E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave: Fokus te digjitalizimi dhe platforma TIPS Clone

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua mbledhja e njëmbëdhjetë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), e drejtuar nga zëvendësguvernatorja e Parë, Luljeta Minxhozi, kryetare e Komitetit. Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Banka Botërore, bankat tregtare, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave dhe institucione ndërkombëtare.

Minxhozi theksoi rëndësinë e KKSP-së në drejtimin e transformimit të sistemit të pagesave në Shqipëri, duke përmendur operacionalizimin e transaksioneve SEPA nga 7 tetori, si një nga sukseset më të mëdha strukturore të sistemit financiar. Aderimi në SEPA sjell pagesa euro me standarde të BE-së, shpejtësi dhe kosto të ulëta, thjeshtim të pagesave ndërkufitare dhe rritje të konkurrueshmërisë së sektorit bankar.

Minxhozi nënvizoi gjithashtu përditësimin e infrastrukturave kombëtare të pagesave (AIPS, AIPS EURO, AECH) dhe implementimin e standardeve ISO 20022 dhe SEPA për pagesat me vlerë të vogël, duke rritur qëndrueshmërinë dhe duke përgatitur terrenin për shërbime të avancuara evropiane.

Një tjetër projekt strategjik i prezantuar ishte Open Banking, që lejon individët të aksesojnë të dhënat e llogarive të tyre dhe të realizojnë pagesa përmes palëve të treta, si dhe projekti TIPS Clone, një platformë kombëtare e pagesave të shpejta, pjesë e nismës së Qeverisë “Cashless Albania”.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, vlerësoi nismën “Cashless Albania” si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit ekonomik dhe shoqëror, duke theksuar masat e qeverisë për uljen e kufirit për pagesat cash dhe nxitjen e pagesave elektronike për klientët.

Mbledhja vijoi me diskutime mbi zbatimin e projekteve TIPS Clone dhe Open Banking, si dhe shkëmbim eksperiencash për përdorimin e pagesave digjitale në tregun evropian.

Ky aktivitet tregon përkushtimin e Shqipërisë për ndërtimin e një infrastrukture moderne pagesash dhe për përshpejtimin e digjitalizimit të ekonomisë. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›