Feng, Spilbergu i Kinës
Në orën 03:42 të 28 korrikut të vitit 1976, një tërmeti i magnitudës 7.8 ballësh sipas shkallës Rihter, në qytetin industrial të Tangshanit mori jetën e 140 mijë vetave. Kjo sipas shifrave zyrtare, sepse mendohet që numri i atyre të cilët humbën jetën nga tërmeti ishte shumë herë më i madh. Në filmin e tij të ri, “Pasgoditja”, regjisori kinez, Feng Xiaogang, arrin që të rikujtojë edhe njëherë skenat e tmerrshme të asaj goditjeje të paharrueshme, e cila arriti brenda pak minutash të rrafshonte një qytet dhe të zhdukte mijëra e mijëra njerëz nën gërmadha. Për realizimin e atmosferës ai thirri për ndihmë ekspertë të efekteve speciale nga Franca dhe Koreja e Jugut dhe ajo që arriti të realizojë mund të konsiderohet me të vërtetë një “mrekulli” e artit vizual, edhe pse bëhet fjalë për pamje rrëqethëse të një realiteti jashtëzakonisht të dhimbshëm. Filmi, i cili është shfaqur tashmë në një pjesë të kinemave të botës, ka lënë me lot në sy të gjithë ata që e kanë parë dhe ndërkohë po konsiderohet ndër më të suksesshmit filma kinezë të viteve të fundit, duke arritur tashmë një rekord shitjesh jo vetëm në Kinë, por në të gjithë botën e duke iu afruar madje edhe vetë të suksesshmit “Avatar”. Ky film, ndër të tjera, mund të shënojë edhe fillimin e një epoke të re për vetë kinematografinë kineze. Në Kinë, vetëm vitin e fundit janë çelur 1000 kinema të reja dhe njerëzit gjithnjë e më shumë po tërhiqen nga filmat dhe kinemaja. Por filmi i fundit është edhe një çimentim i reputacionit të regjisorit të tij, Feng, që tashmë mund të konsiderohet si numri një i kinematografisë kineze.
Si regjisor, Feng është shquar gjithmonë. Që në fillim të karrierës është konsideruar si një person “kokë më vete”. Duke nisur nga debutimi i tij i parë në vitin 1994, me filmin “Gone forever with my love”, ai ka bërë rreth 20 filma të tjerë dhe secili prej tyre ka krijuar një rekord të ri në Kinë. Dy vjet më parë, komedia romantike që ai solli në ekranin e madh, “If you are the one”, theu rekordin e fundit kinematografik në Kinë, duke inkasuar shifrën prej 51. milionë dollarësh dhe menjëherë Feng u shndërrua në kinezin e parë që në botën e kinematografisë doli nga harta lokale për t’u futur në hartën e regjisorëve më të famshëm të të gjithë botës dhe kohërave. Tashmë ai vetë është shndërruar në një fenomen dhe emër që fal siguri e gjeneron miliona shikues. Në Kinë nuk ka më rëndësi se çfarë paraqet një film, për sa kohë që regjisori i tij është Feng, sepse në këtë rast suksesi është i garantuar. Tashmë emri i tij është një firmë e padiskutueshme. Kjo ka bërë që regjisori 52-vjeçar të ketë tashmë famën e Spilbergut në Kinë dhe jashtë saj, dhe Spilbergu jo rastësisht është një nga regjisorët e preferuar të tij. “Filmat e Spilberg kanë zemër, ja përse i dua unë dhe miliona njerëz të tjerë. Njerëzit shkojnë që të shohin filmat e tij, sepse e dinë që do të shkojnë edhe për të ndjerë dhe përjetuar, e kjo është e jashtëzakonshme dhe e domosdoshme”.
Dhe ky tipar është i njëjtë edhe për vetë Feng. Kritikët mendojnë për të se ai ka aftësinë unike dhe shumë të rrallë që të bëhet njësh me audiencën kineze, me ndjenjat e saj, t’i trazojë dhe t’i bëjë që ta duan e ta ndjekin atë që ai ka për të thënë. Fillimisht ai e nisi karrierën me filma të lehtë dhe madje edhe me disa komedi, që në thelb ishin shumë të thjeshta dhe eksploronin jetën e njeriut të zakonshëm kinez, me veset dhe gjërat qesharake. Një pjesë e madhe e kinezëve e gjeten veten te këta filma. Ata ishin si një pasqyrë që i bënte të shihnin realitetin, të qeshnin me të, por edhe të mendoheshin dhe, duke njohur veten, të përpiqeshin që ta ndryshonin. Më pas u mor me filma romantikë, por edhe ata nuk ishin shumë të komplikuar, mirëpo me një mënyrë shumë origjinale të të sjellit të realitetit dhe të ngjarjeve. Ai ka një mënyrë të rrëfyeri shumë të veçantë, që pëlqehet shumë në Kinën e sotme. Ai u rrit në Pekin nga mamaja e tij, një infermiere e divorcuar. U diplomua në shkollën e mesme në të njëjtin vit që ndodhi edhe tragjedia e tërmetit në Tangshan dhe më pas shkoi në ushtri, ku merrej me grupet artistike dhe kryesisht me teatrot e shkurtra që viheshin në skenë herë pas here. Në atmosferën më liberale të mesit të viteve ‘80 ai shkroi skenarin e një shfaqjeje televizive dhe në këtë mënyrë i krijoi vetes mundësi që të futej në botën e televizionit dhe të krijonte aty një emër. Në vitet ‘90 nisi që pak nga pak të merrej me projekte më serioze dhe të vërteta. Kështu, në vitin 1992 shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të xhiruar një telenovelë me emrin “Pekinasit e Nju Jorkut”, e cila u pëlqye shumë nga audience kineze, që e ndoqi me një frymë. Kjo edhe për shkak të pamjeve të një tjetër vendi, në këtë rast të Amerikës, që ishin shumë të shpeshta në këtë telenovelë, duke qenë se bëhej fjalë për ngjarje që ndodhnin në fakt në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, morali i kësaj telenovele ishte: nëse vendos që të lesh Kinën, për ta kërkuar lumturinë në vende të huaja, bën shumë gabim. Lumturia nuk gjendet në dhé të huaj, por ndërtohet në Kinë. Me kalimin e viteve ai nisi që t’i shihte situatat në mënyrë më serioze dhe të përpiqej të gjente tema të cilat përçonin dashuri, por edhe reflektim, dhe këtë ta bënte përmes lëvrimit të ngjarjeve të mëdha dhe të rëndësishme për vendin, ngjarje që kishin lënë gjurmë në të gjitha drejtimet. Fillimisht projektin për filmin e fundit për tërmetin e bazoi në një libër me kujtime, i cili doli pikërisht në vitin 2008, kur ndodhi edhe një tjetër tragjedi tërmeti në Kinë, ajo e tërmetit në Suchuan, në të cilin humbën jetën 87 mijë vetë. Me këtë rast ai mendoi se ishte pak herët që të bënte diçka për t’u kujtuar njerëzve një tragjedi të tillë, duke qenë se ata po përballeshin me një tragjedi të përmasave të mëdha ndërkohë. Por ndërsa pa se përpjekjet njerëzore që u bënë për të shpëtuar viktimat e betonuara nën rrënoja dhe për të rregulluar situatën e të mbijetuarve krijuan një frymë shumë të mirë bashkëpunimi dhe madje bashkimi e solidariteti ndërkombëtar, regjisori mendoi se ndoshta kjo anë duhej vënë në pah. Kësisoj, ndryshoi mendje. Producenti dhe financieri i filmit thotë se kjo është arsyeja se përse një regjisor i tillë është shndërruar në Kinë tashmë në një legjendë. “Një ditë të bukur Feng erdhi tek unë me një frymë dhe më rrëfeu se sa fantastik do të ishte realizimi i një filmi në të cilin del në pah pikërisht forca njerëzore dhe ajo e familjes në momentet e vështirësisë dhe të katastrofave. Feng donte që të realizonte një film të madh, në të cilin të spikasnin pikërisht vlerat e familjes dhe të njerëzimit”, thotë producenti. Në fakt, ashtu si dhe në filmat e mëparshëm, Feng niset nga gjërat e thjeshta, nga jeta e thjeshtë e një familjeje kineze, familjes Tang: një grua e ve me të birin, që jetonin në qytetin e tërmetit. është një histori plot të papritura, që nxjerr në pah pikërisht vlerën e madhe të solidaritetit njerëzor në kohë të vështirë. Ishte pikërisht tërmeti ai i cili bëri që kjo familje të zbulonte edhe pjesëtarë të panjohur më parë të saj dhe në fund të gjithë e kuptojnë se gjëja më e rëndësishme nuk janë paratë dhe fama, por të kujdesurit për tjetrin, ndihma dhe solidariteti njerëzor. Janë këto vlerat që të bëjnë të ndihesh i dobishëm, i vlefshëm dhe i realizuar si njeri. E ndërsa filmi është i ndërtuar bukur dhe i mbështetur, edhe në skena madhështore të efekteve të jashtme producentët e kanë pak të vështirë që të gjejnë një audiencë perëndimore. Feng, edhe në të shkuarën, pavarësisht suksesit që ka pasur në vendin e tij, ka kërkuar vazhdimisht që të ketë arritje dhe një audiencë edhe jashtë Kinës. Komedia e tij e vitit 2001 flet për një frymë të tërbuar të komercializmit që sundon në kryeqytetin e vendit dhe në këtë rast ai ka bashkëpunuar me disa aktorë perëndimorë si Donald Sutherland. Ai film shënoi një rekord spektatorësh në Kinë, por jashtë Kinës nuk pati të njëjtën pritje dhe të njëjtin sukses. Në vitin 2006, filmi “Banketi”, një dramë që merrej me jetën e shtresave të pasura në Kinë, shënoi sërish rekord shitjesh në vend, por mezi u vu re jashtë Kinës. Sigurisht që një nga ëndrrat e mëdha të regjisorëve është që të bëhen të njohur në të gjithë botën, jo vetëm në vendin e tyre, qoftë ky edhe një vend si Kina. Por është e vështirë që të bësh një film me një temë dhe për një audiencë të caktuar, dhe të pretendosh që do të kuptohet dhe do të shijohet edhe nga njerëz të tjerë në botë, sepse shijet dhe mendësitë janë të ndryshme.
Të paktën, për sa i përket Feng, ai ka hequr dorë nga përpjekjet për “të bindur” audiencën ndërkombëtare. Megjithatë, Feng është i bindur se të paktën mesazhi i filmit të tij të fundit do të përhapet dhe nuk ka si të mos kuptohet edhe nga të tjerët. “Industria e filmit kinez është duke u rritur me 30 deri në 40% në vit. Nëse do të realizonim filma të mirë, mund të kishim mundësi që t’i tregonim botës anët tona të panjohura dhe gjithë rrugëtimin që kemi bërë këto 20 vitet e fundit”, thotë regjisori i famshëm, që ka tashmë edhe shumë plane të tjera përpara për të realizuar.
#