E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ferrari mbizotëron në pistën e “Albert Park”

Piloti i “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk, regjistroi kohën më të shpejtë në seancën e dytë të provave të lira të Çmimit të Madh të Australisë të premten, duke lënë prapara “Red Bull”-in e Maks Verstapenit dhe shokun e skuadrës, Karlos Sainzin. Retë u mblodhën mbi pistën e “Albert Park”-ut gjatë seancës së dytë dhe paralajmërimi ishte për reshje shiu, por që nuk u materializua dhe në fillim u përdorën gomat e mesme. Dhe ishte Sainzi, që kishte qenë më i shpejti në seancën e parë të provave të lira, ai që regjistroi kohët më të shpejta, por, me vendosjen e gomave të buta, ishte Lëklerk ai që regjistroi kohën më të shpejtë, 1 minutë, 18 sekonda e 978 të mijëtat, 398 të mijëtat e sekondës më i shpejtë se spanjolli.

Verstapeni siguroi vendin e dytë kur kishin mbetur edhe 20 minuta, pavarësisht se xhirot e tij me gomat e buta u kompromentuan fillimisht nga trafiku, pastaj nga një bllokim frenash në sektorin e 3-të, përpara se holandezi ta gjente xhiron e tij të shpejtë, duke qenë 245 të mijëtat e sekondës pas Lëklerkut dhe duke e zbritur Sainzin në vendin e 3-të. Fernando Alonso me makinën e tij “Alpine” bëri një xhiro të shkëlqyer, duke regjistruar kohën e 4-të më të shpejtë dhe duke lënë prapa pilotin tjetër të “Red Bull”-it, Serxhio Perezin, ndërsa shoku i skuadrës së Alonsos, Esteban Okon, ishte i 6-ti.

10-shen e të parëve e plotësoi Valteri Botas me “Alfa Romeo”-n, Lando Norris me “MekLaren”, Pjer Gasli me “AlfaTauri”, dhe Daniel Riçiardo me  “MekLaren”. Të shtunën në mëngjes, nga ora 05:00 deri në ora 06:00 me orën e Tiranës, do të zhvillohet seanca e 3-të e provave të lira, ndërsa nga ora 08:00, deri në ora 09:00, do të zhvillohen edhe provat zyrtare. Dhe këto prova zyrtare do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë të dielën, duke nisur nga ora 07:00 e mëngjes, edhe garën e Çmimit të Madh të Australisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›