Fenomeni Ferguson

Sir Alex Ferguson beson se është “fenomen” në mesin e trajnerëve dhe rekordi i tij prej 25 vitesh në një klub asnjëherë nuk do të barazohet. Strategu i Manchester Unitedit pranon se është dashur të ndryshojë me kalimin e viteve, duke e zbutur sado pak qasjen e tij ndaj futbollistëve modernë, të cilët nuk janë të përpiktë siç ishin në ditët kur Ferguson e filloi punën e tij.
Gjatë një interviste të tij me të përditshmen prestigjioze amerikane New York Times, Ferguson u pyet nëse mendon se dikush do të qëndrojë në një klub për 25 vite, njësoj sikurse ai, dhe skocezi u përgjigj: “Nuk ma merr mendja, unë jam një fenomen”.
Ai shtoi:
“Nuk dyshoj rreth kësaj. Tani jam një person më i butë nga ai i 25 viteve më parë. Tani futbollistët janë të lazdruar nga idetë moderne, prindërit modernë, menaxherët modernë dhe ata dinë edhe të lazdrohen nganjëherë me imazhin e tyre. Është një botë më ndryshe për mua, andaj është dashur të ndryshoj për t’u adaptuar. Kam ndryshuar për shkak të këtyre gjërave. Një gjë që kam mësuar në dekadën e fundit është delegimi. Në ditët e hershme isha i përfshirë në gjetjen e talenteve, trajnim, gjithçka me të rinjtë. Ju nuk mund të bëni këtë për një kohë të gjatë”. Edhe pse përfiton më pak se futbollistët që i drejton, Ferguson nuk ka dyshime se kush është njeriu kryesor në Old Trafford.
“Ju duhet të kujtoni se njeriu kryesor në Manchester United është menaxheri. Në momentin që një futbollist bëhet më i rëndësishëm se menaxheri, ai klub ka vdekur. Historia e këtij klubi e dëshmon se unë jam njeriu më i rëndësishëm në Manchester United. Duhet të jetë kështu”, theksoi skocezi. Ferguson tha se ka “marrëdhënie të mira” me pronarët - familjen Glazer.
“Ata kurrë nuk më pengojnë. Kurrë nuk bëjnë pyetje, kurrë nuk më telefonojnë ose ndërhyjnë në punën time. Jam në një pozitë të privilegjuar”, tha ai. 70 vjeçari ka lënë përshtypje se duhet të bartet jashtë Unitedit sepse ende nuk e konsideron mundësinë e daljes në pension. “Pensionimi është për njerëzit e rinj, jo për të vjetrit. Të rinjtë mund të bëjnë diçka tjetër, kur jeni i vjetër dhe i keni kaluar disa gjëra nuk bën të ndaleni. Më besoni, kur plakeni mos u pensiononi”.
Ferguson ka shprehur simpatinë e tij për ekipin e Anglisë dhe presionin me të cilin luajnë ata. “Mendoj se parashikimet për Anglinë janë shumë të mëdha. Tepër të mëdha. Ju duhet të shikoni programin me të cilin përballen futbollistët anglezë që shkojnë në Kampionatin botëror. Liga është e pafalshme, është shumë vështirë. Ekipet angleze kanë qenë në shumë finale në dekadën e fundit dhe kjo u merr shumë energji. Ky është problemi i madh për futbollin anglez”, përfundoi ai.