E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazari i Korçës "përplas" bashkinë me monumentet

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Pazari i vjetër i Korçës, që daton në fillimet e shekullit të XVIII-të, "përplas" bashkinë me degën e monumenteve. Kjo e fundit  kërkon heqjen e tezgave, me qëllim restaurimin dhe kthimin e pazarit në identitet. Por bashkia nuk pranon të marrë një hap të tillë, duke argumentuar se fondi i Ministrisë së Kulturës, prej 5 milionë lekësh është mjaft i ulët, për të kryer një ndërhyrje të tillë. "Investimi prej 5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, nuk është i mjaftueshëm që bashkia të marrë një iniciativë të tillë, për më tepër kur bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm familjesh, tw cilat jetojnë nga tregtia ambulante. Gati 60 për qind e kësaj tregtie është përqendruar në këtë pazar", deklaroi kryebashkiaku Niko Peleshi. Gjatë 20 vjetëve të fundit restaurimi i Pazarit të Korçës është bërë objekt i punës studimore e projektuese disa herë. Përveç projekteve të hartuar nga specialistë shqiptarë dhe grekë mësohet se është kryer një projekt edhe nga KE-ja, me një investim 10 milionë euro. Sipas bashkisë, vetëm në zbatim të një investimi të tillë do të ndërmerrej aksioni për pastrimin e pazarit nga tezgat dhe caktimi e ndërtimi i një tregu në një vend tjetër. Aktualisht janë 200 tezga që funksionojnë. Pazari është një monument kulture i kategorisë së parë, por gjendja aktuale e tij lë shumë për të dëshiruar. Mësohet se me fondin e akorduar nga qeveria do të restaurohet vetëm pjesa ballore e tij. Bashkia, pasi është njohur me restaurimin e një pjese relativisht të vogël të këtij pazari, është shprehur se "investimi i Monumenteve është simbolik dhe nuk mund të largojmë tezgat vetëm për një restaurim që nuk i kalon 5 milionë lekët. Largimi i tezgave do të kryet vetëm atëherë kur pazari t'i nënshtrohet një restaurimi të plotë", bënë të ditur burimet e bashkisë. Ky pazar cilësohet një vlerë unikale në rajonin e Ballkanit. Në projektin e restaurimit është parashikuar ndërhyrja në 30 ndërtesa, të cilat nga specialistët e Monumenteve të Kulturës janë vlerësuar si më të dëmtuarat. Do të restaurohen fasadat, por do të ndërtohen edhe çatitë pothuajse të rrënuara dhe dritaret e këtyre ndërtesave. Drejtori i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës, Dhori Theodhori tha se "Tregtimi nëpër tezga në një pazar si ky i Korçës, që cilësohet unikal në Ballkan, nuk duhet të lejohet nga bashkia". Theodhori u kërkon drejtuesve të bashkisë të ndërhyjnë për të larguar sa më shpejt tregtarët ambulantë nga pazari, për ta kthyer atë në një vend të vizitueshëm për turistët, mbasi gjendja aktuale është tejet skandaloze. Ndërsa Peleshi shprehet se nuk mund të marrë përsipër largimin e tezgave nga pazari, nëse ai nuk i nënshtrohet një investimi serioz për ta kthyer në identitet. Pazari i Korçës daton në fillimet e shekullit të XVIII-të. Në shekullin e XIX-të kishte rreth 300 dyqane dhe zeje. Korça në këtë kohë zhvillonte tregti me Stambollin, Janinën dhe Manastirin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›