E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Junajtid shpallet kampion bote

Në Jokohama, Mançester Junajtid shpallet kampion bote për klube. Anglezët mundën ekipin e Liga de Kuitos me rezultatin e ngushtë 1-0. Duke triumfuar në këtë kompeticion (botërorin për klube) Mançesteri u bë e para skuadër angleze që fiton këtë trofe. FIFA, dy vite më parë zëvendësoi Kupën Interkontinentale me Botërorin për Klube.

Fondamentale

Sër Aleks Ferguson, nën drejtimin e Mançester Junajtidit, fitoi dje trofeun e radhës. Qe pikërisht Uejn Runi, i servirur mjaft mirë nga Kristiano Ronaldo, që në minutën e 73-të lëshoi një silur drejt portës kundërshtare, duke i dhënë kështu dhe fitoren Mançesterit. “Djajtë e kuq” kanë luajtur gati të gjithë 45-minutëshin e dytë me dhjetë lojtarë. Mbrojtësi serb, Nemanja Vidiç, goditi me bërryl Bielerin dheu ndëshkua me karton të kuq. Por tekniku skocez, pas këtij ndëshkimi nuk mendon dy herë (edhe pse sulmuesit kundërshtarë nuk janë treguar në lartësinë e duhur), fut në fushën e lojës mbrojtësin e ri nga Irlanda e Veriut, Evans. Në atë moment skema e Mançesterit kthehet nga 4-4-2 në 4-4-1 sepse fushën e lojës e lë sulmuesi argjentinas, Karlitos Tevez.

Taktika

Takimi midis dy klubeve u zhvillua me tepër në zonën e ekuadorianëve. Ekipi i Liga de Kuitos priste që të përfitonte nga ndonjë gabim i kundërshtarit. Ndërsa anglezët e filluan ndeshjen shumë fort. Në 45-minutëshin e parë, Mançesteri humbi shumë raste për të shënuar. Gjithashtu, edhe portieri i Liga de Kuitos, Cevalos, bëri një paraqitje të kënaqshme. Edhe “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo, krijoi disa raste para portës kundërshtare, por pa arritur asnjëherë vetë të godiste. Portugezi serviri një asist shumë të bukur drejt Parkut, por koreano-jugori nuk arriti që të shënonte gol. Ndërsa dyshja e sulmit, Tevez e Runi, shpesh ndërruan rolet duke marrë edhe krahun sepse në qendër të mbrojtjes kundërshtare mblidheshin shumë mbrojtës, duke bërë kështu të pamundur shënimin e golit nga ai pozicion.

Të bllokuar

Ekipi nga Ekuadori, La Liga, zhvilloi dje një lojë mjaft të mirë në mbrojtje. Sulmuesit e Mançesterit bllokoheshin që në hyrje të mesfushës kundërshtare. Anglezët për asnjë moment nuk u lanë të dyluftonin një për një nga kundërshtarët e tyre. Ndërsa sulmi i Liga de Kuitos qe shumë i pafuqishëm, pasi i vetëm mes katër mbrojtësve anglezë lëvizte Klaudio Bieler. Bie në sy vetëm performanca e fantazistit të latinëve, Manso. Ky i fundit i vetëm arriti që në shumë raste të vinte në vështirësi portierin kundërshtar, gjithashtu ai zhvilloi një lojë mjaft të mirë duke i “dhënë frymëmarrje” Liga de Kuitos. Pas tri minutash lojë Kampos pati mundësinë më të pastër për të kaluar Liga de Kuiton në avantazh. Gjatë një goditjeje standarde, futbollistët e Mançesterit u treguan të pakujdesshëm, duke lënë vetëm në mes të mbrojtjes Kamposin (i cili e dërgon topin jashtë). Ndërsa në pjesën e dytë ekipi ekuadorian nuk përfiton nga epërsia numerike dhe nuk ndërron ritmin e lojës.

Finalja

Trajneri i ekuadorianëve, Edgardo Bauza, mendonte se me anë të ritmit të ulët të lojës do të mundte ekipin anglez. Bauza për asnjë moment nuk kërkoi që ekipi i tij të luante më shpejt, pasi mendonte se ky fakt do të favorizonte më tepër kundërshtarin, duke i lënë atij mjaft hapësira në mbrojtje. Loja që zhvilloi ekipi amerikano-latin tregon se kishin mbërritur deri këtu me shumë fat. Në minutat e fundit u fut dhe Fill Nevil, i cili qe dhe i vetmi që përfaqësonte brezin e vjetër, pasi në bankinë qenë të ulur dhe Skolls e Gigs. Në tribunë, për të parë triumfin e Mançester Junajtidit qe i pranishëm dhe Bobi Çarlton.

Mundet Tirana, Vllaznia +7

Vllaznia vazhdon e sigurt në krye të Superligës, ndërkohë që Tirana humbet kundër Flamurtarit në Vlorë. Në takimet e javës së 16-të të Superligës shkodranët kanë fituar 1-2 kundër Bylisit duke shkuar në kuotën e 34 pikëve. Të parët në avantazh kanë kaluar miqtë me anë të Sinanit në minutën e 47-të të takimit. Vetëm 5 minuta më vonë kanë qenë serish shkodranët që kanë dyfishuar rezultatin me anë të Kapajt, ndërkohë që goli i nderit për vendasit është shënuar nga Mousa në minutën e 87-të të takimit. Tirana ka humbur 0-2 ndaj skuadrës së Vlorës pas golave të shënuar nga Mema në minutën e 61-të dhe Rustemi në të 89-ën për Flamurtarin.

Dinamo ka marrë një trepikësh pas fitores 1-0 kundër Lushnjës. Kur dukej se gjithçka do të përfundonte në barazim, ka qenë Diop që ka kaluar në avantazh skuadrën kryeqytetase. Shkumbini ka fituar 2-1 kundër Elbasanit. Pjesa e parë e takimit është mbyllur me fitoren e vendasve pas golit të Kasolles në minutën e 10-të. Serish në të dytën kanë qenë peqinasit që kanë shënuar me anë të Mustafajt në të 51-ën, ndërsa golin për miqtë e ka realizuar Vrapi në minutën e 63-të. Në takimet e djeshme, Teuta ka humbur në Durrës kundër Besës 0-1, ndërsa Apolonia ka mundur Partizanin 3-1 ne Fier. Pas përballjeve të kësaj jave, në krye të tabelës është Vllaznia (34) duke lënë pas Tiranën (27), Dinamon (27), Besën (25), Teutën (24), Flamurtarin (23), Shkumbinin (23), Elbasanin (20), Bylisin (16), Apoloninë (15), Lushnjën (12) dhe Partizanin (10).

Qato mbron titullin e kampionit të botës në WBF

Boksieri shqiptar, Kreshnik Qato, ka mbrojtur titullin e kampionit botëror në kategorinë WBF (World Boxing Foundation) në peshë të mesme, pasi mbrëmë ka mposhtur amerikanin David Estrada. Durrsaku u përkrah nga mijëra shqiptarë në luftën e zhvilluar në Uashington, ku shqiptari mposhti vendasin me nokaut. Estrada u rezistoi grushteve ‘kuqezi’ deri në rundin e gjashtë. “Kjo ishte ndeshja më e bukur në jetën time sportive. Fitoren ia dedikoj flamurit shqiptar, të gjithë shqiptarëve në botë”, - ka thënë Qato pas përfundimit të përballjes. Shqiptarë që jetojnë në Amerikë, të ardhur nga qytete të ndryshme si Nju Jorku, Bostoni dhe Filadelfia u mblodhën për të ndjekur përballjen dhe më pas për të festuar me flamuj kuqezi këtë triumf. Qato, i cili ka një raport prej 17 fitoresh (2 me nokaut) dhe 6 humbje, mbrojti për të parën herë titullin, të cilin e fitoi më 5 prill kundër portugezit Vitor Sa në 12 runde.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›