E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatura Rrëshen-Kalimash fluturon në 630 milionë euro

Në letrën që qeveria i dërgon FMN-së, pranohet se “Bechtel-Enka” ka marrë fonde shtesë prej 210 milionë eurosh vetëm këtë vit

Segmenti rrugor Rrëshen-Kalimash do të kushtojë 630 milionë euro pa TVSH, gjithmonë në rast se nuk do të ketë rritje tjetër çmimi nga ana e kompanisë sipërmarrëse, konsorciumit “Bechtel-Enka”. Fakti bëhet i ditur nga letra që qeveria shqiptare i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe që u bë publik nga FMN. E kontraktuar fillimisht si një vepër publike shumë e kushtueshme prej 420 milionë eurosh në fund të vitit 2006, segmenti prej 57 kilometrash duket se po kalon çdo fantazi në kosto. “Ne do të përdorim të ardhurat shtesë nga tejkalimi i planit tatimor për të financuar projektet infrastrukturore, përfshirë rritjen e fundit të kostos së rrugës “Rrëshen Kalimash”, deklaron qeveria shqiptare përballë FMN-së.

Në raportin e mëparshëm në mars të këtij viti, qeveria pranonte se i nevojiteshin 100 milionë euro shtesë për këtë projekt nga shifra origjinale prej 420 milionë eurosh. Vetëm katër muaj më vonë duket se erdhi shtesa e dytë prej 110 milionë eurosh të tjera.

Vetëm rritje

Projekti i segmentit Rrëshen-Kalimash parashikohej të kushtonte rreth 250 milionë euro, sipas vlerësimit të parë. Në tetor të vitit 2006, qeveria nënshkroi një kontratë me konsorciumin "Bechtel-Enka" me vlerë 418 milionë euro. Konsorciumi bëri të ditur pak muaj më parë se po kërkonte më shumë para, për shkak se kishte ecur më shpejt me projektin. Letra e qeverisë për FMN vuri në dukje se, në fakt, kjo qe një rritje prej mbi 100 milionë euro në faturën përfundimtare të segmentit 57 kilometra të gjatë.

Të gjitha paratë për Rrëshen-Kalimash

Ky konsiderohet si projekti më i shtrenjtë i inxhinierisë civile i realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Kur qeveria vendosi fillimin e punës, ekspertët filluan të dyshojnë nëse qeveria do t'ia dilte të gjente paratë për ta financuar. Fillimisht u anulua financimi i disa projekteve rrugore, si Fier-Vlorë, pastaj u morën borxh në formën e kredisë tregtare disa qindra milionë euro. Për këtë vit qeveria mori 230 milionë euro kredi tregtare për të financiar këtë projekt, ndërsa qeveria thotë se do të përdorë edhe gjysmën e të ardhurave "nga të gjitha privatizimet e rëndësime", pra, paratë nga shitja e "ARMO".

Për këtë vit, qeveria kishte vendosur një fond rezervë të pazakontë prej 10.4 miliardë lekësh, rreth 84 milionë eurosh, kryesisht për ta përdorur pikërisht për tunelin e Kalimashit. Ky është, gjithashtu, fondi që u desh të përdorej për të përballuar pasojat e katastrofës së Gërdecit. Qeveria shqiptare kishte një hapësirë për huamarrje me terma tregtare prej jo më shumë se 690 milionë eurosh deri në vitin 2009 dhe e ka shfrytëzuar këtë hapësirë sakaq totalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›