Velipojë, asnjë derdhje kanalizimesh në det
“Në plazhin e Velipojës nuk ka asnjë hotel apo banesë që t’i derdhë kanalizimet e ujërave të bardha apo të zeza në det”. Kështu ka deklaruar dje kryetari i Komunës së Velipojës, Nikollë Marku, i cili është shprehur i sigurt se Velipoja, ndryshe nga zonat e tjera bregdetare, nuk ka asnjë derdhje në det. “Aktualisht të gjitha ndërtimet kanë gropa të mëdha, që u shërbejnë për grumbullimin e ujërave të zeza. Nga kontrollet që ka ushtruar komuna dhe specialistë të mjedisit dhe shëndetësisë, ka rezultuar se nga ky aspekt plazhi i Velipojës të jetë zonë tërësisht e pastër. Fakti që në zonat e tjera bregdetare janë ndërtuar hotele 10 m larg bregut të detit, tregon se ato kanë nivele të larta ndotjeje, ndërsa në Velipojë distanca nga bregu i detit dhe ndërtimeve është të paktën 300 m”, ka thënë Marku. Një vit më parë, plazhi i Velipojës është klasifikuar nga Ministria e Mjedisit si plazhi më i pastër në Shqipëri.
#