Tenderat, ja 12 skemat e abuzimit
BLEDAR HOTI
Që të fitosh një tender, pa e merituar, ose duhet të kesh “fat”, ose duhet ta blesh atë. Avokati i Prokurimeve, aty ku bizneset ankohen për konkurrencën në tendera, ka zbuluar 12 mënyra si abuzohet me prokurimet publike. Gazeta boton sot pjesë të raportit vjetor për 2008-ën, me kontrollet që ka bërë ky institucion gjatë gjithë vitit. Në total janë 354 ankesa nga bizneset dhe kontrolle të ushtruara nga vetë specialistët e institucionit. Përveç tenderëve, abuzimi me të cilat fillon që nga zgjedhja e komisionit e deri te përcaktimi i kritereve që favorizojnë qartësisht një firmë të caktuar, një problem i madh po shfaqet edhe te koncesionet e hidrocentraleve të vegjël. “Në 102 raste kemi dhënë rekomandime për anulimin e procedurave, nisur nga shkeljet e konstatuara për parregullsi në dokumentet e tenderit, apo për zhvillim në mangësi të procedurave të prokurimit. Në 30 raste kemi dhënë rekomandime për vlerësimin e ofertave, nisur nga shkeljet e konstatuara gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit. Në 129 raste prej tyre kemi mbështetur operatorët ekonomikë për problemet që ata kanë trajtuar në ankesën e tyre”, thuhet në raportin e Avokatit të Prokurimeve, drejtuar nga Edi Spaho. Gjatë vitit 2008 janë kryer 52 monitorime për procedurat ku fondi limit që do të prokurohej ishte i konsiderueshëm. Sipas raportit, “në totalin e 354 ankesave, në 210 prej tyre është filluar hetim administrativ; në 144 prej tyre është realizuar shqyrtimi administrativ për pretendimin e ngritur; në 53 raste është kryer monitorimi i procedurave.
Skema I
Avokati Spaho në raportin e paraqitur akuzon autoritetet kontraktore se zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit, apo kur fondet nuk i kanë në dispozicion. Në raport theksohet se nga ankesat e shqyrtuara, rezulton se disa institucione (autoritete kontraktore) kanë hapur procedura prokurimi pa pasur fonde në dispozicion apo pa përcaktuar saktë fondin limit. Në ligjin dhe rregullat e prokurimit publik është përcaktuar se procedurat e tenderit fillojnë kur institucionet kanë fondin në dispozicion dhe më pas bëhen përllogaritjet e fondit limit.
Skema II
Shqetësimi kryesor është vendosja nga autoritetet shtetërore kontraktore të kritereve diskriminuese në hartimin e dokumentit të tenderit, të cilat kanë si synim favorizimin e subjekteve të caktuara, firmave tenderuese, duke krijuar premisa për shmangien e konkurrencës së ndershme. Shkeljet më të theksuara kanë qenë rastet kur kërkohet një numër i ekzagjeruar punonjësish, kërkesa për kapacitete financiare jo në përpjesëtim me vleftën e kontratës. Vendosen kritere të ekzagjeruara për kriterin “eksperienca të mëparshme”, duke mosrespktuar kufijtë e përcaktuar në dokumentet standarde.
Skema III
Një ndër abuzimet në tendera, Avokati cilëson edhe zhvillimin e tenderave me mangësi, ku nuk mbahen procesverbalet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. “Nga shqyrtimi i ankesave dhe monitorimeve e kryera janë konstatuar se komisionet e vlerësimit të ofertave në kundërshtim me rregullat e prokurimit nuk pasqyrojnë siç duhet procedurën e hapjes, shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave. Nuk lexohen dhe nuk listohen dokumentet e dorëzuara nga firmat, si dhe nuk komunikohet data për dhënien e njoftimit të klasifikimit të ofertave”, thuhet në raport. Në të theksohet se, “këto mangësi në pamje të parë të krijojnë përshtypjen se nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt për shpalljen e fituesit. Në fakt, procedura e evidentimit të tenderit në të gjitha etapat e zhvillimit është shumë e rëndësishme, sepse së pari, është një detyrim ligjor dhe, së dyti, procesverbalet e plota e të sakta lejojnë kontrollin e lehtë të procedurës dhe krijojnë një frymë transparente tek operatorët dhe organet kontrolluese”. “Dokumentimi me mangësi dhe jo i plotë i procedurës reflekton se gjatë zhvillimit të tenderit diçka nuk është kryer konform rregullave dhe në tilla raste rritet mundësia e manipulimit të dokumentacionit të operatorëve”, thuhet në raport.
Skema e IV
Institucionet tenderuese që kryejnë shqyrtimin e ofertave kualifikojnë dhe favorizojnë firma, të cilat nuk përmbushin kriteret ligjore kualifikuese. “Problemi më shqetësues i zhvillimit të procedurave tenderuese me mangësi dhe që dëmton konkurrencën e ndershme në tendera është kualifikimi dhe shpallja fitues e operatorëve ekonomikë, të cilët nuk plotësojnë kriteret kualifikuese. Komisionet e Vlerësimit të Ofertave në shumë raste kanë kualifikuar ofertat e firmave apo shoqërive që nuk plotësonin kërkesat për kualifikim të përcaktuar në dokumentet standarde. Këto veprime të jashtëligjshme cenojnë parimet e përzgjedhjes, me qëllim favorizimin në mënyrë abuzive të ofertuesve të preferuar, duke diskriminuar konkurrentët e tjerë seriozë në procedurat e prokurimit”, thuhet në raport. Gjithashtu theksohet se, “në vendimet e rekomandimet tona jo gjithmonë kemi gjetur mbështetjen e duhur nga APP-ja për të skualifikuar ofertat e operatorëve me mangësi në dokumentet kualifikuese, si dhe për të dhënë masa administrative ndaj personave përgjegjës të autoriteteve kontraktore”. “Shqyrtimi me mangësi i dokumentacionit dhe kualifikimi i ofertave në kundërshtim me kriteret krijon frymë mosbesimi tek operatorët ekonomikë, por gjithashtu, duke shpallur fitues dhe lidhur kontrata me subjekte të pakualifikuara mund të rezultojnë me probleme gjatë zbatimit me korrektësi të ligjit”, thuhet në raport.
Skema V
Institucionet gjatë zhvillimit të procedurave nuk zbatojnë kriteret ligjore për trajtimin e ofertave e anomalish të ulëta.
“Shkelje ligjore janë konstatuar në trajtimin në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik të ofertave normalisht të ulëta, nga autoritete të ndryshme kontraktore. Në rregullat e prokurimit publik përcaktohet se autoriteti kontraktor përpara se t’i refuzojë ofertat anomalisht të ulëta, kërkon me shkrim shpjegime për elementë të veçantë të ofertës, verifikon këto elementë duke u këshilluar me ofertuesin në bazë të informacionit të paraqitur. Autoriteti kontraktor mund të refuzojë ofertën, kur edhe pas shqyrtimit të informacionit të paraqitur nga ofertuesi, nuk bindet se ajo është e rregullt në të gjithë elementët e saj”, thuhet në raport. Janë evidentuar raste kur autoritetet kontraktore nuk kërkojnë shpjegime me shkrim për ofertat anomalish të ulëta, por kalojnë në shpalljen e fituesit. “Kualifikimi i ofertave në këtë mënyrë është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, gjë që krijon mundësinë e lidhjes së kontratës me subjekte të pabesueshme, të cilët mund të abuzojnë me cilësinë e ulët të lëvrimit të mallrave, shërbimeve, apo kryerjes së punëve”, thuhet në raport.
Skema VI
Institucionet zvarrisin pa arsye marrjen e vendimeve përtej afateve ligjore të përcaktuara në shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave. “Në rregullat e prokurimit përcaktohet se institucionet duhet të përfundojnë vlerësimin e ofertave në afatin kohor që nuk duhet të kalojë 20 ditë. Brenda këtij afati kanë detyrimin të përfundojnë shqyrtimin e vlerësimin e ofertave, si dhe të bëjë njoftimin e klasifikimit për të gjithë operatorët (firmat) pjesëmarrës në procedurë. Zvarritja dhe tejkalimi i afateve kohore në vlerësimin e ofertave përbën shkelje të rregullave të prokurimit, krijon premisa për manipulime të ofertave, me qëllim për të gjetur ndonjë arsye për skualifikimin e ofertave me çmime të leverdishme dhe për të favorizuar firmat e preferuara”, thekson raporti. Ankimuesit kanë shprehur shqetësimin se janë njohur me vlerësimin e ofertave vetëm nëpërmjet buletinit kur është publikuar shpallja e fituesit. Këto veprime, sipas raportit, i mohojnë operatorëve ekonomikë të drejtën ligjore të ankimimit dhe njëkohësisht lidhen kontrata, të cilat konsiderohen ligjërisht të pavlefshme.
Skema VII
Institucionet nuk zbatojnë afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave, duke kaluar në shpalljen dhe publikimin e fituesve në tendera. “Në rregullat e prokurimit publik është përcaktuar se autoritetet kontraktore me marrjen e ankesës bëjnë pezullimin e procedurës, derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, nëse vendimi është refuzues firma brenda 5 ditëve nga marrja e përgjigjes ka të drejtë të ankohet në APP. “Në rastet e shqyrtuara janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku institucionet kanë shpallur fituesit pa respektuar afatet ligjore të shqyrtimit të ankesave. Po kështu ka raste kur autoritetet kontraktore anulojnë procedurat pa njoftuar operatorët ekonomikë për arsyet e anulimit, duke u mohuar në këtë mënyrë ofertuesve të drejtat e përcaktuara në ligj. Pas këtyre veprimeve qëndrojnë parregullsi në shqyrtimin e ofertave, siç janë rastet e skualifikimit pa argumente dhe në mënyrë abuzive të oferta të rregullta, duke kualifikuar, favorizuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë, të cilët nuk plotësojnë kriteret kualifikuese”, thuhet në raport.
Skema e VIII
Institucionet vazhdojnë të lidhin kontrata edhe kur ka nisur hetimi administrativ për shkelje të rregullave të prokurimit.
“Shumë institucione shpejtojnë të shpallin fituesin dhe të nënshkruajnë menjëherë kontratat edhe kur kanë marrë njoftimin për fillimin e hetimeve nga Avokati i Prokurimeve apo dhe Agjencia e Prokurimeve. Këto veprime në radhë të parë cenojnë rëndë qëllimin dhe parimet bazë të ligjit të prokurimit publik, dëmtojnë rëndë konkurrencën e drejtë, ulin besimin e publikut dhe favorizojnë korrupsionin. Në rastet e evidentuara nga ana jonë ka rezultuar se autoritetet kontraktore kanë vepruar në mënyrë të paligjshme për të mbuluar veprimet e parregullta gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit”, thuhet në raport. Gjithashtu theksohet se, “nga hetimi i rasteve të mosbashkëpunimit janë evidentuar shkelje të procedurave në shqyrtimin e ofertave, duke favorizuar operatorë me mangësi në dokumentacion, apo duke skualifikuar oferta të rregullta që kanë paraqitur çmime konkurruese. “Përgjegjësia kryesore padyshim bie mbi titullarët e institucionit, të cilët caktojnë anëtarët e komisioneve, të cilët zbatojnë në mënyrë të verbër urdhrat e eprorëve, por gjithashtu dëmtojnë autoritetin e shtetit ligjor”, thuhet në raport.
Skema e IX
Avokati akuzon institucionet tenderuese në mosmarrjen në konsideratë të rivlerësimit të ofertave nga ana e firmave pjesëmarrëse në tender. “Institucionet,-sipas raportit,-zvarrisin apo nuk zbatojnë rekomandimet tona dhe vendimet e APP-së për rivlerësimin e ofertave. Këto veprime që përbëjnë shkelje të rregullave të prokurimit, jo vetëm cenojnë kompetencat ligjore të institucioneve, por kanë efekte negative në administrimin e fondeve publike. Në shumicën e rasteve vendimet për rivlerësimin e ofertave janë dhënë kur autoritetet kanë skualifikuar ofertat me çmimet më të mira, me synimin për të favorizuar operatorët e preferuar”, thuhet në raport.
Skema X
Institucionet, sipas raportit, zvarrisin dhe anulojnë tendera me justifikime të ndryshme për të vazhduar në mënyrën abuzive kontratat me subjektet e mëparshme, apo që të zhvillojnë procedura me negocim pa shpallje. “Kemi konstatuar se autoritetet kontraktore në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik zvarrisin dhe anulojnë tendera me justifikime të ndryshme, për të vazhduar në mënyrë abuzive kontratat me subjektet e mëparshme, apo që të zhvillojnë procedura me negocim pa shpallje. Anulimi i tenderave jo gjithmonë është bërë në të mirë të procesit dhe menaxhimit të fondeve publike në dispozicion. Nga hetimet tona rezulton se anulimet e tenderave në disa raste fshehin pas tyre veprime të parregullta të institucioneve kontraktuese, me qëllim vazhdimin e kontratave me firmat e mëparshme, apo zhvillimin e procedurave pa konkurrencë, siç janë procedurat me negocim. Nëpërmjet kualifikimeve të pajustifikuara, autoritetet kontraktore kanë tentuar të eliminojnë oferta me çmime konkurruese, për të përsëritur procedurat me qëllim favorizimin e operatorëve të favorizuar”, thuhet në faqen 24 të raportit.
Skema XI
Autoritetet kontraktore zvarrisin dhe anulojnë tenderat me justifikime të ndryshme për të vazhduar në mënyrë abuzive me kontratat me subjektet e mëparshme, apo të zhvillojnë procedura me negocim pa shpallje. “Kemi konstatuar se autoritetet kontraktore, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik zvarrisin dhe anulojnë tenderat me justifikime të ndryshme, për të vazhduar në mënyrë abuzive kontratat me subjektet e mëparshme, apo që të zhvillojnë procedura me negocim pa shpallje. Anulimi i tenderave jo gjithmonë është bërë në të mirë të procesit dhe menaxhimit të fondeve publike në dispozicion. Nga hetimet tona rezulton se anulimet e tenderave në disa raste fshehin pas tyre veprime të parregullta të autoriteteve kontraktore, me qëllim vazhdimin e kontratave me subjektet e mëparshme, apo zhvillimin e procedurave pa konkurrencë, siç janë procedurat me negocim. Nëpërmjet skualifikimeve të pajustifikuara, autoritetet kontraktore kanë tentuar të eliminojnë oferta me çmime konkurruese, për të përsëritur procedurat me qëllim favorizimin e operatorëve të preferuar”, thuhet në raport. Gjithashtu theksohet se “duke qenë se një nga kushtet e përdorimit të procedurave me negocim është anulimi i dy procedurave të hapura të njëpasnjëshme, por jo në shkaqe të krijuara nga veprimet e mosveprimet apo mosveprimet e vetë autoriteteve kontraktore, këta të fundit pavarësisht kërkesave ligjore, anulojnë procedurat e hapura dhe mbi këtë motiv zhvillojnë procedura me negocim. Në disa raste të tjera, ka rezultuar se anulimet kanë ardhur si rezultat i vendosjes së kritereve kualifikuese të ekzagjeruara e të jashtëligjshme, apo gabimeve të autoriteteve.
Skema XII
Nuk lejon autoritetet kontraktore të publikojnë dokumente tenderi me kritere kualifikuese të gabuara. “Operatorët ekonomikë në ankesat e dërguara pranë APP kanë ngritur shqetësimin se autoritetet kontraktore në hartimin e dokumenteve të tenderit vendosin kritere kualifikuese në kundërshtim me dokumentet standarde. Kemi monitoruar shpalljen e procedurave të të prokurimit nga autoritet kontraktore dhe publikimin e dokumenteve të tenderit. Në mjaft raste kemi konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit në vendosjen e kritereve kualifikuese dhe menjëherë kemi kërkuar nga autoritetet të bëjnë modifikimet e tyre, në përputhje me dokumentet standarde”, thuhet në raport. Në shumicën e rasteve, Avokati ka konstatuar se hartimi i dokumenteve të tenderit me kritere diskriminuese nuk është bërë nga mosnjohja e rregullave të prokurimit, por me synimin për të kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë, duke përkrahur firmat e preferuara. “Lidhur me këtë fenomen, ne vlerësojmë se autoritetet kontraktore nuk mund të justifikohen me mosnjohje të rregullave, për faktin se në dokumentet standarde të miratua janë të qarta kufijtë e lejuar për kapacitete ligjore, teknike apo financiare. APP-ja, megjithëse i ka mundësitë për të pezulluar zhvillimin e procedurave me kritere kualifikuese të ekzagjeruara e diskriminuese, në mjaft raste ka lejuar publikimin e dokumenteve të tenderit. Në disa raste APP-ja ka nisur ankesat e operatorëve ekonomikë, ka urdhëruar autoritetet për të modifikuar kërkesat e jashtëligjshme, ndërkohë që verifikimi i kritereve duhej të ishte bërë nga personeli i saj më përpara se të lejonte shpalljen dhe publikimin e tyre në internet”. Gjithashtu theksohet se “verifikimi i kritereve para publikimit nga APP-ja dhe pezullimi i procedurave në rastet kur konstatohen kritere diskriminuese do të krijonte një klimë besimi tek operatorët ekonomikë dhe njëkohësisht pezullimi i procedurave duhet të shoqërohet me masa administrative ndaj personave përgjegjës të autoriteteve kontraktore”.
Koncesionet
Avokati thekson se Ministria e Ekonomisë ka mangësi në organizmin e procedurave për dhënie me koncesion, paqartësi në dokumente standarde, mangësi në vonesa për shqyrtimin e ofertave dhe finalizimin e kontratave. “Gjatë shqyrtimit të ankesave kemi konstatuar se Ministria e Ekonomisë ka zvarritur apo anuluar disa procedura për dhënien me koncesion të ndërtimit të HEC-eve, për mangësi të organizimit të brendshëm. Operatorët ankohen se shqyrtimi i ofertave për procedurat e dhënies me koncesion të ndërtimit të HEC-eve zvarritet në periudha të gjata kohore. Vonesat në shqyrtimin e ofertave jo vetëm krijojnë dyshime tek operatorët ekonomikë për drejtësinë e vendimeve, por dëmtojnë interesat ekonomike, sepse përgatitja e projekteve koncesionare është me kosto të lartë. Procedurat për dhënien me koncesion duhet të organizohen me përgjegjësi nga Ministria e Ekonomisë, sepse anulimi i tyre apo vonesat në shpalljen e fituesve dhe sidomos vonesat në finalizimin e kontratave ulin besimin e operatorëve kontraktues për institucionet shtetërore. Është e domosdoshme që autoriteti kontraktor të krijojë lehtësitë e duhura për të nxitur pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë që ofrojnë projekte serioze, aq të domosdoshme për zhvillimin e ekonomisë së vendit”, thuhet në raport.
Prokurimet elektronike, si shmanget konkurrenca
Avokati i Prokurimeve kërkon që të realizohen procedura lehtësuese për firmat gjatë përdorimit të sistemit të prokurimeve on-line. Sipas raportit, gjatë monitorimit dhe hetimit të procedurave të ndryshme elektronike është vërejtur se shumë shoqëri kanë hasur vështirësi teknike për të marrë pjesë në prokurimet elektronike si anëtarë të bashkimeve të operatorëve ekonomikë. Për shkak të paqartësisë së mënyrës sesi kryhet një bashkim operatorësh, shumë oferta të përgjegjshme dhe ekonomike janë skualifikuar. Por problemi më i madh i prokurimeve elektronike duket se është shpallja e fituesit. Sipas Avokatit të Prokurimeve, operatorët ekonomikë kanë shprehur shqetësimin se me sistemin elektronik, aktualisht nuk është e mundur të njihen me dokumentacionin dhe çmimet e ofertave të konkurrentëve pjesëmarrës pas hapjes së ofertave. Kjo mangësi ndikon drejtpërdrejtë në transparencën e procesit, por gjithashtu krijon mundësi për veprime të parregullta nga autoritetet kontraktore gjatë fazës së shqyrtimit të ofertave. “Problem shqetësues mbetet fakti se komisionet e vlerësimit të ofertave në rast të ndonjë gabimi në vlerësim, nuk kanë mundësi të rivlerësojnë ofertat, sepse aktualisht sistemi nuk e lejon një gjë të tillë”.
Mashtrimi me pasuritë, 11 zyrtarë në Prokurori
BLEDAR HOTI
Gjatë vitit 2008, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive ka konstatuar 120 zyrtarë të dyshuar, nga të cilat 66 kanë rezultuar me konflikt të pastër interesi.
Në raportin e vjetor të paraqitur nga kreu u ILDKP-së, Adriatik Llalla, theksohet në rrugë ligjore se janë 19 raste konflikti interesi të evidentuara gjatë procesit të Kontrollit Aritmetik e Logjik. Ndërsa në 25 raste është shmangur marrja në detyra të ndryshme shtetërore për shkak të konfliktit të interesit. “Në 7 raste konflikti i interesit është evidentuar dhe të konfirmuar në ILDKP nga shkresat e institucioneve të ndryshme, ndërsa 14 raste të evidentuara nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve publike dhe një rast të ofruar nga media”, thuhet në raport. Për fshehje të pasurive Inspektorati ka kallëzuar penalisht një zv.ministër dhe një prokuror. Ndërsa në fund të këtij viti raportues nisi procesin e verifikimit dhe hetimit administrativ për rastet e 4 subjekteve deklarues, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, ku pas verifikimeve të plota të kryera nga Inspektoratit, u konstatuan shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal. Gjatë vitit 2008, 70 zyrtarë nuk iu janë përgjigjur kërkesës për plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë. “Në këto rrethana është marrë masa administrative gjobë për 70 zyrtarët që nuk respektuan afatet ligjore. Vetëm 6 prej tyre ankimuan masën e gjobës, ku vetëm 2 prej tyre rezultuan se kishin arsye ligjore për vonesat në dorëzimin e deklaratës së pasurisë. Edhe pas njoftimit individual, 11 zyrtarët e gjobitur nuk dorëzuan deklaratën e pasurisë. Për këtë arsye, Inspektorati bazuar në nenin 257/a të Kodit Penal, ka dërguar në organin e Prokurorisë kallëzimin penal për refuzim për deklarim”, thuhet në raport. Për vitin 2008 numri i zyrtarëve që deklarojnë pasurinë është 3913. Nga numri total i deklaratave të interesave private të administruara nga Inspektorati rezulton se: 445 janë deklarata para fillimit të detyrës, 3508 deklarata periodike dhe 237 janë deklarata pas largimit nga detyra. “Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare, detyrim që nuk është aplikuar deri më tani. Në këtë mënyrë Inspektorati synon shmangien e regjistrimit të pasurisë në emër të fëmijës jashtë certifikatës familjare të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari”, thuhet në raport. Me këtë synohet edhe evidentimi dhe parandalimi në kohë i konfliktit të interesit. Në formularin e ri është vendosur një hapësirë e caktuar për gjenealitetet e personave të lidhur me zyrtarin, bashkëshortja ose bashkëshorti, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortes.