E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Arkëtimet e energjisë në minimum

Në një letër drejtuar FMN-së, zyrtarët e shtetit deklarojnë se këtë vit është paguar vetëm 47% e energjisë së furnizuar te qytetarët

Qeveria shqiptare pranoi në një letër drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se niveli i arkëtimeve të energjisë së shitur te konsumatorët, ka rënë këtë vit në 73.7%, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2001. “Ne arritën një përmirësim të dukshëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti duke reduktuar uljet me 5 pikë përqindjeje dhe duke i ulur në 36.3% të totalit të energjisë së shitur, por në të njëjtën kohë, niveli i arkëtimeve u ul në 73,7%, gjë që do të thotë se vetëm 47% e energjisë së furnizuar, paguhet realisht nga konsumatorët”, - shkruhet në letrën e mirëkuptimit me FMN, letër që mban firmat e kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani.

Arkëtimet në vite

Treguesi i arkëtimeve është sasia e energjisë që qytetarëve i është faturuar dhe qytetarët e kanë shlyer. Në vitin 2007, arkëtimet arritën nivelin prej 81.1%, ky qe edhe niveli më i lartë i arkëtimeve i regjistruar ndonjëherë. Gjatë viteve 2002-2005, arkëtimet e energjisë elektrike u luhatën nga 76% në 80%. Por nga rezultati më i larë, qeveria ra në rezultatin më të ulët në vite dhe ky është thjeshtë një fenomen statistikor që nuk tregon ndonjë ndryshim të rëndësishëm në menaxhimin e sistemit të energjisë. Gjatë vitit 2008 ka patur një rritje të jashtëzakonshme të energjisë që i është faturuar qytetarëve. Për këtë arsye, vlerësohet se rënia e arkëtimeve është më shumë pasojë e cilësisë së keqe të shtimit të faturimit, jo pasojë e uljes së numrit të qytetarëve që pranojnë të paguajnë energjinë. Për pasojë, panorama e sistemit të energjisë elektrike për këtë vit është shumë më e thjeshtë: Zyrtarët i kanë dërguar më shumë fatura qytetarëve, por këto të fundit nuk i kanë paguar. Qeveria ka më shumë letra në dorë, por jo para.

Sistemi në vështirësi

Vështirësitë financiare të sistemit energjetik po rriten vazhdimisht gjatë muajve të fundit, kryesisht si pasojë e të ardhurave të pamjaftueshme për të mbuluar kostot dhe importin e energjisë elektrike. Enti Rregullator i Energjisë miratoi një rritje prej 15% këtë vit, shumë më e ulët sesa rritja e kërkuar nga KESH. Mosrritja e çmimeve do të shkaktojë humbje në nivelin e 130 milionë eurove këtë vit, shifër kjo e barabartë me 1.2% të PBB-së. Problemi qëndron në faktin se qeveria ende nuk ka pranuar të mbulojë humbjet që KESH i shkaktohen nga mosrritja e tarifave, gjë që e ka dërguar korporatën në krizë të vazhdueshme likuiditeti. KESH nuk ka paguar tatimin mbi vlerën e shtuar këtë vit duke krijuar një borxh prej dhjetëra milionë eurosh kundrejt buxhetit të shtetit. Në një diskutim mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, bëhet e ditur se ministri Ruli i ka deklaruar me shkrim kolegut të tij Bode, se nuk mund të shlyejë taksat për shkak se duhet të plotësojë fillimisht pagesat për importin e energjisë elektrike.

Leku shënon ditën e tretë të dobësimit

Leku shqiptar u dobësua dje për ditën e tretë radhazi kundrejt euros dhe dollarit, kryesisht si pasojë e javës pushim të emetimit të bonove të thesarit nga ana e Bankës së Shqipërisë. Dollari u këmbye me 121.87 euro dhe me 82.83 dollarë. Kundrejt euros, leku shënoi nivelin më të ulët që nga 28 korriku, ndërsa kundrejt dollarit shënoi nivelin më të ulët në gjashtë muaj. Leku forcohet zakonisht ditën e hënë, kur bankat grumbullojnë lekë për të blerë bono thesari në ankandet e ditës së martë. Por këtë javë nuk u organizua një ankand i tillë, gjë që solli edhe dobësimin e lekut. Tendenca afatmesme e lekut vlerësohet se është dobësimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›