E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata “Vatra”: Lobim në Kongresin e SHBA-së që të kalojë ligji i dosjeve

Vetëm 1 ditë larg nga miratimi ose jo i ligjit për hapjen e dosjeve në Kuvend, një grup organizatash shqiptare kanë reaguar duke kërkuar miratimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Federata “Vatra” në SHBA, një nga organizatat shqiptare më të vjetra, ka reaguar dje duke kërkuar nga politika miratimin e këtij ligji. “Vatra” ka deklaruar se ka kërkuar nga Departamentit i Shtetit që të ndërhyjë për kalimin e këtij ligji. Njëkohësisht, “Vatra” ka bërë të ditur se do të bëhet një lobim në Kongresin dhe Senatin e SHBA-së për të reaguar ndaj kësaj çështjeje në Shqipëri. Organizata shqiptare e shqiptaro-amerikanëve e ka cilësuar si të papranueshëm faktin e shtyrjes së këtij ligji, aq më tepër vonesën e gjatë shqiptare për të dënuar krimet e komunizmit.

“Vatranët” janë shtetas amerikanë dhe si të tillë në emër të tyre “Vatra” po i drejtohet qeverisë amerikane dhe në mënyrë specifike Departamentit të Shtetit, që me të gjitha mjetet, pa hezitim e sa më parë, të ushtrojnë ndikimin e tyre në Tiranë në mbështetje të realizimit të këtij procesi në Shqipëri. “Vatra” gjithashtu njofton se për çështjen në fjalë do të zhvillojë një fushatë intensive sensibilizimi në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse në vitin 1990 u fitua pluralizmi politik, beteja për vendosjen e së drejtës historike me të cilën ka lidhje ky proces ka të bëjë me fitoren e pluralizmit shpirtëror. Pa këtë asnjë demokraci nuk mund të ketë të ardhme të sigurt”, - thuhet në deklaratën e organizatës “Vatra”. Më tej, në deklaratën e shqiptaro-amerikanëve thuhet se zvarritja e këtij ligji ka qenë një faj për politikën shqiptare, por pengesa e tij për t’u miratuar, është një krim. “Vatra” i ka bërë thirrje edhe opozitës shqiptare që të largohet nga pozicioni i saj i mefshtë, por të reagojë edhe të miratojë këtë ligj me konsensus me mazhorancën, si dhe të distancohet nga nostalgjia enveriste. “Është i papranueshëm fakti që individë të cilët kanë projektuar e realizuar krimet e komunizmit, sot, pas 18 vjetësh demokraci në Shqipërinë, të vazhdojnë të kontrollojnë pozicione kyçe në strukturën e shtetit shqiptar, në Parlamentin e vendit dhe në tërësi në jetën politike e publike. Kjo është një fyerje e dhunim i ri i së drejtës qytetare të mijëra të persekutuarve nga regjimi komunist”, - thuhet në deklaratën e “Vatrës”. Njëkohësisht, dje kanë reaguar edhe ish-të përndjekurit politikë, si dhe mjaft shoqata. Kreu i shoqatës “Musine Kokalari”, shkrimtari Agim Musta, ka bërë thirrje që ky ligj të kalojë. Ai deklaroi dje për mediat se shtyrja e këtij ligji është e papranueshme dhe e pafalshme. Musta tha se është krim shtyrja e këtij ligji. “Shoqata “Musine Kokalari” konstaton se idetë e hedhura së fundi për konsulencë juridike me ekspertë ndërkombëtare, janë vetëm pretekste për ta shtyrë këtë ligj të rëndësishëm në kalendat greke. Ne kërkojmë me vendosmëri miratimin në seancën më të parë të këtij projektligji të vonuar nga Parlamenti shqiptar dhe zbatimin sa më parë të tij me qëllim spastrimin nga xhelatët komunistë, nga çdo funksion i rëndësishëm i institucioneve demokratike shqiptare”, - tha shkrimtari Musta. Njëkohësisht, edhe ish-të përndjekurit politikë të Shkodrës kanë reaguar ndaj pengesave që ka krijuar opozita për miratimin në Kuvend të ligjit të hapjes së dosjeve. Përmes një deklarate për shtyp, Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë të degës së Shkodrës bëri të ditur se “ne asnjëherë nuk kërkuam hakmarrje, por kjo nuk do të thotë se nuk kërkuam një ligj për hapjen e dosjeve, që të dallohet viktima nga persekutori”. Sipas tyre, është për t’u çuditur se janë pikërisht më të zellshmit e zbatimit të luftës së klasave, që sot e kundërshtojnë këtë projektligj. Edhe një grup partish të djathta kanë kërkuar miratimin e këtij ligji. Kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, kërkoi miratimin e shpejtë të këtij ligji, megjithëse ai theksoi se projekti është tepër i butë.

LSI: Ligji i dosjeve, lojë e PD-PS-së

Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron një lojë të pakuptimtë qëndrimet e dy partive të mëdha, PD e PS, për ligjin e dosjeve. I pyetur nga gazetarët, Meta tha se përderisa kjo është një lojë mes këtyre dy forcave, LSI-ja nuk dëshiron të bëhet pjesë e saj. “Lidhur më çështjen e dosjeve, ne e kemi thënë që prej tre vjetësh, që kur PS-ja dhe PD-ja ishin në garë kush të dorëzonte më përpara projektin e saj për dosjet - ju e mbani mend këtë, ishin dy projekte, u bënë tre projekte - që kjo është kthyer në një karagjozllëk të vërtetë, se në 18 vjet janë hapur dhe janë mbyllur nja 3-4 herë me ligje, nga më të ndryshmet dhe nga më selektivet, dosjet. Kështu, që nuk duam të bëhemi pjesë e një loje të pakuptimtë, që ka 3 vite që luhet nën sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë”, - deklaroi Meta. Ndërkohë që ligji u shty për të ardhur sërish në seancën e sotme të Kuvendit. PS-ja është shprehur kundër miratimit të ligjit, duke kërkuar uljen sërish në tryezë të të gjitha palëve për të bërë një ligj me standarde evropiane, siç është shprehur kreu i PS-së, Edi Rama

Dosjet, Zogaj: Ndërkombëtarët, të painformuar

Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, Preç Zogaj, deklaroi dje se ndërkombëtarët janë të painformuar në lidhje me çështjen e hapjes së dosjeve. Në një deklaratë për mediat vizive, Zogaj tha se ndërhyrja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme në këtë çështje, por sipas tij, kjo ndërhyrje duhej të bëhej kur çështja të njihej më mirë. “Është shndërruar në një histori politike kjo gjë, kështu që dhe ndërkombëtarët duhet ta kapin tamam këtë gjë. Pse lindi kjo? Me referenca të sakta... Kanë qenë dhe janë këtu prej kohësh. Duhet të futen më thellë në të vërtetën e kësaj historie, sepse nuk mund të kalojmë në sipërfaqe dhe tani të ndërhyjmë. Është ndërhyrje miqsh dhe partnerësh, unë e vlerësoj sigurisht, por më domethënëse duhet të jetë, me një njohje më të thellë”, - tha Zogaj. Ai më tej tha se Partia Demokratike i ka kapërcyer kufijtë për sa i përket kësaj nisme delikate. “PD-ja nuk e ka pasur projekt në fushatë. PD-ja e ka konsideruar të kapërcyer, sepse një herë bëhet një ligj dhe njerëzit nuk mund të dënohen apo të shqyrtohen apo të gjykohen dy herë për të njëjtat gjëra. Por kjo histori këtu nuk mbaron kurrë”, - deklaroi Zogaj.

Reagon PD-ja: Rama të tërhiqet, ligji i dosjeve duhet të miratohet

Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i bëri dje thirrje për herë të fundit kreut të opozitës, Edi Rama, që të tërhiqet nga qëndrimi për ligjin e dosjeve dhe të japë votat për konsensus. Bumçi tha se Rama dhe PS-ja ende po mbajnë një qëndrim nostalgjik ndaj regjimit të kaluar. “E sqarojmë zotin Rama se ligjet për lustracionin në të gjitha vendet ish-komuniste kanë pasur një synim madhor, largimin nga urrejtja kombëtare. Urrejtjen e nxit prania edhe sot në poste e xhelatëve që kanë urdhëruar varje dhe pushkatime. Urrejtjen e nxit prania ende sot në poste të rëndësishme të atyre që kanë lidhur me tela me gjemba qytetarë dhe i kanë zvarritur qyteteve të Shqipërisë. Urrejtje nxit ende sot prania e atyre që kanë montuar me dhjetëra procese dhe kanë dënuar për fjalën e lirë, besimin dhe iniciativën e lirë. Edi Rama nëpërmjet zëdhënëses së tij deklaroi se i thjeshton në pakënaqësi lumenjtë e lotëve, gjakut dhe mjerimit që shkaktoi lufta e klasave në Shqipëri. Grupi parlamentar i PD-së fton zotin Rama të dënojë të shkuarën komuniste në tërësi, të distancohet nga lidhjet e tij familjare me krimet e komunizmit dhe të shikojë përpara”, - tha Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›