Obama dhe Samiti për Bërthamorin

Samiti i sigurisë bërthamore në Uashington u hap me një shpallje dramatike nga presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviq, se ai do ti eliminojë të gjitha stoqet e uraniumit të pasuruar në vendin e tij. Hapi i dha hov tubimit historik, për të cilin Shtëpia e Bardhë beson se do ta ndryshojë peizazhin e sigurisë së tërë botës
Heather Maher
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, e hapi Samitin për
Sigurinë Bërthamore, të hënën, me njoftimin surprizë të presidentit të
Ukrainës, Viktor Janukoviç, që tha se Ukraina do të lirohet nga arsenali i
uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë.
Janukoviç e bëri premtimin para takimit të Këshillit të biznesit SHBA-Ukrainë.
Reagimi nga Shtëpia e Bardhë ishte i menjëhershëm.
Kjo është diçka, që SHBA-të janë përpjekur ta bëjnë për më tepër se 10 vite.
Materiali mjafton për zhvillimin e disa armëve bërthamore. Dhe, kjo tregon
vazhdimin e politikës së Ukrainës për mosprodhimin e armëve bërthamore në një
rajon të rëndësishëm, ku ne e dimë që ka shumë uranium të pasuruar, tha Robert
Gibs, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Lëvizja e Ukrainës është pikërisht ajo që Obama shpreson tek udhëheqësit e
tjerë të botës në këtë samit, që ata të angazhohen me hapa konkretë për
mbajtjen e armëve larg nga terroristët dhe aktorët e tjerë jo-shtetërorë.
Me kërkesën e Obamës, të 47 udhëheqësit e botës janë në Uashington, nën masa të
rrepta sigurie, ku për dy ditë do të diskutojnë se si të sigurohen armët
bërthamore.
Obama parashikon që në fund të samitit të dilet me disa veprime konkrete dhe
specifike nga vendet pjesëmarrëse, për një botë më të sigurt.
Sipas këshilltarit të Antiterrorit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan, kërcënimi
është real dhe në rritje.
Kërcënimi nga armët bërthamore është real, serioz dhe në rritje. Kjo përbën
një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë tonë kombëtare dhe të sigurisë
globale, tha Brenan.
Tema e dytë e konferencës është Irani dhe humbja e durimit ndërkombëtar ndaj
refuzimit të Teheranit për ti provuar botës se programi i tij bërthamor nuk ka
qëllim të shtjerë në duar armët bërthamore.
Në takimin mes presidentit Obama dhe homologut të tij kinez, Hu Xhintao, u tha
se të dyja palët po punojnë së bashku për një paketë të mundshme të OKB-së, që
padyshim i tregon Iranit se do ti kushtojë, nëse vazhdon të shpërfillë
komunitetin ndërkombëtar.
Së bashku me Korenë e Veriut, Irani nuk është ftuar në samit, pasi konsiderohet
si dhunues marrëveshjes për mospërhapjen e armatimit bërthamor.
SHBA-të presin të sigurojnë mbështetje për sanksionet nga Kina dhe Rusia,
anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të drejtën e
vetos.
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndodhet në Samit, ka deklaruar
se ai nuk do as Iranin dhe as ndonjë vend tjetër ti zotërojë armët bërthamore.
Turqia mban një vend me rotacion në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe është
një nga vendet ku SHBA-të shpresojnë se do t'i mbështesë sanksionet e forta
kundër Teheranit.