Feith: Korrupsioni nuk është luftuar siç duhet

Prishtinë, 14 prill, NOA - Qeveria e Kosovës duhet ti kthejë fjalët në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Prishtinë, Piter Feith, sipas të cilit, adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë, por dhe me pritjet që ekzistojnë brenda vendit.
Deklaratat e Piter Feithit u bënë gjatë një paraqitje në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin të Irlandës.
Populli në Kosovë e ndjen se janë marrë masa të pamjaftueshme kundër korrupsionit, ndaj presin më shumë, tha Feith lidhur me një fakt të tillë.
Ndër të tjera, përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar në Kosovë theksoi rëndësinë e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Mbijetesa e projektit të pavarësisë tashmë po përballet me një provë kritike dhe Kosova shpreson që vendimi do të jetë së paku i baraspeshuar, të ketë elementë pozitivë në mënyrë që të arrihen njohje të mëtejshme dhe qasje më e mirë në organizmat ndërkombëtare, çfarë do të mund të ndihmojë zhvillimin socio-ekonomik, tha Feith.
n.e/NOA