E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengohet zhvillimi

Mungesa e lehtësirave tregtare për eksportin e mallrave jashtë vendit i ka goditur prodhuesit vendorë. Ata që nga muaji janar, kur edhe nuk janë vazhduar më këto preferenca, kanë eksportuar 10 për qind më pak se vitin e kaluar. Përveç kësaj, rrezikojnë edhe të ulin prodhimin e me këtë do të jenë të detyruar të largojnë punëtorët nga kompanitë e tyre. Nga Express më 12 shkurt 2011 në ora 10:51

Prodhuesve kosovarë nga dita në ditë po u ngushtohet rruga për të eksportuar mallrat e tyre në vendet tjera. Ata, përveç rënies së eksportit të prodhimeve të tyre drejt Bashkimit Evropian, rrezikojnë t’i humbin edhe tregjet. Eksporti i produkteve të tyre ka rënë 10 për qind në muajin janar, në krahasim me muajin dhjetor. Mungesa e preferencave autonome tregtare për Kosovën po i dëmton rëndë prodhuesit vendorë. Ata thonë se shkaku i kësaj do të detyrohen të zvogëlojnë prodhimin, e me këtë rast të largojnë edhe punëtorët nga kompanitë e tyre.

Bashkim Osmani, prodhues i lëngjeve në vend, thotë se për kompaninë e tij, por edhe për të tjerat, mungesa e lehtësirave tregtare me shtetet e BE’së ka sjellë humbje shumë të mëdha. Diku nga 35 për qind sa eksportonim në këto shtete, tani kjo ka rënë 10 për qind më pak vetëm gjatë janarit.

“Jemi dëmtuar rëndë me këtë. Nëse vazhdon kjo edhe në muajt e ardhshëm, atëherë ne si biznese do të jemi të rrezikuar rëndë”, thotë Osmani.

Ai tregon se deri në fund të vitit të kaluar kanë eksportuar në këto vende, e tani thotë se po rrezikojnë humbjen e tregjeve në ato vende. Tani ata do të jenë të detyruar të zvogëlojnë prodhimin, për shkak të pamundësisë dhe kostos më të lartë për eksport.
“Ne do të jemi të detyruar të largojmë nga 8 punëtorë nga kompania”, thotë Osmani. Këtë gjë, ai tregon se do ta bëjë secila kompani që është dhe do të jetë e ballafaquar me këto barriera. Sipas tij, kjo po bëhet për shkak të neglizhencës dhe vakuumit të institucioneve vendore.

Osmani thekson se janë përfaqësuesit e shtetit që ia kanë pamundësuar praninë e tyre në tregjet e BE’së. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës, pohon se mungesa e preferencave autonome tregtare për Kosovën do të sjellë humbje të mëdha për biznesin vendor. Sipas tij, Kosova i ka shfrytëzuar këto për shkak të potencialit të vogël eksportues.
Prapëseprapë, kjo, sipas Rukiqit, për disa kompani ka qenë mundësi dhe treg i mirë deri në fund të vitit të kaluar. Këto preferenca tregtare, ai thotë se kanë qenë stimulim për zhvillimin e vendeve të Ballkanit përmes mundësisë së eksportit në BE.

Nuk kanë pasur barriera, pasi që kanë qenë të liruar nga tarifat dhe nga kuotat sasiore. Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit Evropian vazhdimin e tyre deri në vitin 2015. Por, Rukiqi vlerëson se kjo nuk ka qenë nguti te institucionet e BE’së. Tani është shtyrë vendimi dhe ka lindur problemi se si t’i referohet Kosovës.

“Kostoja që sjell mosvazhdimi i tyre është sepse eksportuesit kosovarë tash duhet të paguajnë tarifën në vlerën 6 për qind të produktit, janë më pak konkurrentë, rrezikojnë t’i humbin tregjet”, tha sekretari Rukiqi. Ky po ashtu, është edhe një argument më pak për të tërhequr investitorë.

Tregon se është thënë nga Komisioni Evropian që me vazhdimin e tyre pagesat e tarifave do të kthehen në mënyrë retroaktive.

Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje të Kosovës ditë më parë kanë deklaruar se arsyet e mosvazhdimit të preferencave autonome tregtare për Kosovën nga Bashkimi Evropian janë politike. Preferencat autonome tregtare për Kosovën, me vendimin e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, janë ndërprerë që nga fillimi i këtij viti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›