Varret masive të Komunizmit, shumica në rrëzë të Dajtit
Për të mbërritur te zbulimi i freskët i 19 skeleteve humane në rrëzë të malit Dajt, pranë një reparti ushtarak, historia ka qenë e gjatë. Sepse kërkimet në të njëjtën zonë, kanë nisur që nga viti i largët 1991, kohë kur Shqipëria liroi të burgosurit politikë dhe dha shenjat e para të ndryshimit të sistemit. Pikërisht në këtë kohë në drejtim të rrëzës së malit Dajt, apo zonës së Linzës, janë parë të ngjiten kërkuesit e parë. Të ngjashëm me kërkuesit e thesareve, të armatosur me kazma e lopata, me udhërrëfyes, duke u zhvendosur njëshkolonë, ata i janë ngjitur kësaj zone e kanë nisur të gërmojnë tokën në vende të caktuara me qëllim që të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Sepse të dhënat, por edhe dëshmitarët, përsërisnin të njëjtën adresë: “Pranë, rreth 100 apo 150 metër sipër Batalionit të Sigurimit”. Për fat të keq shumica kanë gërmuar kuturu, pasi për vendvendosjen e varreve nuk ka pasur harta, apo më saktë harta ka pasur, por ato mendohet se janë djegur në vitet 1990-1991 nga Sigurimi i Shtetit, që duke fshehur këto varre mbase llogariste të mbulonte sa të mundte një pjesë të krimeve që i adresoheshin. Që harta ka pasur, këtë e vërteton fakti se ligjet e kohës së komunizmit parashikonin zhvendosjen e eshtrave për një pjesë të të pushkatuarve. Pra eshtrat mund të nxirreshin e t’u jepeshin familjarëve për ti rivarrosur në varreza publike pas një periudhe të caktuar kohe, qoftë sepse të vrarët ndërkohë mund të ishin rehabilituar politikisht. Gjithsesi duke gërmuar pa pasur koordinata të sakta, kërkuesit në shumë raste kanë hasur në eshtra njerëzish. Njerëzish me një vrimë të vetme në kafkën e kokës, diku në rrëzë të veshit. Një pjesë e kërkuesve vërtet kanë qenë fatlumë, pasi kanë arritur të gjejnë atë që kërkojnë dhe të binden se nuk kanë gabuar. Por të tjerë, apo më saktë kërkues të dërguar nga të interesuar, në ndonjë rast kanë gjetur dhe dërguar te porositësit edhe eshtra të gabuara. Më fatlumë kanë qenë familjarët e të vrarëve nga regjimi komunist në vitet e fundit të ekzistencës së tij, si për shembull të afërmit e muzikantit Gaspër çurçia, apo inxhinierit Shkëlzen Doçi, të pushkatuar pas hetimit të dosjes së falsifikimit të biletave të trenit dhe të pushkatuar më 9 prill 1985, vetëm 24 orë para se diktatori Enver Hoxha të jepte shpirt. Në bazë të dëshmive të pjesëmarrësve në pushkatim, të afërmit i gjetën kufomat lehtësisht të identifikueshme në vendin e pretenduar, pasi koha e pakët nën dhe’ kishte ruajtur të padëmtuara një numër të madh shenjash që kishin shërbyer për njohje. Si bëheshin ekzekutimetEkzekutimet në zonën pranë ish-Batalionit të Sigurimit janë kryer në periudhën 1970-1989 duke përfshirë të dënuar politikë dhe ordinerë. Ekzekutorët, apo organizatorët, janë kujdesur vetëm që varret e grupeve të ndryshme të mos jenë të përbashkët. Kjo me qëllim që vendndodhja të ishte e identifikueshme. Karvani i makinave ku mbaheshin të dënuarit me vdekje futej në territorin e këtij reparti diku afër mesnatës. Që të vihej deri në këtë moment, duhej kaluar nëpër disa etapa. Së pari duhej që Gjykata e Lartë të linte në fuqi dënimet me vdekje të gjykatave të tjera, sidomos asaj ushtarake. Më tej të dënuarit kishin të drejtën e ankimimit në Kryesinë e Kuvendit Popullor. Pasi ligji e parashikonte që Kryetari i Presidiumit të falte dënimin me vdekje, nëse e shihte të arsyeshme. Gjithsesi kjo nuk ndodhte shpesh. Pas mos ndryshimit të dënimit me vdekje, dilte urdhri i Ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e personave. Në urdhër caktohej dhe koha dhe vendi. Një skortë e policisë merrte të dënuarit në burgun ku gjendeshin ndërkohë që ndërtohej edhe grupi i ekzekutimit. Ai përbëhej nga komandanti dhe policët e skuadrës së pushkatimit, një prokuror, detyra e të cilit ishte njohja e të dënuarve me vendimin për pushkatim, përmbushja e dëshirës së fundit të tyre dhe kontrolli nëse ata kishin dhënë shpirt pasi të qëlloheshin. I pranishëm në ekzekutim ishte gjithashtu edhe hetuesi i çështjes, i cili duhet të bindej për vdekjen e të hetuarve dhe ta pasqyronte atë përfund dokumenteve të tij, një mjek, që vërtetonte vdekjen dhe i fundit në radhë edhe një sekretar, që përpilonte një procesverbal, ku përfshinte edhe fjalët e fundit të të dënuarve. Pra, pasi prokurori lexonte vendimin e dënimit dhe të dënuarit thoshin fjalën e fundit, apo kërkesën e fundit, policët e togës së pushkatimit u afroheshin nga pas dhe i qëllonin me një plumb të vetëm pistolete në rrëzë të veshit. Pasi kufomat rrokulliseshin në gropën e përbashkët, mjeku vërtetonte vdekjen para se dheu ti mbulonte.Kufomat e pazbuluara Sipas të dhënave të ndryshme nga prokurorë e hetues të kohës së komunizmit, në zonën e Linzës janë ekzekutuar dhe varrosur në periudhën 1970-1989 edhe të dënuar ordinerë, edhe politikë. Historia e gjatë e komunizmit agresiv shqiptar ka nisur e përfunduar me shumë gjak të derdhur, por gjithsesi me kalimin e viteve vrasjet nisën të dokumentoheshin dhe të mos kishin më pamjen e masakrës masive në bodrumet e hotel “Bristol” në Tiranën ende të paçliruar nga gjermanët. Thjesht me kalimin e viteve çdo rreth i vendit nisi të kishte varrezën e vet për të pushkatuarit. Pra Tirana të vetën, që e kishte në rrëzë të Dajtit, Shkodra të sajën, Vlora të sajën, Durrësi... e kështu me radhë. Pas ndryshimit të sistemeve, për fat të keq, nuk pati kërkime të organizuara nga shteti për eshtrat e të vrarëve të të gjitha kategorive. Në vitet e para pas 1990 kishte një oficer në Ministrinë e Brendshme që merrej më shumë me krijimin e kushteve që familjarë të viktimave të merrnin leje për gërmime. Por këtu niste dhe mbaronte. Prandaj edhe sot, pas gati 20 vitesh që nga ndryshimi i sistemeve, apo më saktë nga përmbysja e madhe, ka histori të ngjashme me gjetjen sapo të 19 skeleteve të panjohura, të vrarë me një plumb të vetëm në kokë. Më keq akoma, statistikat thonë se toka ende ruan në brendësi të vet shumicën e eshtrave të të pushkatuarve të kohës së diktaturës. Më kurioze janë fatet e eshtrave të të pushkatuarve që vinin nga maja e nomenklaturës komuniste. Sepse vetëm pak prej tyre janë gjetur. Janë gjetur eshtrat e ish-ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku dhe kolegëve të tij Hito çako e Teme Sejko, të varrosura në fshatin Vranisht të Vlorës me interesimin e Kadri Hazbiut, por varret e shumicës së të tjerëve të pushkatuar janë ende enigmë. Avokati i Popullit administron shumë kërkesa të familjarëve të ndryshëm që kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre të pushkatuar qoftë për akuza politike, qoftë për akuza ordinere. Kuptohet një iniciativë e qeverisë për kërkim të organizuar e specializuar duhet të jenë një hap shumë pozitiv. Hetuesi Bengasi: Xhevdet Mustafën e varrosëm në LinzëNjë nga kufomat e kohës së komunizmit e varrosur në Linzë, në të njëjtin vend ku u gjetën 19 skeletet, është edhe ajo e të famshmit Xhevdet Mustafa, njeriut që në shtator 1982 zbarkoi në Shqipëri me qëllim që të vriste Enver Hoxhën. Sipas Dilaver Bengasit, një prej hetuesve të ngjarjes, kufoma e Xhevdet Mustafës dhe e të vrarit tjetër, Sabaudin Haznedari, u varrosën pikërisht në Linzë, në të njëjtin vend ku para pak kohës u gjetën skeletet e paidentifikuara. Madje, sipas Bengasit, Mustafa kishte një vrimë të dallueshme në kokë, me gjasa e shkaktuar nga vetëvrasja. Ja disa pjesë nga rrëfimi i Bengasit: “Një ditë më pas (më 27 shtator 1982), kur ekspertët përfunduan me punën e tyre, u bë edhe varrimi i kufomave të Xhevdet Mustafës dhe Sabaudin Haznedarit. Kufoma e Xhevdet Mustafës kishte një plagë të madhe në tëmthin e majtë (Xhevdeti ishte mëngjarash). Qitja në këtë vend ishte realizuar me puqitje, sepse në lëkurë kishte gjurma të dukshme baroti dhe kjo të nxirrte në përfundimin se Xhevdet Mustafa ishte vetëvrarë. Kufomat u futën natën në një varr të përbashkët, në Dajt. Jo pas malit të Dajtit, por përpara, mbase në afërsi të Linzës. Me këtë detyrë merrej një skuadër e policisë, ndërsa unë asistova vetëm për një çast në varrimin e kufomave. Isha hetuesi i çështjes dhe ishte detyra ime të shihja nëse u varrosën apo jo dhe këtë ta shënoja në një procesverbal. Kështu që duke u nisur nga koha e pakët e qëndrimit në vendin e varrimit, por edhe nga fakti se unë nuk e njoh mirë terrenin e kësaj zone, nuk jam në gjendje të vë gishtin se ku gjenden eshtrat. Me mua kanë kontaktuar edhe të afërm të Xhevdet Mustafës dhe më ka ardhur keq që nuk i ka ndihmuar dot më tepër. Me sa di unë ato ende nuk janë gjetur dhe mirë është që edhe ata të kenë një varr si gjithë të tjerët”, rrëfen ish-hetuesi i çështjes.Eshtrat në Dajt, Prokuroria nis hetiminProkuroria e Tiranës ka nisur gjatë ditës së djeshme hetimin kryesisht pas verifikimit të lajmit të bërë publik për gjetjen në afërsi të Linzës të 19 skeleteve të dyshuara si të të dënuarve me pushkatim të kohës së komunizmit. Dy prokurorë nga Prokuroria e Tiranës kanë nisur dje verifikimet në vendin e ngjarjes në Dajt ku janë gjetur eshtrat e rreth 19 personave që dyshohet se janë ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Prokuroria e Tiranës, përmes një zyrtari të autorizuar, pohoi hetimin si dhe faktin se dy prokurorët kanë shkuar dje gjatë ditës në zonën e Qerretit, Komuna Dajt, duke verifikuar vendin ku janë gjetur eshtrat. Sipas të njëjtit burim, prokurorët kanë bërë një këqyrje fillestare të eshtrave, të pozicionit në të cilin ato janë gjetur, thellësisë në tokë si dhe kanë bërë fotografime të vendit të ngjarjes. Bashkë me oficerë të policisë, prokurorët kanë marrë në pyetje familjarët që pretendojnë se të afërmit e tyre janë groposur në Dajt pas ekzekutimeve nga regjimi komunist. Prokuroria tha se është ende në fazën e verifikimit të elementëve të veprës penale për këtë rast ndërsa ende nuk ka hapur zyrtarisht hetimin. Familjarët që pretendojnë se eshtrat e gjetura i përkasin njerëzve të tyre, janë marrë në pyetje dje lidhur me kohën e largimit nga banesa të personave, si dhe një sërë detajesh të tjera mbi proceset gjyqësore, vendimet që janë dhënë nga regjimi i atëhershëm si dhe veprimet e kryera derisa është arritur tek gërmimet në Dajt. Sipas këtij pyetësori paraprak, është arritur në konkluzionin se të dënuarit janë ekzekutuar pas vendimeve me vdekje për akuza ordinere. PoliciaEdhe policia e Tiranës nga ana e saj deklaroi dje se është interesuar për ngjarjen e pazakontë. Madje policia, me anë të një komunikate për shtyp, pohoi se në këqyrjen e vendit ku janë gjetur eshtrat, përveç skeleteve të gjetura nga familjarët, u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se “janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit, pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit Komunist, që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar”. Grupi hetimor në fazën e verifikimeve paraprake është duke bërë ekzaminimet kriminalistike, mjekoligjore dhe antropologjike, për identifikimin e eshtrave. Po sipas komunikatës së policisë, nga dëshmitë e dhëna dje prej familjarëve të pretenduar të viktimave, bëhet fjalë për skeletet e 19 –të personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e regjimit komunist. Avokati i PopullitSkënder Haluci, komisionar i Avokatit të Popullit, gjatë një kontakti me gazetën, pohoi se prej gati dy vitesh institucioni ku punon është duke u marrë me një numër çështjesh të ngjashme. Sipas Halucit, një numër familjarësh kanë trokitur në derën e Avokatit të Popullit për të kërkuar asistencë dhe ndihmë për gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre të pushkatuar në kohën e diktaturës. “Ne kemi bërë veprime për të mundësuar gjetjen e këtyre eshtrave pas kërkesës zyrtare të shoqatës së të burgosurve dhe persekutuarëve politike dhe një numri familjarësh të viktimave. Menjëherë pas publikimit të lajmit, shkuam për të parë zonën dhe nesër (sot) do ti bëjmë një kërkesë zyrtare mjekësisë ligjore për të nisur ekspertimin i tyre”, pohoi për gazetën komisionari Haluci. Ndërkohë në 19 thasët që përmbajnë skeletet e 19 të dyshuarve si të ekzekutuar të regjimit komunist kanë mbërritur në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku gjatë ditëve në vazhdim pritet të dalin rezultatet e eksperimenteve shkencore për identifikimin. “Kufomat mund të jenë grupi i deputetëve ose të ambasadave”Berisha: Task-Force për gjetjen e trupave të të vrarëve nga regjimiKryeministri Sali Berisha propozoi dje ngritjen e një task force për gjetjen e trupave të vrarë dhe të zhdukur gjatë regjimit komunist. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë komentoi gjetjen e trupave të 19 të ekzekutuarve, të cilët sipas kreut të ekzekutivit mund të jenë nga grupi i deputetëve ose të hyrjes në ambasada. “Nuk dihet koha. Nuk dihet në se janë këta të grupit të deputetëve, apo janë të ekzekutuar pa gjyq, apo ndoshta janë të vitit’ 90 dhe të ngjarjeve të ambasadave. Këtë do ta thonë rezultatet e analizave. Për sa i përket vitit ’90 unë nuk kam dijeni, por në atë kohë siç e dini gazeta gojore fliste se janë rreth 50 të ekzekutuar në malin me gropa”, tha Kryeministri. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit u kërkoi deputetëve që të votojnë në Kuvend ligjin për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare. “Edhe ky institut me punën e tij, me studimet e tij, me të vërtetat që do t’u paraqesë shqiptarëve, mund të japë një kontribut në ndarjen e shoqërisë shqiptare nga periudha më e zezë, më mizore, më barbare e historisë së saj, që ishte diktatura hoxhiste. Por ngritja e një institucioni apo e një task force, e cila të mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor për besimin tek Zoti, besimin tek vendi, besimin tek vlerat, është e domosdoshme”, u shpreh më tej Berisha. Kryeministri u kërkoi të gjithë qytetarëve që kanë informacion për personat e zhdukur para viteve 90 që të kontaktojnë me autoritetet, teksa bëri të ditur se për të gjithë ata do të ketë shpërblim. “U detyrova të ndalem këtu sepse varreza e përbashkët e Dajtit është një apel për ndërgjegjen qytetare, të shqiptarëve që sot janë të lirë. Qeveria do të vendosë shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë dhe që kanë dijeni. Personi që e gjeti këtë varrezë do të shpërblehet. Ne kemi një detyrim të madh që të mos të lemë në harresë të gjithë ata që u martirizuan për lirinë dhe vlerat e saj”, shtoi më tej kreu i qeverisë.