Fermerët e Jagodinës në Elbasan, kultivimi i lakrës së Brukselit shton fitimet e familjeve fshatare

Fermerët e fshatit Jagodinë në Elbasan po i gëzohen prodhimit të lakrës së njohur të Brukselit, një kultivar me mjaft interes ekonomik për ta. Ndonëse tregu vendas ende nuk është mësuar me këtë produkt, ai pëlqehet masivisht në tregun e jashtëm. Fermerët shprehen tepër të kënaqur me ecurinë e deritanishme, pasi edhe çmimi ka qenë i arsyeshëm.
Lakra e Brukselit është një bimë e cila kërkon një kohë prej 4 muajsh për të qenë e gatshme për tregun e huaj. Kultivimi i saj kërkon një kujdes të veçantë nga punëtorët që merren me të, ndonëse këta të fundit shpesh mungojnë.
Lakra e Brukselit është një ndër kulturat e reja që fermerët e Elbasanit e kanë kultivuar masivisht, sigurisht duke parë kërkesën e lartë të tregut të jashtëm. Tashmë, pas vjeljes së saj, serat janë duke u përgatitur për kulturat e tjera bujqësore.
/rtsh.al/