E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët na mësojnë të jetojmë

Regjisori rikthehet me një film të ri, i cili pritet të ndezë shumë debate. Filmi flet për historinë e dashurisë mes babait dhe vajzës. Clint shpreson që të pritet mirë dhe ndërkaq tregon sesi familjarët e tij janë një burim i pashtershëm frymëzimi dhe mbështetjeje.

Tani që iu rikthye sërish kamerës, të gjithë do të pyesin se përse Clint Eastwood, në moshën 81-vjeçare, vendosi të merrte rolin e një personazhi, i cili do t’i shokojë të gjithë: një baba që përjeton një histori dashurie me të bijën. “Po, filmi im i ardhshëm do të jetë një histori dashurie mes një babai dhe një vajze.

Për hir të Zotit shpresoj të pritet mirë nga publiku e të mos ketë reagime të forta. Thjesht kaq kërkoj, edhe pse është një histori e pazakontë. Megjithatë është një temë e fortë, që e ndiej shumë”. Njeriu që ka jetuar të paktën “tri epoka” – kauboj i filmave uestern të Sergio Leone-s, inspektori Callaghan, si dhe regjisori i paparashikueshëm i kryeveprave të nderuara me çmime “Oskar”, këto ditë po përgatitet të “jetojë” epokën e tij të katërt përmes një “reality show”. Edhe këtë herë tema është familja. “Meqë ra fjala te familja, unë jam shumë krenar për timen. Është burim i vazhdueshëm frymëzimi dhe argëtimi”, ka thënë ai.

Për çdo familje frymëzimi është dhe duhet të jetë i pashtershëm. Shtatë fëmijët që i ka me pesë gra të ndryshme i qëndrojnë pranë dhe i tregojnë se mund të mbështetet tek ata. Fama e “feministit” që Hollivudi e pagëzoi gjatë viteve të rinisë, nuk ka fund. Clint thotë se shumë gjëra i ka mësuar pikërisht nga fëmijët e tij.

“Çdo ditë mund të mësosh gjëra të reja nga të gjithë, madje edhe nga fëmijët. Unë për shembull, nga Kyle, kam mësuar të eci para, të mos ndalem gjatë vështirësive, të mos dorëzohem”, tregon Eastwood.

E ndërsa flet, i hedh një vështrim të shpejtë pianos së vjetër që ka në shtëpi. “Më pëlqen, por nuk i bie shpesh. Nuk jam aq i zoti sa Kyle. Ulem shpesh pranë saj dhe i bie ndonjë melodie që më pëlqen për filmat e mi. Pastaj më afrohet papritur ndonjë shok, që merr më shumë vesh se unë nga pianoja dhe si me magji me një kompjuter fillon të kompozojë melodi të bukura. Më shumë më pëlqen muzika xhaz dhe kauntri, megjithatë nuk i ndaj gjërat me thikë, varet sipas rastit”.

Miku i tij tregon që në muzikë zoti Eastwood nuk është një profesionist si Kyle, djali që ka pasur nga martesa e parë me modelen Maggie Johnson. Ai djalosh këmbëngulës, siç e cilëson Clint, i ka mësuar babait se çdo gjë në jetë është e mundur: madje edhe bërja e filmave që askujt nuk i pëlqenin, por që në duart e regjisorit kanë qenë spektakolarë, shumë të suksesshëm, si “Million Dollar Baby”.

“Në të gjithë karrierën e tij të mrekullueshme, Clint nuk është shqetësuar kurrë se çfarë thonë apo mendojnë njerëzit për punën e tij, nga filmat uestern te ‘Mystic River’,

‘Million Dollar Baby’.

Nëse do të kishte menduar për biznesin, do të kishte pushuar së bëri filma që para dyzet vjetësh, praktikisht kur lindi Kylie”, thotë Matt Damon.

“Asnjëherë nuk kam qenë i disiplinuar, megjithatë në disa gjëra vetëm talenti nuk mjafton. Këtë gjë e kam vërtetuar me tim bir dhe muzikën. Kur njerëzit e pyesin sesi mund të arrihen kaq lehtë majat, ai e ka përgjigjen në majë të gjuhës: shumë praktikë, praktikë dhe praktikë”, pohon regjisori i moshuar.

Natyrisht kur një baba mëson nga fëmijët e tij, duhet që fillimisht ai t’u ketë mësuar të vegjëlve gjëra të reja. Marrëdhënia e Clint me djalin e tij të madh duket se është portreti klasik i babait që pasqyrohet te djali. Në fund të fundit ishte ai që i tejçoi pasionin për muzikën.

“Prindërit e mi më dhuruan dëshirën për të dëgjuar muzikë dhe dashurinë për xhazin në rini”, është shprehur i biri Kyle për “Independent”. “Babai i bie pianos, nëna po ashtu, gjyshja ime ka qenë mësuese muzike në Universitetin “Northwestern” në Ilinois”.

Në fakt, i ati e përshkruan të birin me fjalë të tjera, madje ai thotë se nuk i pëlqen xhazi. “Kyle pëlqente muzikën rok. Edhe mua më ‘shijon’ kjo rrymë muzikore, por çuditem, sepse ai as që donte t’ia dinte për xhazin. Më kujtohet një natë kur e çova në një klub këtu pas shtëpie. Çmendej pas kitarës rok, por në skenë ishte një basist i mrekullueshëm, që luante muzikë xhaz. Shkova dhe i thashë atij zotërie nëse kishte mundësi t’i jepte disa leksione tim biri dhe Kyle bëri atë që edhe unë do të kisha bërë në moshën e tij: studioi, studioi dhe vetëm studioi”.

Clint duket sikur i tregon të gjitha këto, sepse diçka i ka mbetur peng. “Jo, absolutisht nuk kam asnjë peng në zemër dhe ç’është më kryesorja, në jetën time nuk jam penduar kurrë për asgjë. Nëse edhe unë do të kisha pasur në rini disiplinën që ka pasur im bir, kush e di sot mund të isha bërë vërtet një muzikant i madh, siç ëndërroja kur isha i vogël. Një muzikant xhazi me bandën e tij të mrekullueshme. Ndonjëherë më duket sikur jam ende 40 vjeç, por pastaj shoh fëmijët e mi dhe e kuptoj se koha ka kaluar. Prania e tyre më ndihmon gjithashtu që të kthjellohem më shumë për moshën”, buzëqesh ai, ndërkohë që sytë i shkëlqejnë si dy xixa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›