Fazlliçi, Tatimet e pranojnë me data të ndryshme
“Crown Acquisition", kompania tek te cilat var shpresat per fitim ne Shqiperi Fazllic perben nje skandal me vete ne gjithe historine per serbo-boshnjakun. Nga vetë dokumentet që zoti Fazlliç ka shpërndarë këto ditë, del se “Crown Acquisition” duhet të jetë regjistruar të paktën dy herë
TIRANE-Në intervistën e tij televizive të së enjtes, biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, deklaroi në Tiranë se kompania “Crown Acquisition”, në pronësi të tij, ka blerë toka në Shqipëri, të cilat, sipas deklaratave të tij, mund të vlerësohen në shifrën 50 milionë euro, deri tani. Megjithatë, inspektorëve tepër të vëmendshëm të Tatimeve duket se në rastin e kësaj kompanie, u ka “shpëtuar” një moment tepër i rëndësishëm. Nga vetë dokumentet që zoti Fazlliç ka shpërndarë këto ditë, del se “Crown Acquisition” duhet të jetë regjistruar të paktën dy herë. Në dokumentin tatimor, që tregon borxhet e papaguara të kësaj firme ndaj administratës fiskale, theksohet se subjekti me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm K72001008V është krijuar dhe ka filluar aktivitet më 20 shtator të vitit 2005, menjëherë sa ka filluar të ushtrojë aktivitetin e saj qeveria ‘Berisha’, mik i të cilit ai nuk e mohon të jetë, madje e pranon me krenari. Ndërkohë, në bilancin financiar, të nënshkruar nga një sigël e kudondodhur në dokumentet e tij (Pustina), raportohet në Tatime se aktiviteti i firmës me NIPT K72001008V ka filluar më 1 gusht të vitit 2007. Në të gjithë bilancin, aktiviteti i firmës i përket vetëm këtij viti. Do të ishte vërtet e çuditshme se si kanë toleruar pa një gjobë të majme zyrtarët e Tatimeve një gabim të tillë, por duket se gjobat ata i përdorin në mënyrë tejet selektive.
Duke shfrytëzuar “imunitetin” e siguruar nga lidhjet e ngushta me Kryeministrin, Fazlliçi nuk e ka pasur të vështirë, jo vetëm të “harrojë” disa miliona borxhe të akumuluara ndaj shtetit shqiptar, por të ecë përpara, duke blerë të vetmin mall që atij i intereson në Shqipëri: tokën. Në bilanc rezulton se aktivitetet e kompanisë rriten menjëherë me 178 milionë e 178 mijë e 292 lekë të reja, që hyjnë në zërin “toka, troje, terrene, ndërtime e instalime të përgjithshme”, por sikurse theksoi vetë Fazlliçi, fjala është për tokë, të cilën, duke shfrytëzuar informacionet nga burimet e tij konfidenciale (familja kryeministrore), e ka blerë në zonën e Porto Romanos, ku ajo është me çmim të ulët, por që do të shtrenjtohet. Informacioni konfidencial kishte të bënte me miratimin që u bë në shkurt të 2008-ës, të një parku industrial (zonë ekonomike) në rrethin e Durrësit, gjë që e rrit shumë vlerën e investimit fillestar të biznesmenit boshnjak. Në këtë mënyrë, ai ka vepruar si një investues i shkathët bursash, që venë “baste” për një “kalë” që e dinë se do të fitojnë. Pra, duke luajtur në një ndeshje të trukuar.
Rastësisht, në këtë zonë kishte blerë më parë prona edhe biznesmeni Kosta Trebicka, i vdekur në rrethana misterioze, ndoshta duke shfrytëzuar edhe ai ndonjë burim të sigurt qeveritar.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)