E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, debate në K. e Ekonomisë

 Projektbuxheti për vitin 2012 është përcjellë me debate mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ekonomisë paraditen e sotme.

Diskutimet rreth buxhetit të vitit të ardhshëm janë përqendruar në çështjen e borxhit publik. Sipas deputetes së opozitës, Mimi Kodheli, projektbuxheti 2012 nuk parashikon respektimin e objektivit për uljen e borxhit. Përgjigja e maxhorancës ka ardhur përmes deputetit demokrat Sherefedin Shehu, i cili ka deklaruar se nuk mund të planifikohej dot kriza në Eurozonë.

Çështja e rritjes së borxhit publik dhe pamundësisë për të përmbushur rekomandimin e FMN-së (ulja e borxhit publik në 55 % në vitin 2013) është ngritur disa herë nga deputetët e opozitës. Ndërsa një ditë më parë, Banka Botërore, në raportin për Europën Juglindore, theksonte se borxhi publik i Shqipërisë është më i larti në rajon.

Ndërkohë, po sot në Komisionin e Ekonomisë iu vu një çmim edhe kompleksit të ri parlamentar. Ai do të kushtojë 500 milionë lekë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›