama kërkon imunitetin e Berishës

RAMA

Avokatja e Berishës, pretendoi në seancën e djeshme gjyqësore se deklaratat e kryeministrit janë vetëm politike dhe nuk shpifin

Nëna e kryesocialistit, i kërkoi Gjykatës së Lartë t'i drejtohet Kuvendit, për kërkesën e saj


TIRANË- Gjykata e Lartë, edhe në seancën e djeshme gjyqësore, u detyrua që me kërkesë të përfaqësueses ligjore të kryeministrit Sali Berisha, avokates Erinda Ballanca, të shtyjë vazhdimin e seancës për me 4 maj, për t'i dhënë kohë atyre të njihen me provat e avokatëve të paditëses Aneta Rama, nënës së kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi Rama.


Pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Evjeni Sinoimeri, pasi shqyrtoi kërkesat e avokatëve të nënës së kreut të Bashkisë së Tiranës, pas gati tri orësh, vendosi që me kërkesë të avokates Ballanca, të shtyjë seancën gjyqësore, duke i lënë asaj 22 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen.


Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokatët e paditëses Rama kërkuan që Gjykata e Lartë t'i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të kryeministrit Sali Berisha, pasi në deklaratat e tij të datës 26 nëntor 2009 ai ka shpifur ndaj znj.Aneta Rama. Përfaqësuesit ligjorë të kryeministrit, kundërshtuan pretendimin duke e cilësuar deklaratën e shefit të ekzekutivit si deklaratë politike.


"Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij të datës 26 nëntor 2009 të mbajtur para deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Republikës, ka bërë një deklaratë politike. Nga kjo deklaratë nuk ka asnjë fakt shpifës apo fyes ndaj zonjës Aneta Rama, përkundrazi ndaj saj ka shprehur respekt,- tha Ballanca. Më pas, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë, i kërkuan përfaqësuesve të paditëses të parashtronte provat dhe kërkesat e tyre.


Avokatët e nënës së kryebashkiakut, Eno Bushi dhe Arian Salati, në vazhdim të fjalës së tyre të parashtrimit të provave, kërkuan që gjatë shqyrtimit të padisë penale për "shpifje" ndaj kryeministrit Berisha të jetë i pranishëm edhe një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme.


Sipas avokatëve, duhet ta konstatojë edhe përfaqësuesi i akuzës konsumimin e veprës penale nga ana e shefit të qeverisë. Kjo kërkesë u rrëzua me pretendimin se nuk është ligjore.


Pala paditëse, iu kërkoi në vazhdim anëtarëve të Gjykatës së Lartë që krahas procesit penal të shqyrtohet edhe padia civile ndaj kryeministrit Berisha, për dëmshpërblim financiar për "shpifjet" dhe "fyerjet" drejtuar nënës së kryesocialistit Edi Rama, znj.Aneta Rama.


Kjo kërkesë, sipas vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Lartë, nuk mund të pranohet pasi objekti i kërkuesve nuk është kompetencë e kësaj gjykate për të shqyrtuar paditë civile nga themeli pa konsumuar të dy shkallët e tjera gjyqësore.


Sipas tyre, kjo padi duhet të shqyrtohet fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, më pas tek ajo e Apelit dhe në fund me anë të rekursit nga njëra palë pranë Gjykatës së Lartë.


Pas parashtrimit të këtyre kërkesave dhe vendimit të ndërmjetëm nga togat e zeza, avokatja e kryeministrit Berisha kërkoi kohë për të paraqitur pretendimet mbrojtëse. Gjykata e Lartë, pas konsultimit, ndërpreru seancën dhe vendosi vijimin e saj më datë 4 maj 2010 në orën 10:00.


PADIA


TIRANË- Me 18 dhjetor të vitit të kaluar, Aneta Rama iu drejtua Gjykatës së Lartë duke i kërkuar të merrte në gjykim kryeministrin Sali Berisha duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale të shpifjes të kryer botërisht nga foltorja e Kuvendit të Republikës.


Nëpërmjet padisë, nëna e kryesocialistit kërkon një dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar me anë të këtyre shpifjeve. "Vepra e mësipërme është konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur prej të akuzuarit prej meje në seancën plenare të datës 26 nëntor 2009.

Në këtë seancë, Berisha bën thirrje që unë të dal e t'iu tregoj shqiptarëve se djalin tim Edi Rama, e paskam kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë. Si dhe shpif duke përhapur thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›