Feith përsërit kriteret
Shefi i ICO’së, Pieter Feith ka deklaruar se në Qeverinë e Kosovës duhet të përfshihen njerëz me integritet të lartë moral.
“Duhet të shohim. Sikur që e kam thënë edhe më parë, formimi i Qeverisë së Kosovës është çështje që i takon lidershipit politik të Kosovës. Nuk dua të përfshihem.
Unë gjithashtu e kam thënë edhe në kuptimin më pozitiv, se anëtarët e qeverisë së ardhshme duhet të kenë integritetin më të lartë të mundshëm moral”, ka thënë Feith për Radion Europa e Lirë.
Ai nuk ka sqaruar nëse do të ndërhynte në rast se kërkesat e ndërkombëtare për qeverinë e re nuk përfillen.
“Nuk do t’ju jap përgjigje përfundimtare mbi këtë çështje. Ajo çfarë do t’ju them është se situata për Kosovën nuk është shumë e lehtë aktualisht. Kosova ka arritur shumë që nga pavarësia, por duhet të jemi të qartë gjithashtu se në gjashtë muajt e fundit ka pasur shumë kthime prapa. Dhe për këtë duhet të jemi realistë”.
Feith ka thënë se imazhi i Kosovës është dëmtuar mjaft kohëve të fundit.
”Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar goditje. Kosova vazhdon të jetë ende shumë e varur nga marrëdhëniet e afërta dhe konfidenciale me Brukselin dhe institucionet e tjera donatore që ofrojnë mbështetje financiare dhe të tjera.
Prandaj, është më se e rëndësishme që ne ta ndihmojmë Kosovën të rifitojë kredibilitetin dhe imazhin e saj ndërkombëtar, për të mundësuar tërheqjen e investimeve, për t’u bërë vend atraktiv për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për t’u bërë partner atraktiv në kontekstin rajonal”, ka thënë ai.
Shefi i ICO’së, i cili është edhe përfaqësues i posaçëm i BE’së në Kosovë (EUSR), ka folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se ato mund të nisin pas formimit të Qeverisë së re.
Mendoj se Bashkimi Evropian, në rolin mbështetës për këtë dialog, pret për të nisur punën në këtë drejtim posa të jetë formuar Qeveria në Prishtinë”, ka thënë ai.