Feja, Enver Hoxha dhe një histori familjare
Nga Besnik Mustafaj
Ende si kisha mbushur nëntë vjet, kur regjimi i kohës, i quajturi pushtet i popullit, e shpalli zyrtarisht Shqipërinë vend ateist dhe ndaloi me ligj çdo formë të ushtrimit të fesë. Besimi në Zot u përcaktua si opium për popullin dhe u shpall armik kombëtar. Kishat dhe xhamitë u rrafshuan, librat fetarë u dogjën, klerikët, ata që shpëtuan nga burgu, u veshën me kominoshe e me çizme dhe u dërguan të punonin në ferma e në uzina, të fitonin bukën e gojës. Në kodin penal u shtuan nenet, me dënime deri në dhjetë vjet burg për këdo, që bënte kryq apo të binte në gjunjë për tu falur qoftë edhe brenda shtëpisë së tij.
Më kujtohet heshtja që sundonte në shtëpinë tonë në Tropojë tek sa gjyshi dëgjonte në radio lajmet. Gjithë populli, sipas radios, rinia sidomos, por edhe gratë, burrat, pleqtë ishin ngritur në këmbë me pishtarë në dorë të digjnin errësirën robëruese, me të cilën feja e kishte mbushur trurin e njerëzve të paditur për shekuj e shekuj me radhë. Kjo shënonte fundin e pakthyeshëm të së kaluarës. Unë ndërkohë isha i mbushur plot me një ndjesi të përzier turpi dhe sikleti, por që nuk guxoja ta shprehja në sy të gjyshërve dhe të nënës. Të nesërmen, në shkollë, mësuesja do i pyeste një nga një fëmijët nëse ishin bashkuar me prindërit gjatë shembjes së xhamisë, gjatë djegies së rasos së priftit apo gjatë rrafshimit të varrezave të qytetit, ku deri dje, të gjallët e pagdhendur u kishin vënë te koka të vdekurve kryqe apo gjysmëhëna të gdhendura në gur apo të derdhura në allçi.
Mua më vinte, qysh një ditë para, turp kur të nesërmen do të isha i detyruar të pohoja faqe gjithë klasës se gjyshi, gjyshja ashtu si edhe nëna ime nuk ishin bashkangjitur me gjithë popullin për të çuar në vend fjalën ndriçuese të Partisë. Për babain nuk kisha çthoja. Ai dilte si zakonisht nga shtëpia ndaj të gdhirë për të shkuar në punë e kthehej në mbrëmje vonë, pasi mua më kishte zënë gjumi. Unë e dija se çpo ndodhte gjithandej tashmë, ani pse nëna, me tu kthyer nga shkolla, nuk më lejonte më të vija këmbën jashtë pragut të oborrit. E dija nga radio dhe kaq do të më kishte mjaftuar për ta treguar gjerë e gjatë euforinë e përditshme të asaj përmbysjeje të pashembullt në historinë e Shqipërisë. Por do të vinte çasti kur mësuesja do të më pyeste konkretisht se në cilën ngjarje kishin marrë pjesë të djeshmen vetë prindërit e mi. Cilit hoxhë ja kishin rruar mjekrën në mes të lagjes, nën yshtjet gazmore të turmës revolucionare? Aty do të skuqesha e do të më mbulonin djersët e turpit. Isha i sigurtë se gjyshi, gjyshja dhe nëna ime kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, a thua se i fshiheshin një murtaje. Dhe jo vetëm kishin qëndruar mbyllur në shtëpi, por edhe njëri me tjetrin ishin marrë vesh më shumë me shenja se me fjalë, gjë që nuk më kishte ndihmuar mua as të kuptoja disi se çfarë mendonin ata. Shpresa e vetme për të më nxjerrë nga sikleti mbetej babai, për ditën e të cilit nuk dija asgjë. Ai vazhdonte zakonin e vet të daljes në agim e të kthimit afër mesnatës. Por, edhe kur qëllonte, në të rrallë, të kthehej pak më herët, dhe bëhej kështu pjesë e darkës familjare, ai nuk çelte kurrë biseda rreth ditës së tij të punës. Por as gjyshërit, ashtu si nëna ime, të paktën faqe ne, fëmijëve nuk e pyesnin. Ky ishte një rregull që zbatohej me rreptësi të plotë. Në një nga këto mbrëmje, unë nuk e përmbajta dot ankthin dhe, i mbushur me një guxim të papritur, e pyeta se ku po e zhvillonte ai betejën e vet. Babai, i vetmi i shkolluar në familjen tonë, madje i shkolluar në Tiranë, do të duhej ta mirëkuptonte hallin tim. Ende pa e mbaruar pyetjen, babai më përfshiu me një vështrim të çoroditur.
- Cilën betejë?- Kishte sakaq një zë të acaruar, por që unë nuk desha ta vija re. Duhej ti tregoja se dija edhe unë të isha i vendosur.
- Betejën kundër fesë, siç po bën mbarë populli ynë përparimtar.
- Nuk janë punë për ty këto,- ma preu shkurt. Ti je ende i vogël. Dëgjove? Nuk janë punë për ty këto. Unë mbeta pa gojë. Babai nuk ishte treguar kurrë kaq i paduruar me mua. Edhe kur nuk i pëlqenin ndërhyrjet e mia, ai prapë e gjente fjalën e duhur për të më sqaruar dhe nuk e humbiste butësinë. Kësaj here ai u bë krejt tjetër.
Si nuk ishin punë për mua këto? Përndryshe pse mësuesja na pyeste me aq hollësi? Këto dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme më vërshuan mizëri në kokë, por që nuk bëhej më fjalë ti shtroja. Babai jo vetëm më kishte hequr guximin me ashpërsinë e vet të panjohur, por edhe më kishte tronditur shumë. Ai kishte një autoritet të tillë mbi mua, sa edhe duke më folur me butësinë e zakonshme, unë do të ndjehesha thellë-thellë i detyruar të besoja se ajo që po ndodhte nuk ishte vërtet punë për mua e se mësuesja gabonte që na përziente ne, fëmijëve, në këtë histori të ngatërruar. Ky babai tjetër, që po zbuloja, vërtet ma mbylli gojën me ashpërsinë e vet të huaj, por edhe më zgjoi një inat të fuqishëm kundër atyre që më kishin bërë kokën, inat që unë, sigurisht, do të duhej ta mbaja përbrenda si një zjarr të pashuar. U ndjeva i dobët, i braktisur. Nuk kisha më kujt ti kërkoja ndihmë. Ku do i fshihja të nesërmen djersët e ftohta, kur të pohoja para gjithë klasës se prindërit e mi i kishin bërë bisht detyrës historike?
Edhe ashtu, duke zier nga inati, e dija megjithatë që nuk do të më bënte zemra të shisja prindërit e mi para të tjerëve dhe vetëm do të heshtja me sytë ulur, duke e ndjerë fund e krye fytyrën të më digjte nga turpi. Por mësuesja nuk do të ndjente pikë mëshire për mua. Edhe pa pohimin tim ajo do e merrte me mend çpo ndodhte dhe do të më drejtohej, duke më tundur gishtin, që ta shihnin të gjithë shokët, se prindërit e mi ishin dezertorë ndaj detyrës së madhe të revolucionit. Kjo është shumë e rëndë, do e ngrinte ajo zërin edhe më shumë. E kupton ti sa e rëndë është kjo? Domethënë se më takonte mua në vazhdim të bëja detyrën time, që do të thoshte se duhej të shpjegoja përse ata i kishin bërë bisht detyrës revolucionare. Kjo ishte më e tmerrshmja: Nuk pranohej të ishe i sinqertë. Unë mund ta kisha kapërcyer pyetjen e saj me një mbledhje të supeve. Mund edhe të bëlbëzoja nëpër dhëmbë duke u betuar se nuk e dija çi mbante prindërit e mi larg asaj stuhie. Por jo, mësuesja doemos që nuk do të kënaqej me përgjigjen time. Ajo do të më urdhëronte kërcënueshëm të tregohesha i sinqertë. Bijtë e Partisë, do të më skërmitej mësuesja, e hapin zemrën para shokëve.Apojo? Do të kërkonte ajo mbështetjen e klasës. Unë do të dëgjoja një po bubullimë, që do bënte edhe muret e shkollës të dridheshin.
Sinqeriteti që më kërkohej në shpjegimin e sjelljes së prindërve të mi, sipas mësueses time, do të thoshte që unë të shpalosja para fëmijëve të tjerë gjithë përçmim se prindërit e mi ishin besimtarë të verbuar dhe nuk u bënte zemra të bashkoheshin me fjalën e Partisë. Me fjalë të tjera, e kishin trurin të mpirë nga opiumi fetar. Unë nuk isha në gjendje të pohoja me zemër në dorë se prindërit e mi ishin njëmend besimtarë të devotshëm. E dija se në shtëpinë tonë kremtoheshin të gjitha festat fetare, ca nga të cilat, siç kam mësuar më vonë, nuk kishin lidhje me islamin si, bie fjala, Shën Gjergji, Shën Kolli e ndonjë tjetër. Në betimet e pathyeshme të gjyshërve dhe të nënës time hynte edhe Për emër të Zotit. Nuk gatuhej kurrë mishi i derrit. Por kaq nuk i mjaftonte mendjes time prej fëmije të shprehej me siguri se prindërit e mi ishin besimtarë të verbër. Në të vërtetë kisha edhe një pengesë e pakapërcyeshme për ta pranuar një cilësim të tillë. Sipas fjalës së Partisë, besimtarët e verbër ishin njerëz injorantë. Ndërkohë që babai im ishte ndër burrat më të shkolluar të krahinës tonë. Për gjyshin nuk e dija sa shkollë kishte kryer, por e shihja me sytë e mi se ai pjesën më të madhe të ditës e kalonte duke lexuar. Gjyshja dhe nëna ishin më larg botës së dijes, por as ato nuk më dukeshin aspak injorante. Isha i vendosur të mos e poshtëroja familjen time sikur edhe në zjarr të ma fusnin kokën.
Mbetej vetëm një mundësi e dytë: të pranoja se të mëdhenjtë e familjes time ishin të lidhur me armikun e jashtëm. Na ishte thënë e përsëritur se feja