Federata në gjumë
Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të flejë. Edhe pse shtëpia e futbollit kosovar kishte paralajmëruar se do t’i obligojë shumë shpejt të gjitha klubet e Raiffeisen Superligës që ta kenë të pranishme autoambulancën në stadium, pas rastit të Përparim Osmanit, i cili e kishte thyer këmbën pas një përplasjeje me Liridon Ahmetin në ndeshjen Drita – Trepça ‘89, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Madje, të shtunën ka ndodhur rasti i dytë që një futbollisti t’i thyhet këmba. Bëhet fjalë për zëvendësuesin e Lirisë, Faton Palushi, i cili pas një dyluftimi me mbrojtësin e vushtrriasve Kujtim Kutllovci në minutën e 69-të, theu këmbën duke i tmerruar futbollistët në fushë dhe shikuesit në tribuna. Si askund në botë, ai u transportua menjëherë në spital me veturë private, të tipit Mercedes Benz, e jo siç ndodhë çdo kund, që lojtarët transportohen në spital me autoambulancë.
Drejtuesit e futbollit kosovar thonë se e kanë lënë për pranverë, që t’i obligojnë klubet, duke i fajësuar ato direkt për papërgjegjësinë që e tregojnë, kur është fjala e sigurimit të një mjeti të përshtatshëm për t’i bartur lojtarët e lënduar në spital.
“Ne e kemi diskutuar këtë çështje në Komitetin Ekzekutiv, është një temë me vend, por kemi vendosur të mos intervenojmë në 3-4 xhiro sa kanë mbetur. Kemi vendosur që klubeve t’ua kushtëzojmë praninë e autoambulancës ose një mjeti të përshtatshëm në pjesën e dytë të sezonit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu për Express.
“Por, them se është me të vërtetë turp për një klub, që të mos jetë në gjendje ta sigurojë një autoambulancë, kur dihet se të gjitha shpenzimet tjera i kanë të hequra dhe nuk kanë kurrfarë harxhimesh. Kjo që po ndodh është absurde”, vijoi ai.
Salihu shtoi se në pranverë do t’u precizohet klubeve që siguria mjekësore është e obligueshme, si në çdo vend tjetër të botës, që nënkupton se e pranishme në stadium ndër të tjera duhet të jetë edhe autoambulanca.
Pas transportimit të Palushit fatkeq në spital, loja vazhdoi dhe Liria u detyra të luajë me 10 futbollistë në fushë, pasi trajneri Skënder Kapra kishte kryer tri zëvendësime.