Memorial Vllaznia, e shtuna shpall fituesit

Memorial Vllaznia tashmë është bërë aktivitet i përvitshëm në boksin shqiptar, ndërsa për dy ditë me radhë është duke u zhvilluar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Në këtë aktivitet marrin pjesë Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria. Ndeshjet gjysmëfinale janë zhvilluar të premten duke nisur nga ora 17:00. Në program kanë qenë tetë ndeshje, të cilat kanë nisur me duelin e peshës deri në 57 kilogram mes Mauro Canit të Shqipërisë dhe Havier Diaz të Bullgarisë.
Dhe ditën e ka përfunduar dueli i peshës +92 kilogram mes Geljan Rokut të Shqipërisë dhe Dimitrije Miliç të Malit të Zi. Takimet janë ndjekur nga sportdashës të shumtë shkodranë, sio dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, dhe autoritete të pushtetit lokal në kryeqendrën e veriut. Të drejtën për në finale e kanë fituar bullgari Diaz, kosovari Murati, shqiptarët Kajoshi, Hodo dhe Rajku, si dhe maqedonasi Azemi e malazezët Lisejeviç e Puriç. E shtuna paradite do të jetë dhe për shpalljen e fituesve të Memorial “Vllaznia 2022”.