Vëzhguesit: Procesi i rregullt, shkelësit të ndëshkohen

Eurodeputetet u kerkuan institucioneve pergjegjese te ndermarrin masat e nevojshme ligjore per te zgjidhur problemet qe flasin per mashtrime ne dy komuna
Disa misione ndërkombëtare që po monitorojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, e kanë cilësuar përgjithësisht të rregullt procesin e së dielës, mirëpo kanë shprehur shqetësimin e tyre për një varg parregullsish në komunën e Skënderajt dhe atë të Drenasit. Ato kanë kërkuar që autorët e manipulimeve, në rast se vërtetohen, të ndiqen penalisht. Delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian që po mbikëqyr ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka vlerësuar se procesi në përgjithësi ishte organizuar mirë dhe se pjesëmarrja në votime, siç thuhej, inkurajon zhvillimin e demokracisë në vend.
Megjithatë, “akuza serioze për manipulime” në komunën e Skënderajt dhe të Drenasit thuhet se i janë bërë të ditura këtij delegacioni. Eurodeputetët u kërkuan institucioneve përgjegjëse t’i ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për t’i zgjidhur problemet që flasin për mashtrime në këto dy komuna.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, theksoi domosdoshmërinë që kryesit e parregullsive të vihen para ligjit. “Kryesit e identifikuar të veprave duhet të ndiqen penalisht menjëherë, në përputhje me ligjin, për të zvogëluar kulturën e mosndëshkimit”, - u shpreh ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe partive politike që t’i respektojnë institucionet dhe të kenë besim në to.
Mekanizmi përgjegjës, i cili merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike, është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Eurodeputetja Ulrike Lunacek tha se partitë politike duhet t’i drejtohen këtij paneli lidhur me pakënaqësitë për ecurinë e procesit zgjedhor në dy komunat në fjalë.
“Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht, ato duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ato nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”, - u shpreh Lunacek.
Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime, në Skënderaj kanë votuar 93.68% e qytetarëve, ndërsa në komunën e Drenasit kutive të votimit u janë drejtuar 86.94%.
Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO), në kuadër të vlerësimeve paraprake për zgjedhjet, që u publikuan gjatë ditës, nuk përjashtoi mundësinë që të dhënat për pjesëmarrjen në votime në këto dy komuna, të jenë “posaçërisht të diskutueshme”.
“Gjatë ditës së votimit ka pasur disa pretendime për manipulim dhe frikësim në disa zona. Në veçanti, procesi është sfiduar nga disa vëzhgues në Skenderaj dhe Gllogovc, ku jehona paraprake e votimit ka shkaktuar brengosje”, - thuhet në një komunikatë për media të ENEMO-s.
Pavarësisht informatave që flasin për parregullsi në komunën e Skenderajt dhe të Drenasit, deputetët e Parlamentit Evropian vlerësuan se ecuria e zgjedhjeve në këto dy komuna nuk mund ta ndikojë përfundimin përgjithësisht pozitiv të procesit.
Kohë më parë, diplomatët evropianë patën theksuar se qeveria e Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e bisedimeve me Beogradin zyrtar.
Pak tha se tani është krijuar një moment, i cili inkurajon faktorët relevantë që t’i shfrytëzojnë mundësitë për t’i kontribuuar stabilitetit të mëtejmë rajonal.
“Andaj, delegacioni shpreson në krijimin e shpejtë të kuvendit, qeverisë, sikurse edhe në zgjedhjen e presidentit”, - tha Pack.
Delegacioni i PE-së është udhëhequr nga Doris Pack, përfshirë Eduard Kukan, Jutta Steinruck, Francesco de Angelis, Jelko Kacin, Fiona Hall dhe Ulrike Lunacek. Kjo e fundit është gjithashtu raportuesja e PE-së për Kosovën.
Ambasada amerikane: Proces efikas
Radio “Evropa e Lirë”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përgëzon popullin e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë.
Në komunikatën e lëshuar nga kjo ambasadë thuhet se “zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ne ishim të ngazëlluar që pamë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit”.
"Kosova tani ka përpara saj një test, gjersa numërohen votat. Institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë opinionit publik se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e së drejtës për të votuar, - thuhet në komunikatë. - Vëzhguesit amerikanë ishin të pranishëm nëpër qendra të votimit kudo nëpër Kosovë më 12 dhjetor dhe ata vëzhguan një proces, që me disa përjashtime serioze, ishte kryesisht efikas”. Ambasadori Dell vëzhgoi zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi, në komunat e Gllogocit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt.
"Ambasadori po ashtu vëzhgoi numërimin e votave në shkollën e mesme “Hamëz Jashari” në Skënderaj (vendvotimi 2101x/02R). Aty pati parregullsi gjatë numërimit, të cilin ambasadori e vëzhgoi, e kundërshtoi dhe e raportoi", - vijon komunikata.
"Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve. Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skënderaj dhe në Gllogoc. Ne nxisim të gjithë vëzhguesit që kanë qenë dëshmitarë të parregullsive më 12 dhjetor t'i shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë, që mbrojnë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë dhe integritetin e demokracisë së Kosovës. Ekzistojnë procedura dhe afate kohore të qarta, të cekura në Ligjin për zgjedhje në Kosovë, që sigurojnë rishikim transparent të rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve", - thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve.
Vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm dhe opinioni publik do të kthehet kah vëzhguesit që ishin të pranishëm më 12 dhjetor, për të dhënë mendimet e tyre të sinqerta te Komisioni Qendror Zgjedhor dhe te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
"Ne besojmë që këto institucione do t'i ndërmarrin veprimet e duhura për të siguruar që zgjedhjet e Kosovës do të mbrojnë qëllimin e votuesve", - përfundon komunikata e lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.