E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferit Salia, mashtruesi i pleqve arrestohet sërish

 

Ferdinand Dervishi

Mashtruesi i njohur i pleqve të Tiranës, Ferit Salia, arrestohet sërish për vjedhje përmes mashtrimit, kësaj radhe të kryer në Durrës. Gjatë paradites së djeshme, dy oficerë të policisë Antikrim të qytetit bregdetar e kishin pritur me durim t’i hidhnin prangat te dera e shtëpisë në rrugën “Ferit Xhajko”, të Tiranës, në afërsi të “Restorant Durrësit”. “Do vish me ne. Do sqarojmë diçka në Komisariatin 3”, kishin qenë fjalët e pakta të përfaqësuesve të ligjit. Me tej asnjë sqarim edhe pse Salia kishte vëzhguar me shqetësim se makina me shenja të policisë kishte marrë udhën drejt Durrësit. Një orë më pas, në qelitë e Komisariatit një oficer me grada më të larta e kishte pyetur: A ke njerëz apo të afërm Durrës? Jo, - ishte përgjigjur Salia. Kur ke qenë për herë të fundit në këtë qytet? Kanë kaluar shumë muaj, - ishte përgjigjja e dytë e gabuar e Ferit Saliajt. Përgjigje që e kishin rrëzuar përtokë njëherë e përgjithmonë ndërtimin e një alibie, pasi një çast më pas i njëjti oficer i kishte pohuar se ishte ndaluar për vjedhjen e një plake në Lagjen 5 të Durrësit, një ngjarje e konsumuar shumë afër në kohë, më 8 shkurt 2009. Pikërisht kjo fjali e fundit ishte shoqëruar me djersë të ftohta e zverdhje në fytyrën e Saliajt.
I tradhtuar nga gjurmët e gishtave
T’i kthehesh zanatit të vjetër edhe pas vitesh të kaluara në burg do të thotë në njëfarë mënyre nevojë. Nevojë për të siguruar të ardhura për të mbijetuar. Për më tepër kur je babai i dy fëmijëve dhe kur në jetë nuk të ka buzëqeshur asnjë zanat tjetër më shumë se ai i mashtrimit. Por shkenca ndërkohë ka ecur përpara. Prandaj oficeri i policisë që merrte në pyetje Ferit Saliajn ishte krejt i qetë. “Je bërë si parja e kuqe. Për ty kanë botuar shkrime të gjitha gazetat, të shoqëruara me foto madje. Dhe ti nis të njëjtin zanat. Por kësaj radhe ke rënë në një usta që të njeh mirë..”, thuhet se ka qenë batuta e fundit e oficerit të policisë para se mbërrinte prokurori i gatshëm për t’i komunikuar arrestin të sapondaluarit. Qetësia e oficerit të policisë buronte prej faktit se gjurmët e gishtave të gjetura në banesën e një qytetari në Durrës, menjëherë pas vjedhjes së një shume prej 2 mijë eurosh, përputheshin pa asnjë dyshim me ato të Ferit Saliajt. Me të parë të dhënat e dërguara nga Laboratori Kriminalistik, drejtuesit e policisë së qytetit bregdetar e kishin pasur mjaft të lehtë të vepronin më tej. Kjo sepse policia e Tiranës kishte të dhëna të plota për Ferit Saliajn. Kështu që prangosja mbeti në qerthullin e një pune rutinë. Agjentët e policisë së Durrësit e kishin pritur që nga ora 06:00 e mëngjesit të djeshëm përpara vilës së tij që gjendet në afërsi të “Restorant Durrësit”, por gjahu i tyre ishte dukur aty vetëm rreth orës 10:30, kohë kur pritja e policisë merr fund.
   Mashtrimi i fundit
Mashtrimi i fundit që rrezikon plotësisht ta dërgojë edhe njëherë në burg Ferit Saliajn ishte regjistruar pak kohë më parë, më 8 shkurt 2009. Duke operuar pikë për pikë sipas stilit të vjetër, Feriti kishte vënë në shënjestër një plakë, V. Dako, që gjendej e vetme në një shtëpi përdhese në “Lagjen 5” të Durrësit. “Jam biznesmen, më pëlqen pozicioni i shtëpisë suaj. Dua të ble, që të ndërtoj një pallat”, kishte qenë hyrja sugjestionuese për gruan plakë. Më tej bëhet pazar edhe pse plaka këmbëngul që për këtë duhet edhe fjala e të bijve, ndërsa Feriti përmend shifrën 150 mijë euro për blerjen e shtëpisë. Më tej plaka e fut brenda dhe i bën një kafe. Biseda shtrohet. E zonja e shtëpisë i rrëfen se si dokumentet e shtëpisë i ka tek apartamenti i së bijës, që ishte aty pranë. “Shkojmë t’i shohim a janë me Hipotekë. Urgjent se nuk më zë vendi...”. Plaka bindet edhe më tepër kur pas gllënjkës së fundit të kafesë tjetri lëshon edhe një pesëmijëlekëshe të re në tabaka. Përfundimisht të dy shkojnë te shtëpia e së bijës, të cilën plaka e hap me një çelës që kishte me vete. Feriti kullot sytë nëpër dhoma, sheh pa interes dokumentet, por në dalje, në momentin që zbresin me ashensor, i vjedh plakës nga xhepi çelësin e apartamentit. Teksa dalin poshtë, i thotë se pak më tej ka lënë nënën e vet dhe se do të ishte mirë ta sillte të prezantoheshin dhe se nuk do të ishte keq të futej brenda dhe të përgatiste një kafe. Plaka bindet, ndërsa Ferit Salia bën një rreth pas pallatit dhe ngjitet në banesë, çelësin e të cilës e ka me vete. Në kohë rekord arrin të gjejë të fshehura diku 2 mijë euro dhe largohet. Nga ana tjetër plaka nis të dyshojë pas zhdukjes së tjetrit. Fatmirësisht denoncimi bëhet në kohë dhe gjurmët e gishtave, të njëjtat që e arrestuan Ferit Saliajn gjatë ditës së djeshme, dalin të vlefshme. Po gjatë mbrëmjes së djeshme, policia e Durrësit zbardhi edhe dy ngjarje të ngjashme, të ndodhura në zonën e plazhit. Në prill 2008 aty me anë të së njëjtës skemë u ishte vjedhur një çifti pleqsh 4.2 milionë lekë të vjetra dhe rreth 3 muaj më pas 600 mijë lekë të vjetra një tjetër viktime. Duket Ferit Salia, pas daljes nga burgu në fund të 2006, falë amnistisë së fundvitit, e kishte ndryshuar fushëveprimtarinë e tij, nga Tirana në Durrës. Veçse këtë radhë stili i vjetër, ajo metoda e njohur që i kishte dhënë sukses për vite me radhë, nuk kishte mbajtur për shumë kohë. 

Tre funksionarë të lartë, në gjyqin e mashtrueses

TIRANE – Adnan Kosova, ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda, tashmë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme do të pyetet si dëshmitar në gjyqin në ngarkim të Albana Lazes, të akuzuar për mashtrim. Ishte kërkesa e të pandehurës Lazaj, e cila pretendoi se Kosova duhej të dëshmonte në gjykatë rreth denoncimit që i kishte bërë të pandehurës në momentin arrestimit. Gjithashtu, sipas saj Kosova, duhet të pyetej në lidhje me pretendimet e të pandehurës se funksionarë të Prokurorisë kanë pasur dijeni për premtimin e lirimit të Emiljano Shullazit nga burgu. Më tej, gjykata pranoi kërkesën e saj për të pyetur në cilësinë e dëshmitarit edhe dy funksionarë të lartë të policisë, Tonin Vocaj dhe Arben Frashëri. Laze, mbi të cilën rëndon akuzua e mashtrimeve në shuma të mëdha, pretendon se në rastet e premtimeve për lirimin e të burgosurve nga burgu kishte garancinë e prokurorëve, duke përdorur emrin e ish-kreut të Krimeve të Rënda, Kosova. E pandehura pretendon se dëshmia e tyre e shpëton atë nga akuza, ndërkohë që sipas prokurorisë Laze u arrestua rreth një vit më parë në flagrancë në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi kishte marrë 150 mijë euro kundrejt premtimit për lirimin e Emiljano Shullazit dhe Ergys Ferhatit. Këto para i paguan të afërm të dy të akuzuarve, procesi ndaj të cilëve mbaroi para disa muajsh me vendime fajësie. Dy të burgosurit janë arrestuar në kuadër të operacionit “Identikit” të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Pyetja e tre funksionarëve të lartë i jep fund fazës së dëshmitarëve, pas të cilës palët depozitojnë për shqyrtim provat shkresore.                                              fa.ma.

Profesionisti që jetonte në luks duke vjedhur

Ferdinand Dervishi

Në territorin shqiptar rrallëherë një vjedhësi me anë të mashtrimit i ka qëlluar të ketë një karrierë disavjeçare me intensitet “pune” të pandërprerë në asnjë moment. Kohë e cila të mundëson shumë nga qëllimet e jetës. Sipas këtij rregulli, mbase i vetëm në radhën e të njëjtëve, ka ecur pikërisht Ferit Salia, i sapoarrestuari i policisë së Durrësit. Ky rezultat pozitiv i tij sepse, dikur, kur Tirana e madhe kishte aq shumë “punë” për të, ai nuk ja kishte përtuar aspak ushtrimit me sukses të zanatit të tij të mashtrimit të pleqve. Një ndërmarrje e vënë në punë për vite e vite me radhë dhe krejt çuditshëm e parrezikuar nga njerëzit që kontrollojnë zbatimin e ligjeve. Një kohë e artë që e mundëson Ferit Saliajn të ndërtojë një vilë luksoze me të hollat e përlara, ta mobilojë me të njëjtat shije dhe të parkojë në garazhin e saj triumfues një “Mitsubishi Pajero”, nga ato makinat e rënda, që konsumojnë shumë naftë dhe që i përdor rëndom policia.
Skema e mashtrimit
Ferit Salia kishte perfeksionuar një mënyrë mashtrimi, që funksiononte pothuaj me kapacitet të plotë vetëm përballë të moshuarve. Ishte një skemë e thjeshtë, por rezultateve. Duke përdorur, kundër të gjitha ligjeve sipas të cilëve funksionojnë keqbërësit, të njëjtën biçikletë me ngjyrë të kuqe, ai peshkonte pleq, kryesisht në shtëpi përdhese, të cilët për momentin gjendeshin vetëm. Më pas u afrohej dhe u paraqitej si një hallexhi që kërkonte shtëpi me qira. Duke përdorur truke të ndryshme miqësohej me pleqtë, pasi për shembull, gjithmonë qëllonte që prejardhja e tij të ishte e njëjtë me atë të viktimave të tij. Pra nëse plaku ishte me origjinë nga Vlora, edhe Feriti thoshte se ishte nga Vlora e kështu me radhë. Më tej situata bëhej më e favorshme, më miqësore, nëse aty pranë shfaqej ndonjë fëmijë. Pasi Salia menjëherë e afronte, e përkëdhelte dhe i dhuronte të holla, të cilat i nxirrte mundësisht nga një tufë e stërmadhe. Pjesa finale vinte në kohën kur miqësia dukej sikur nuk kishte më diskutim. Pasi Salia duhet të mësonte se ku ishin të hollat. Truku për këtë qëllim ishte gjithashtu i menduar mirë. Nxirrte nga xhepi një tufë me të holla të vlerës së vogël, për shembull të prerjes dyqind lekëshe dhe u thoshte pleqve se i vinte zor të paguante këstin e parë të qirasë me dyqindëshe duke u kërkuar që, mundësisht nëse kishin, t’ia këmbenin me lekë më të “trasha”. Kështu Salia fiksonte vendin ku pleqtë ruanin të hollat. Më tej i duhej një çelës. Një nga truket e përdorura prej tij realizohej në momentin kur dilnin nga shtëpia. Feriti duke u shtirur si kavalier u lutej pleqve që ta mbyllte ai derën me çelës, pasi ishte më i ri në moshë. Në shumicën e rasteve ata bindeshin, por ai edhe pse e kthente çelësin në bravë me zhurmë, derën e linte një gisht hapur për t’u kthyer te vendi i të hollave në momentin më të parë që të largohej nga i moshuari.
Arrestimi rastësor
Ferit Salia u arrestua nga policia e Tiranës më 2 korrik 2003. Deri në këtë periudhë ai kishte vjedhur me anë të mashtrimit rreth 30 herë të moshuar në zona të ndryshme të Tiranës. Kuptohet se ky numër është ai i denoncimeve të bëra dhe se nuk ka shumë lidhje me numrin total të vjedhjeve reale të Saliajt. Pikërisht në këtë kohë denoncimet në adresë të tij ishin shtuar dhe policia e Tiranës ishte gjendur në hall të madh. Dinte se kishte një mashtrues pleqsh që vidhte sipas të njëjtës skemë, kishte përshkrimin e paraqitjes së tij të jashtme dhe detajin se lëvizte me një biçikletë të kuqe, por nuk kishte asgjë më tepër. Vjedhja e parafundit në kryeqytet shënohet në zonën që quhet “Oxhaku”, ndërsa e fundit në afërsi të Komisariatit 2 të Policisë. Por pikërisht kjo vjedhje e fundit i kushton shumë Ferit Salisë. Ai kishte arritur të vidhte të hollat e një plake, ndërkohë që ajo po i mblidhte kokrra në portokallin që kishte një bahçe “për fëmijën e sëmurë”, por krejt rastësisht aty qëllon polici i rendit të zonës. Të cilit plaka i rrëfen për vjedhjen dhe i thotë se ajo sapo kishte ndodhur. Polici jep alarmin duke përllogaritur se vjedhësi ishte ende në zonë. Një oficer roje, që duket e njihte mirë veprimtarinë e mashtruesit të pleqve, menjëherë pasi dëgjon alarmin, komunikon me të gjithë në radio një mendim të zgjuar: “Kapni të gjithë ata që ngjajnë me Bujar Qamilin, me këngëtarin”. Kjo thirrje në radio jep suksesin që nuk pritej. Ferit Salia kapet në rrugë, fare pranë Komisariatit 2, teksa ngiste biçikletën e tij të kuqe.
Dënimi dhe amnistia
Menjëherë pas arrestimit dhe publikimit në media të ngjarjes, në adresë të Ferit Salisë mbërrijnë një numër i madh denoncimesh. Rreth 30 të tillë bëhen nga pleq, të cilëve ai, sipas përllogaritjeve të bëra nga gjykata, u kishte vjedhur rreth 84 milionë lekë të vjetra. Një pistoletë e gjetur në vilën e tij ia bën edhe më të rëndë pozitën. Gjyqi nis me praninë e pothuaj të gjitha mediave në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që Saliaj nuk u paraqit në asnjë seance të vetme, duke preferuar të dërgojë avokatin. Gjithsesi, gjykata tregohet e ashpër. Ajo argumenton se Saliaj vepronte sipas një skeme të caktuar për të realizuar vjedhjet, se ai nuk ishte veçse një plan i mirëdetajuar apo një veprim kriminal i menduar mirë. Sipas gjykatës ai i studionte viktimat dhe zgjidhte persona të moshuar, që jetonin vetëm, që ishin të sëmurë ose në pamundësi aktive fizike. Më tej, skema vazhdonte me paraqitjen e një të interesuari që kërkonte shtëpi me qira, se shtëpia e tyre i plotësonte kërkesat, por atij i duhej ti hidhte një sy. Pasi futej brenda porosiste një kafe të fortë, por kur pleqtë largoheshin për të bërë kafen, Salia niste të kontrollonte vendet ku mund të ishin fshehur të hollat. Nëse kjo nuk ecte, sipas gjykatës i pandehuri nxirrte kartëmonedha të huaja, apo të formateve të ndryshme dhe i pyeste nëse kishin t’ia thyenin me qëllim që të fiksonte vendin ku i mbanin... Përfundimisht, shtuar edhe akuzën e armëmbajtjes, Ferit Salia dënohet me 6 vjet heqje lirie. Por amnistia e fundvitit 2006 e çon sërish në liri. Menjëherë pas dënimit, rreth 30 të moshuar hapën gjyq për kthimin e të hollave të vjedhura nga Salia, por pa ndonjë rezultat. Më pas asnjë lajm, deri të dielën e shkuar, kur nga Laboratori Kriminalistik kishte mbërritur në policinë e Durrësit emri i Ferit Salisë si pronar i gjurmëve të gishtave të gjetura në vendvjedhjen e 2 mijë eurove.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›