E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fëmijët e Murit”, historia berlineze në Shqipëri

 Ngritja e Murit të Berlinit është zhvendosur në një kontekst shqiptar. Regjisori nga Berlini, Stefan Neugebauer prezanton ditën e premte në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, një pjesë të historisë gjermane, përmes shfaqjes “Fëmijët e murit”. Një komunist i çmendur jeton në një kazan plehrash në vijën kufitare. Kontrolle kufitare, parulla komuniste, politikanë amerikanë, përpjekje për arratisje, marrje në pyetje, por gjithashtu edhe turistë në kufirin mes dy gjysmave gjermane. Duke marrë shkas nga ndërtimi i Murit të Berlinit më 13 gusht 1961 pjesa teatrore “Fëmijë të Murit” sjell një retrospektivë plot fantazi mbi të shkuarën komuniste të Gjermanisë. Spektatori përjeton ngritjen e murit në perspektivën e qytetarit të asaj kohe të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit regjisori Stefan Neugebauer ka shkruar këtë pjesë teatrale ekskluzivisht për shfaqen me të rinjtë shqiptarë, nxënës të seksionit dygjuhësh të gjimnazit “Sami Frashëri” e studentë të universitetit të Tiranës. Paralelet me historinë e Shqipërisë janë shumë te afërta dhe janë integruar qartas në pjesë në formën e referencave të shumta. Shfaqja ndërtohet në katër gjuhë, gjermanisht, shqip, anglisht dhe pak frëngjisht. Njohuritë e gjuhës gjermane nuk janë të domosdoshme për të kuptuar situatat, ndaj pjesa është e kuptueshme edhe për publikun vetëm shqipfolës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›