Fëmijët lypës, SOS, vetëm gjysma është ndihmuar
Vetëm gjysma e fëmijëve lypës është arritur të ndihmohet, duke i orientuar drejt shërbimeve sociale. Në veprimtarinë 3-mujore të njësisë lëvizëse SOS, njësi pranë Bashkisë së Tiranës, e cila mbështet fëmijët në situatë rruge dhe persona në vështirësi, ka dhënë ndihmë të pjesshme. Kështu, nga shumë funksione të marra përsipër, si trajtimi i problemeve me shëndetin, të dhunës në familje, marrëdhënie familjare në krizë dhe strehimi, ka mundur të zgjidhë vetëm të parën. Dhe, siç raportohet nga ditari javor i këtij dikasteri, mësohet se kjo ndihmë u është dhënë vetëm 42 fëmijëve nga 70 të evidentuar në rrugë. “Prej specialistëve të kësaj njësie janë evidentuar 11 zona të nxehta, në të cilat ushtrojnë “veprimtarinë” e tyre të lypësit një numër i madh të miturish”, - thuhet në ditar, duke etiketuar këtë si qëndresë të prindërve të këtyre fëmijëve për të mos braktisur rrugën.
Fëmijët, të cilët u përkasin familjeve në vështirësi të theksuara ekonomike e që për këtë shkak janë të detyruar të jetojnë e punojnë në rrugë, kanë nevojë për ndihmën dhe kontributin e të gjithëve. Sipas të dhënave, numri i këtyre fëmijëve është shtuar ndjeshëm kohët e fundit, por edhe sepse problematikat që ata paraqesin janë nga më të larmishmet dhe më të vështirat për t’u zgjidhur.