Vija bregdetare, e ndotur nga hidrokarburet
Një pjesë e madhe e vijës bregdetare të Fierit është e ndotur nga hidrokarburet. Kjo, për shkak të derdhjes në det të tonelatave të tëra me mbetje industriale, që dalin nga përpunimi i naftës.
Semani mbetet zona më e ndotur nga mbetjet industriale, ndërkohë që pas tij vjen plazhi i Darëzezës. Por, plazhet e tjera të Qarkut të Fierit, si Divjaka, Adriatiku i Vogël, Pishporoja, Karavastaja dhe të tjera plazhe të populluara më pak përgjatë vijës bregdetare, janë më të ndotura si pasojë e mbetjeve urbane. Njësitë vendore që administrojnë plazhet e njohura publike e cilësojnë si të pamundur mbajtjen pastër të brezit të rërës, pasi, sipas tyre, duhet edhe një ndërgjegjësim i vetë pushuesve. Fadil Selaci, që drejton Komunën e Dërmënasit, që ka nën administrim plazhin e Darëzezës, thotë se sezonin e ardhshëm do të aplikohen ndëshkime të pushuesve me gjobë për hedhjen e mbeturinave. Kujtojmë që Komuna Topojë për të pasur një plazh të pastër paditi kompaninë “Albpetrol”, e cila konsiderohet ndotësi kryesor i plazhit.