E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e "Beatles"

Të gjithë së bashku me shpirt. Trashëgimtarët e "Beatles", trashëgimtarë në kuptimin artistik, por edhe në sensin biologjik, do të takohen në 2009-ën. Këtë vit do të debutojnë vetëm dy prej tyre: James McCartney, djali i Paul, që po shfrytëzon diskun për të cilin e ka ndihmuar i ati dhe Dhani Harrison, djali i George, që më 31 mars do të publikojë albumin "You are here" me grupin e tij "thenewno2". Gjithmonë këtë vit, Julian Lennon, djali i John Lennon, do të publikojë albumin e tij të gjashtë, "Everything Changes". Julian ka qenë shumë i famshëm gjatë viteve ‘80. Javën e shkuar, vëllai i tij, Sean, ka publikuar "Chimera Music", një album në të cilin ka marrë pjesë edhe e ëma, Joko Ono, me "Plastic Onon Band", kënga e parë ku ajo u shfaq pa John-in.

Listës së fëmijëve të "Beatles" i është shtuar edhe Zak Starkey, djali i bateristit Ringo, i cili gjatë muajve në vazhdim do të jetë i angazhuar në turneun botëror me grupin "Who".

"Jeta është mjaft e vështirë, por bëhet më shumë e tillë kur nuk të lejojnë të jesh vetvetja. Unë nuk jam John Lennon dhe nuk do të jem kurrë ai", ka shkruar Julian në një letër të hapur me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së të atit. Por përballja është e pashmangshme, ashtu siç është i vërtetë fakti që Julian ka qenë frymëzim për "Beatles": një vizatim i tij fëmijëror e frymëzoi të atit të shkruante këngën "Lucy in the sky with diamonds", ndërsa Paul shkroi "Hej Jude", për ta ngushëlluar kur John u nda nga Cynthia, duke e lënë 5-vjeçe.

Më të çliruara nga miti i "Beatles" janë vajzat e McCartney-t, por ndoshta është thjesht efekti optik i një arratisjeje: Heather është një artizane qeramike, Mary një fotografe e afirmuar, ndërsa Stela drejton me sukses firmën e saj të veshjeve në botën e modës. I bie kitarës vetëm James, 31 vjeç. Gjithashtu edhe Zak Starkey i bie baterisë. Hera e parë që ai ka luajtur në bateri ishte në moshën 10-vjeçare, por Ringo imagjinonte për të një karrierë si avokat ose doktor. I biri nuk e kënaqi, dhe sot në moshën 43-vjeçare ai është një prej bateristëve më të kërkuar dhe luan me grupet "Who" dhe "Oasis".

Fëmijët e Lennon, të dy kantautorë, nuk kanë dashur kurrë të ecin në hapat e babait të tyre: Sean ishte 5 vjeç kur në vitin 1980 John u vra në Dakota, Nju Jork, dhe sot ai thotë se në muzikë ka ecur gjithmonë mbi hapat e së ëmës, Joko Omo, ndërsa Julian sa herë që përmendet Lennon, thotë: "E doja shumë, por më ka zhgënjyer në shumë aspekte".

Dhani Harrison e ka frymëzimin artistik të shkruar që në emër, të cilin i ati ia "kopjoi" nga notat "dha" e "ni" të shkallës muzikore indiane. George, që e kishte marrë shumë herë të birin në studion e regjistrimit, dëshironte të dëgjonte albumin "Brainwashed", në të cilin Dhani mori pjesë dhe e përfundoi pas vdekjes së të atit, në 2001-shin. "Kam provuar shumë gjëra, vetëm që të mos bëhesha muzikant", ka shpjeguar ai pak kohë më vonë. "Përfundova fakultetin, punova si grafist, konkurrova në kanotazh, luftova me ç‘munda, por ja ku jam sot, 30 vjeç dhe finalja duket qartë: jam një muzikant. Mendoj se e kam në ADN".

Në fakt, aktiviteti i tij si muzikant ka nisur që herët. Dhani ka regjistruar disa këngë së bashku me supergrupin e të atit, "Traveling Wilburys", me Bob Dylan, Tom Petty dhe Roy Orbison. Më pas ishte viti 2002, kur Eric Clapton organizoi koncertin me Ringo Star, Ravi Shanker, Tom Petty dhe Billy Preston, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së të atit: "Olivia më tha se me Dhani-n në skenë duket sikur sheh George-n e ri, ndërkohë që ne të tjerët jemi të gjithë të plakur", thotë Paul McCartney, duke iu drejtuar platesë.

Dhani e shpjegon kështu zgjedhjen e tij për ta hedhur këtë këngë më parë në internet dhe për të qenë zëri i parë i "thenewno2": "Kam mësuar se kur një disku i bëhet shumë reklamë, nuk shitet shumë. Dëshiroja të isha një trup pa fytyrë, jo ‘Dhani Harrison and the Muppets‘. Nuk përdor kurrë emrin tim për t‘u dëgjuar nga të tjerët. Babai im më thoshte shpesh: ‘Bëhu muzikant, por mos u bëj i famshëm, sepse në të kundërt do të humbasësh lirinë tënde‘. Është përpjekur që gjatë gjithë jetës sime të më mbante larg njerëzve të famshëm, por tani e ndiej se jam gati të bëj atë çfarë dua".

Vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në një festival të Çikagos, ku i ati nuk e kishte lejuar kurrë të shkonte as si spektator: "Mendonte se kur të kthehesha nga ai vend, do të isha mbushur me tatuazhe dhe pirsing, ose do të isha i droguar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›