E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-Evropë, lufta ndryshe kundër krizës

Ndërsa kriza ekonomike po
merr gjithnjë e më për keq,
vendet e industrializuara janë
në mëdyshje për përzgjedhjen
e mënyrave për ta zgjidhur situatën.
Obama u ka kërkuar evropianëve
që të përdorin paketat stimuluese ekonomike,
por Merkel dhe vende të tjera
të Evropës, ngulmojnë që kjo nuk është
rruga më e mirë për të vepruar.
Aspekti më i rëndësishëm i një
takimi politik, shpesh është fotoja
përfundimtare. Palët shtrëngojnë duart
me njëra-tjetrën dhe u falin kamerave
buzëqeshjet standarde, duke tentuar
kështu t‘i përcjellin publikut idenë se
mes tyre ka mirëkuptim dhe gjithçka
është në rregull. I parë nga kjo perspektivë,
takimi i parë i Presidentit amerikan,
Barak Obama me Kancelaren gjermane,
Angela Merkel, verën e kaluar ishte një
katastrofë e moderuar. Para tërheqjes në
bisedimet kokë më kokë, dy politikanët
pozuan pranë derës së zyrës së Kancelares.
Obama preku shumë lehtësisht
krahun e Merkelit, ndërsa ajo në dukje
u shfaq e buzëqeshur. Më pas zonja i
shtriu dorën Obamës, ndërkohë që ky e
kishte vështrimin tjetërkund. E ndërsa
kandidati i atëhershëm për në Shtëpinë
e Bardhë e kuptoi se duhet të kryente
ritin e duartakimit, Merkel i kishte kthyer
shpinën e po bënte drejt zyrës së
saj. Siç e vuri re edhe një vëzhgues mes
tyre ndihej një lloj tendosjeje, ankthi.
Ai që nisi si një takim i ngurtë mes të
dyve ka marrë, tashmë një përmasë të
re. Kontradikta e radhës mes Presidentit
të ri dhe Kancelares gjermane mund të
ketë të bëjë me atë që konsiderohet si
çështja më e rëndësishme sot për sot
në politikën globale: Si duhet ta luftojë
komuniteti ndërkombëtar krizën më të
rëndë ekonomike që pas Luftës së Dytë
Botërore? Për Obamën, përgjigjja është e
qartë: Evropianët, veçanërisht gjermanët
duhet të bëjnë shumë më tepër për sa i
përket stimulimit të rritjes ekonomike,
përmes krijimit të paketave stimuluese
shumëmiliardëshe. Merkel, nga ana e
saj dhe jo vetëm ajo në Evropë, është
një nga kundërshtaret më të zjarrta të
kësaj ideje. Së fundi, ajo refuzoi kërkesën
për një paketë stimuli që iu propozua
gjatë takimit që pati me Kryeministrin
britanik, Braun në Londër. "Asgjë nuk
ka ndodhur në terren. Nëse vërtet duam
që të shohim ndonjë efekt nga paketa
të tilla duhet që së pari t‘i vëmë në zbatim".
Kancelarja gjermane po kërkon që
idetë e saj t‘i mbështesë edhe Bashkimi
Evropian. Në një konferencë të fundit
për shtyp, Presidenti francez, Sarkozi u
shpreh dakord me gjermanen, duke e
mbështetur në idenë se thelbësore për
zgjidhjet e krizës nuk është të shpenzosh
sa më shuam para, por futja në punë sa
më parë e një rregulloreje të re për sistemin
financiar. Në vijim të marrëdhënieve
të tensionuara gjermano-amerikane,
konflikti kërcënon që të shtrihet edhe
gjatë takimit të G-20-ës në Londër që do
të nisë më 2 prill. Deri më tani, çështja
që kryesonte axhendën e mundshme të
takimit ishte ajo e mbikëqyrjes së tregut
ndërkombëtar financiar, por siç bëhet e
ditur, amerikanët janë vetëm pjesërisht
të interesuar për një çështje të tillë, ndërkohë
që përqendrimi i tyre ka të bëjë me
ndërmarrjen e një iniciative globale për
të stimuluar kërkesën e tregut përmes
programeve të posaçme qeveritare.
Për të vendosur këtë çështje në krye
të axhendës, sipas gjermanëve, amerikanët
po bëjnë një presion të madh.
Për shumë ekonomistë, konflikti aktual
amerikano-evropian, ose më mirë amerikano-
gjerman sjell në skenë kujtime të
pakëndshme. Gjatë krizës ekonomike
botërore të viteve ‘30, vendet evropiane
dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
patën sërish një mosmarrëveshje të gjatë
dhe të ashpër në lidhje me krijimin dhe
zbatimin e një strategjie të përbashkët.
Pasojë e kësaj mosmarrëveshjeje ishte
fillimi i një lufte tregtare të përbotshme,
që përshpejtoi edhe më zhytjen e botës
në depresion. Në takimin tyre të parë
të madh për krizën në Uashington,
nëntorin e kaluar, vendet më të industrializuara
të botës e bënë të qartë që
një situatë e tillë, si ajo e dhjetëra viteve
më parë nuk duhej lejuar të përsëritej
në kushtet e krijuara. Por aktualisht
mosmarrëveshja mbi termat e zgjidhjes
së krizës mes Evropës kontinentale dhe
Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë
e më e madhe. Ndërkohë, kriza po rritet
nga muaji në muaj. Për herë të parë që
nga Lufta II Botërore, prodhimi i ekonomisë
botërore do të bjerë ndjeshëm këtë
vit, sipas parashikimit të FMN-së, që do
të publikohet në prill. Përfaqësuesit e
FMN-së kanë paraqitur një përmbledhje
të parashikimit në takimin e fundit të
ministrave të Financës së G20 të mbajtur
para disa ditësh dhe sipas tyre rritja
ekonomike botërore do të jetë e masës
0.5%. Tashmë një gjë është e qartë që
situata në të dyja anët e Atlantikut sa
vjen e po përkeqësohet. Ekspertët ekonomikë
raportojnë se eksportet, urdhrat
dhe prodhimi industrial në Gjermani
janë në rënie të lirë. Instituti Kiel për
Ekonominë Botërore parashikon që
ekonomia do të tkurret me 3.7% këtë vit,
ndërsa papunësia do të ritet në mënyrë
drastike. "Po zhytemi çdo ditë e më tepër
në thellësi të reja të krizës", bëri të ditur
Gustav Adolf Horn, kryetari i Institutit të
Politikave Makroekonomike me qendër
në Dysendorf.
Përmirësim vetëm pas vitit 2010
Ekspertë të ndryshëm nuk janë në
një mendje me parashikimet e qeverisë
gjermane dhe parashikojnë një tendencë
pozitive vetëm në fund të vitit
2010. Situata nuk është më e mirë në
Shtetet e Bashkuara, ku recesioni e ka
çuar papunësinë, muajt e fundit në kufijtë
e situatës katastrofike. Parashikimi
për këtë vit po errësohet nga muaji në
muaj, ndërsa korporatat e mëdha po
lajmërojnë vazhdimisht shkurtime të
vendeve të punës. Obama ndodhet nën
një presion të madh për arritjen e suksesit
në frontin e politikës ekonomike.
Duke pasur parasysh situatën aktuale
nuk është befasuese që këshilltarët e
tij po i përmendin një këshillë të vjetër
të mençurisë ekonomike: "Programi
më i mirë stimulues është ai për të
cilin paguan fqinji yt. Shefi amerikan i
thesarit, Timothy Geinther, një javë më
parë deklaroi gjatë një konference për
shtyp se "kriza globale ka nevojë për një
kundërpërgjigje globale". Me pak fjalë ai
kërkonte të thoshte se vendet evropiane,
në veçanti, duhet të hedhin më shumë
para, shumë më tepër nga sa kanë bërë
deri më tani, në ekonominë botërore.
"Ekonomia jonë ka nevojë për një rigjallërim
të rritjes globale", deklaroi Geinther.
Presidenti Obama nga ana e tij tha: "E të
njëjtës rëndësi me atë të masave drastike
që Amerika ka marrë deri më tani, është
edhe veprimi i vendeve të tjera, pra
lëvizja e tyre në të njëjtin drejtim, sepse
ekonomia botërore është një e vetme".
Javët e fundit Shtëpia e Bardhë ka
lëshuar vazhdimisht sinjale që lënë pak
për të dyshuar në lidhje me hapat që
do të ndërmarrë administrata e re. Lery
Sumers, shefi i këshilltarëve ekonomikë
të Presidentit Obama , në një intervistë
të dhënë javën e kaluar, që duket se ishte
e adresuar ndaj partnerëve evropianë, e
bëri të qartë se administrata e re e vendit
të tij do të fokusohet në zgjidhjen e
problemit të krizës në mënyrë globale:
"Objektivi ku duhet të fokusohet G20
është kërkesa globale dhe bota sot ka
nevojë më shumë se kurrë për një gjë
të tillë". Por amerikanët nuk mbetën
me kaq. Së bashku me zyrtarë të tjerë të
Departamentit të Thesarit, Sumers u ka
bërë presion homologëve evropianë që të
mbështesin propozimin amerikan. Sipas
amerikanëve, Gjermania mban një përgjegjësi
të madhe në çështjen e zgjidhjes
së krizës. Së pari, ekonomia gjermane me
tepricën e saj të madhe tregtare, është
mbështetur për vite të tëra tek "oreksi‘ i
madh i vendeve të tjera për të konsumuar
mallra gjermane. Së dyti, sipas amerikanëve,
financat e qeverisë gjermane
janë relativisht në rregull, ndaj Gjermania
mund t‘ia lejojë vetes nxjerrjen e shumë
parave për të stimuluar kërkesën e tregut.
Në fakt, diferencat mes Gjermanisë dhe
Shteteve të Bashkuara janë të shumta
duke filluar me krahasimin e deficiteve
buxhetore mes të dy vendeve çka sipas
Gjermanisë përbën edhe thelbin e
ndryshueshmërisë së masave që duhet
marrë për të dalë nga kriza.
Në takimin e përmuajshëm në Bruksel,
në fillim të javës që shkoi, ministrat
evropianë të Financave ranë në një
mendje që, për momentin, të mos e
mbështesin propozimin e amerikanëve.
Sipas ministrit gjerman të Financave,
përpjekjet e Evropës duhet të përqendroheshin
në masat që tashmë ishin
aprovuar. Reagimi në Shtetet e Bashkuara
ishte ai që pritej. Sipas një analisti
të njohur amerikan, Paul Krugman,
kundërpërgjigjja "ishte tipike gjermane".
"Ndonjëherë mendoj se Gjermania
ende nuk po e kupton shkallën e gjerë të
krizës", tha ai. Shtypi amerikan ka nisur
të bëjë gjithnjë e më shpesh pyetjen: "A
mos vallë ka marrë fund dashuria mes
Obamës dhe evropianëve?"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›