Fermerët nisin të premten aplikimet në e-Albania për naftë pa taksa

Qeveria do të vijojë me skemën e mbështetjes për fermerët me naftën pa taksa, si një masë që kontribuon në rritjen e qëndrueshme të zhvillimit të bujqësisë, njofton ATSH.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli sot në vëmendje shembullin e Pëllumbit, nga fshati Ferras i Kuçovës, që është një ndër fermerët përfitues të skemës së naftës pa taksa për punime të mekanizuara, që i ka kursyer kosto dhe këtë vit do të aplikojë sërish.
“Pëllumb Marra i ka kushtuar jetën bujqësisë. Është entuziast kur rrëfen për punën e tij. Pas viteve ’90 ka vendosur në shfrytëzim 12 dynymë tokë të familjes, ku ka mbjellë elb dhe grurë. Ka marrë mbështetje nëpërmjet skemës së naftës për punime të mekanizuara e cila i ka kursyer kosto. Këtë vit do të aplikojë sërish”, u shpreh Krifca.
Krifca bëri të ditur se prej nesër, datë 25 shkurt deri më 25 mars, do të pranohen aplikimet për masat mbështetëse përfshirë skemën e naftës, në e-Albania ose në një nga 79 sportelet e bujqësisë ku mund të merret asistenca e nevojshme.
Subvencioni i naftës në bujqësi është një nga politikat më të mirëpritura nga komuniteti rural. Premtim i kahershëm i shumë qeverive, por i realizuar për herë të parë në fillim të vitit 2021, kjo skemë siguroi mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët që punojnë tokën, duke i lehtësuar ata nga kosto e karburantit, në përdorimin e mekanikës bujqësore.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, programoi këtë vit për të dytin vit radhazi fondet për subvencionin e naftës si masa e duhur që mbështet sektorin e bujqësisë të zgjerohet, të rrisë punësim dhe të mbjellat.
Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: bimë arash, misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore; dru-frutorë, perime etj.