Shkatërrohen grabitësit e bankave, detajet e vjedhjeve

Nga hetimi ka rezultuar se pese personat, kater prej te cileve u arrestuan e nje u shpall ne kerkim, jane autore te dyshuar te vjedhjes me arme te filialit te Bankes Kombetare Tregtare
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 5 persona si të dyshuar për grabitjen e 5 bankave, në kohë e vende të ndryshme të Tiranës. Ndalimi i tyre ka ardhur pas 9 muaj hetimesh, kohë në të cilën është krijuar edhe operacioni i koduar “Ombrella”. Me përfundimin e këtij operacioni u arrestuan katër persona, ndërkohë që është shpallur në kërkim një i pestë, i cili dyshohet të jetë pjesëmarrës në vjedhjet me armë.
Policia e kryeqytetit i vuri prangat Fatjon Deliut, 24 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për vjedhje, i cili dyshohet edhe si kreu i bandës. Ndërkohë, është bërë edhe ndalimi i Markeljano Nuro, 20 vjeç; Gerald Gordi, 20 vjeç; Ervis Domi, 22 vjeç; të tre të padënuar më parë të akuzuar si pjesëtarë të grupit. Gjithashtu, i dyshuar si bashkautor i të sipërpërmendurve është shpallur në kërkim Admir Zyko.
“Ombrella”
Pas vjedhjes me armë të filialit të njërës nga bankat më të mëdha në vend, ku u vodhën rreth 5 milionë lekë, policia ka filluar menjëherë hetimet për të kapur autorët. Hetimi i kryer nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në policinë e kryeqytetit u krijua edhe një operacion i koduar “Ombrella”, gjatë të cilit ka pasur një përdorim të gjerë të metodave speciale të hetimit. Nga hetimi ka rezultuar se pesë personat, ndaj të cilëve policia e Tiranës ka nxjerrë urdhër-arrestet, janë autorë të vjedhjes me armë të filialit të Bankës Kombëtare Tregtare. Kjo ngjarje ka ndodhur në këtë bankë në filialin në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, më datë 17 shkurt 2010. Ata kanë vepruar me shpejtësi, ndërsa kanë përfituar edhe nga mungesa e personelit të sigurisë. Ka qenë ora 8:40, pak pasi personeli i bankës ka filluar punën. Dy persona të maskuar dhe të armatosur janë futur brenda filialit të bankës, ku u kanë drejtuar pistoletat punonjëseve të filialit, duke u kërkuar të gjitha paratë që ndodheshin. Pasi u është plotësuar kërkesa, me shpejtësi ata kanë dalë nga godina, ku janë ndihmuar gjatë largimit të tyre nga disa persona të tjerë. Për të bërë neutralizimin sa më parë të këtyre grabitësve policia e Tiranës ka ofruar një shpërblimin prej 10 milionë lekësh të vjetra, duke garantuar ruajtjen e anonimatin për të gjithë personat që japin informacion për arrestimin e autorëve të grabitjes.
Pas ndalimit të tyre, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete të përdorura nga autorët në këto vjedhje me armë; fatura bankare të depozitimit të parave; veshje të përdorura gjatë ngjarjes; aparate celularë etj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, kanë marrë masa të posaçme për rritjen e masave të sigurisë në bankat e nivelit të dytë për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të aktivitetit të bankar.
Dyshohen
Mbi këta pesë persona nuk rëndon vetëm akuza e vjedhjes së bankës në rrugën “Myslym Shyri”, por ata janë të dyshuar edhe për katër vjedhje të tjera bankash në Tiranë. Sipas policisë, po zhvillohen hetime intensive për përfshirjen e tyre në bashkëpunim edhe me persona të tjerë në vjedhjet e bankave të tjera. Katër grabitjet e bankave të tjera të dyshuara se janë grabitur nga kjo bandë e përbërë nga Fatjon Deliu, Markeljano Nuro, Gerald Gordi, Ervis Domi dhe Admir Zyko, janë: Grabitja e filialit NBG, ndodhur më datë 1 gusht 2008 në autostradën Tiranë – Durrës; grabitja e filialit të Raiffaisen Bank, ndodhur më 26 dhjetor 2008, në rrugën “Vangjel Noti” në Laprakë; grabitja e Tirana Bank, e ndodhur më datë 6 maj 2010, në rrugën dytësore në krah të autostradës Tiranë – Durrës; grabitja e filialit të NBG Bank, ndodhur më 2 korrik 2010, në rrugën dytësore të autostradës Tiranë – Durrës.
Grabitjet
Gusht 2008
Grabitka e NBG, ndodhur në kilometrin e 8-të në autostradën Tiranë – Durrës. Grabitja me armë, e cila ka ndodhur në mes të ditës në autostradë, ka ndodhur rreth orës 12:05, kur tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar dhe marrë të gjitha paratë që ndodheshin në kasa. Në momentin kur ndodhi grabitja, në filial kanë qenë vetëm punonjësit e bankës. Ndërkohë që grabitësit merrnin paratë dhe nuk hasën në rezistencën e punonjësve të bankës, këta të fundit shtypën butonin dhe lajmëruan policinë.
Dhjetor 2008
Një filial i bankës “Raiffeisen është grabitur më 26 dhjetor të 2008-s, nga dy persona të armatosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, ndërsa autorët kanë arritur të largohen dhe janë shpallur në kërkim nga policia. Sipas njoftimit të dhënë atë kohë nga policia, ata janë futur me shpejtësi në filialin që ndodhej në lagjen Laprakë dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin një shumë prej 150 mijë lekësh të reja. Pasi kanë marrë shumën e të hollave, të dy personat e armatosur janë larguar me shpejtësi. Menjëherë janë njoftuar forcat e policisë, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë marrë dëshmitë e para nga dëshmitarët okularë dhe është ngritur një grup pune për identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve.
Maj 2010
90 sekonda u janë dashur dy grabitësve për të vjedhur një bankë. Duket e realizuar grabitjen si në një skenar të një filmi hollivudian, por ngjarja në fjalë ka ndodhur në mes të ditës në një bankë në autostradën Tiranë – Durrës. Dy persona, ku njëri prej tyre i armatosur, kanë hyrë në ambientet e bankës dhe kanë arritur të grabisin që andej një shumë prej 350 mijë lekësh të reja, duke u larguar me shpejtësi me ndihmën e një makine. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në rrugën dytësore të autostradës Tiranë – Durrës. Falë ndërhyrjes së punonjësve të Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike kanë mundur të marrin në këtë bankë vetëm një sasi të vogël parash, prej rreth 350.000 lekësh të reja.
Korrik 2010
Një person i armatosur ka grabitur pasditen e 2 korrikut një filial të një banke në autostradën Tiranë – Durrës. Nën kërcënimin e armës, grabitësi ka arritur të marrë 500 mijë lekë të vjetra. Menjëherë pasi ka marrë shumë e konsiderueshme të parave, është larguar në drejtim të paditur, ndërsa forcat e policisë së Tiranës kanë shkuar në vendngjarje. Gjatë grabitjes ai kishte vendosur një kapelë në kokë, gjë që e ka vështirësuar identifikimin e tij nga ana e punonjëses dhe policisë.