E Shtunë, 31 Tetor 2026

Redknapp, ‘analfabet’

Nuk e di se çka është e-maili, kurrë në jetën e tij nuk ka dërguar një mesazh në telefon e aq më tepër një faks. Shkruan si një dyvjeçar dhe nuk di të shqiptojë. Tingëllon si një analfabet, por ky është menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp dhe këto ishin përgjigjet e tij para gjykatës më 2009, pas akuzave fillestare për shmangie të tatimit.

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, mezi di të shkruajë, kurrë në jetën e tij nuk ka dërguar një e-mail ose mesazh në telefon dhe është “njeriu më i paorganizuar në botë”, ka bërë të ditur The Press Association.

Redknapp, 64 vjeç i cili është nën hetime për shmangie të tatimit – gjë të cilën e ka mohuar – ka thënë se vuan në shkrim, duke shtuar se “shkruan si një dyvjeçar dhe nuk di të shqiptojë”.

Redknapp, i cili konsiderohet si njëri prej kandidatëve kryesorë për selektor të ardhshëm të Anglisë, gjatë një interviste nga detektivët e qytetit të Londrës më 2009 u kishte thënë atyre se është “njeri më i paorganizuar në botë”.

Në xhirimet e dëgjuara në gjykatën Southwark Crown, Redknapp tha: “Nuk di të punoj në kompjuter, nuk di se çka është e-maili dhe kurrë nuk kam dërguar një faks dhe një mesazh në telefon”.

Ai shtoi: “Kam problem të madh, nuk di të shkruaj mirë dhe nuk i ruaj gjërat. Jam njeriu më i paorganizuar në botë, turpërohem kur e them, por kështu është”. Pas hetimeve të llogarisë së tij në Monaco dhe akuzave për keqpërdorimin e 189 mijë funteve, menaxheri i Tottenhamit shtoi: “Paguaj shumë kontabilistin i cili merret me dokumentet e mia. Ai i shkruan të gjitha pagesat për mua dhe gruan time. Ai i paguan faturat e mia. Ai në fakt e udhëheq jetën time”.

Redknapp në qershor të vitit 2009 u kishte thënë zyrtarëve se tabloidi britanik The Sun, ku ai shkruan rregullisht kolumne, “nuk më ka paguar që 18 muaj”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›