E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermeri me aftësi të kufizuara, histori suksesi në bujqësi

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Gëzim Loci, 46 vjeç, fermer nga Mirdita që jeton dhe punon në Lezhë, përfaqëson një shembull frymëzues të këmbënguljes, punës dhe dashurisë për bujqësinë.

Pavarësisht se prej rreth 25 vitesh jeton me aftësi të kufizuar, i verbër, ai është i angazhuar prej kohësh në zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau historinë e tij si një model pozitiv i përfshirjes dhe punës në sektorin bujqësor.

Rrugëtimi i tij ka nisur në ferma të ndryshme, kryesisht në mbarështimin e viçave dhe gjedhit, ku ka ndërtuar hap pas hapi përvojën profesionale dhe besimin në punën e ndershme. Në vitet e para, Gëzimi e ka nisur aktivitetin me kredi të vogla, duke hapur fermën pranë banesës së tij, fillimisht duke kultivuar shalqi në 2 dynymë tokë, ndërsa ndërtoi edhe një stallë prej rreth 100 metrash katrorë.

Gëzimi tregon se gjithashtu ai ka ngritur edhe një parcelë në fshatin Gurzë, ku kultivon 170 pemë frutore.

Të ardhurat e siguruara nga puna i ka riinvestuar vazhdimisht për zgjerimin e aktivitetit, duke arritur të rrisë kapacitetet e fermës dhe të punësojë 4–5 punëtorë.

“Edhe pse puna në bujqësi është e vështirë, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara, Gëzim Loci ka treguar se me vullnet, përkushtim dhe këmbëngulje, sfidat mund të kapërcehen dhe puna e ndershme sjell rezultate konkrete”, u shpreh Salla. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›