E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat!

Blendi Fevziu Të shtunën në ora 11.00! Ky është takimi që Presidenti i Republikës ka lënë për tryezën e pritshme dhe të diskutuar mes liderëve të PD dhe PS, në tentativën e disatë për të gjetur një zgjidhje për krizën politike të provokuar nga mosparaqitja në Parlament e partisë më të madhe opozitare.  Deri këtu duket se gjërat janë menduar me qetësi. Takimi është spostuar në fundjavë sepse Presidenca me siguri kërkon më shumë kohë për të përgatitur siç duhet një takim të tillë dhe e dyta, sepse Kryeministri pritet të jetë në Itali të enjte dhe të premte, për takimin e tij të radhës me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni. Ka shumë të panjohura për atë që tryeza pritet të sjellë, por disa korniza janë thuajse të njohura: e para, ky është shansi që palët të gjejnë një zgjidhje në prani të kreut më të lartë të shtetit që ka ndërmarrë misionin e tij më të rëndësishëm të këtyre dy viteve e gjysmë; e dyta, negocimi ka një afat kushtetues që është data 4 Mars dhe ai nuk mund të zgjasë përtej kësaj date. Në 4 mars mbasdite, tryeza e negociatave mbyllet nëse nuk prodhon gjë dhe e treta, palët nuk mund të vijnë me kërkesa imponuese, por as me mendimin që Kushtetuta dhe ligjet janë në dorë të njerëzve dhe ato mund të modifikohen si t’i volisë njërit apo tjetrit. Kushtetuta është me rëndësishme se sa bisedimet dhe marrëveshja arrihet vetëm mbi bazën e saj. Ajo që bie në sy nga njoftimi është se Presidenti ka modifikuar disi stilin e tij të negocimit, të anonçuar nga shtypi. Ai nuk ka filluar me takimet e tij me Ramën dhe Berishën veç e veç, për të gjetur një pikë përafrimi mes palëve, por ka preferuar, ose ka gjetur si zgjidhje, fillimin në një tryezë ku të ulen të dyja palët. Nuk ka ende shumë detaje se si do të bëhet kjo. Nëse palët do të paraqiten vetëm apo në delegacione partiake (siç do të ishte edhe më normalja); nuk dihet nëse do të ketë një tekst marrëveshje të parapërgatitur nga Presidenti  apo ajo do të lindë nga bisedimet, por nuk ka asnjë dyshim që Tryeza do të jetë thjesht për një marrëveshje në parim, një marrëveshje që do t’i hapë rrugë negocimit në nivel të dytë politik. Pra thënë ndryshe, Berisha dhe Rama do të dëshmojnë në prani të Presidentit vetëm vullnetin e tyre për të negociuar, ndërsa negocimi duhet dhe me gjasë do t’ju takojë grupeve politiko–teknike. Grupe që do të caktohen nga palët dhe që me siguri do të negociojnë në prani të emisarëve të Presidentit. Pra ky i kësaj fundjave, nuk do të jetë një negocim i ngjashëm me atë për Presidentin në verën e vitit 2007.  E dyta, nëse Presidenti nuk paraqet një tekst të tijin (dhe kjo është më e mundshmja) negociatat duhet të mbështeten mbi një rekomandim. Ky pa asnjë dyshim duhet të jetë Rezoluta e KE e aprovuar dy javë më parë. Të dyja palët e kanë përshëndetur atë dhe mbi këtë bazë dhe mbi besimin që palët i kanë dhënë asaj duhet ngritur dhe ky negocim. Palët duhet të paraqesin vizionin e tyre me shpresën se kjo mund të çojë në një lexim të ngjashëm të të dyja palëve.Së treti, negocimi duhet të jetë i rezervuar dhe jo mediatik. Vetëm një negocim i tillë mund të sigurojë një lloj suksesi dhe mund t’i lerë palët të marrin vendime të pa shqetësuar nga trysnia e faktorëve të tjerë. Nuk dihet se çfarë do të prodhojë kjo tryezë, por një gjë është e sigurt, tryeza duhet të respektojë deri në fund Kushtetutën, siç edhe Presidenti ka deklaruar, për të mos krijuar precedentin që krizat e imponuara zgjidhen duke ndryshuar Ligjin Themeltar të Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›