Fearn-Berishës: Britania mbështet integrimin e Shqipërisë

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Daniel Fearn ka deklaruar sot se qeveria britanike do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet e saj për integrim. Në një takim me kryeministrin Berisha, Fearn theksoi se Britania e Madhe dhe qeveria britanike është mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të Ballkanit perëndimor në BE dhe veçanarisht për Shqipërinë.
Në takim u vlerësua gjithashtu angazhimi i qeverisë shqiptare për të implementuar të 12 kërkesat e parashtruar nga KE në raportin e tij, si dhe u theksua rëndësia që të gjithë faktorët të përmbushin përgjegjësitë e tyre lidhur me këtë proces.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i konfirmoi zotit Fearn vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare, në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 Majit.
Përfaqësuesit e ministrisë së jashtme britanike vlerësuan në veçanti arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit , etj. “Qeveria britanike vlerëson qëndrimin konstruktiv dhe rolin e Shqipërisë në konsolidimin e paqes stabilitetit dhe bashkëpunimin në rajon”, u shpreh zoti Daniel Fearn.