E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferizaj nikoqir edhe i një festivali

Javën që vjen në Ferizaj do të mbahet edicioni i 24 -të i Festivalit të Këngës për Fëmijë "Fëmijët e gëzuar", një ngjarje kulturore me rëndësi që synon të nxjerr talente të reja të këtij zhanri muzikor.

Drejtues të këtij festivali, gjatë një konference për medie, kanë bërë të ditur të shtunën se ky festival që mbahet në vigjilje të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, sivjet tubon këngëtarë që vijnë nga të gjitha trevat e Kosovës.

Drejtori artistik i festivalit, pedagogu i muzikës, Nazmi Aliu, tha se festivali do të mbahet të martën dhe se përgatitjet tashmë ndodhen në fazën e fundit. Aliu shpjegoi se sivjet të gjitha këngët, tekstet dhe meloditë janë të reja.

"Juria seleksionuese prej 30 këngëve konkurruese ka zgjedhur 20 prej tyre, të cilat edhe i kanë plotësuar kriteret e konkursit", tha Aliu.

Bëhet e ditur se edhe skenografia e festivalit do të jetë e re dhe atraktive për shikuesit, ndërsa sipas organizatorit nuk do të mungojnë edhe shumë risi të tjera.

Ky festival tradicionalisht mbahet në Ferizaj, andaj edhe barra financiare ka rënë mbi Drejtorinë e Kulturës, e cila, sipas Aliut, edhe i ka plotësuar kërkesat financiare.

Fitore Sadiku, nga këshilli organizativ, tha se ky festival duhet të ekzistojë për hir të talenteve të reja, të cilët në realitetin shoqëror aktual kanë pak mundësi të tregohen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›