E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Listat e mbyllura, partitë humbasin demokracinë

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi një takim me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në minibashkinë nr. 2 të Tiranës. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë takim, ish-rektori i Universitetit të Tiranës, z. Shezai Rrokaj, u shpreh në mbështetje të kauzës së LSI-së për mbrojtjen e votës së lirë dhe sistemit demokratik, që është kauza që afron jo vetëm atë si përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe shumë intelektualë të shquar të shoqërisë sonë. Duke folur mbi situatën e sistemit arsimor në vend, z. Rrokaj u shpreh se është për të ardhur keq që kjo qeveri nuk ka asnjë strategji afatgjate për zhvillimin e sistemit arsimor në vend. Sipas tij, në këto 3 vjet qeverisje, nuk ka pasur reforma efikase në këtë fushë, por edhe kjo qeveri ka bërë regres të madh për sistemin arsimor në vend. Kreu i LSI-së theksoi se lidershipet e PS-së dhe PD-së, në planin politik kanë vendosur një monopol dypartiak mbi vetë sistemin politik të vendit, sepse me ndryshimet kushtetuese synojnë ta kthejnë Shqipërinë nga një vend demokratik dhe pluralist në një sistem të mbyllur dypartiak autoritar. Duke u shprehur kundër sistemit të listave të mbyllura, Meta tha se “kjo që kanë bërë PD-ja dhe PS-ja me listat e mbyllura, është pikërisht mënyra me e keqe, për të mos pasur më demokraci në partitë shqiptare dhe i vetmi qëllim që kanë pasur këto dy ka qenë që në Parlament të mos ketë më deputetë të popullit që përfaqësojnë interesat e tyre, por të ketë vetëm servilë të kryetarëve, pra, nëpunës të tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›