Ferri: Nuk ka filma për një festival
QKK-ja mbështet me shuma marramendëse projekte për 2010-ën. TIFF-i merr statusin e festivalit klasik, dështon Festivali i Durrësit.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka miratuar buxhetin për produksionet që duhet të përfundojnë brenda vitit 2010, si dhe ka vendosur financimin për të tretin vit radhazi të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër, TIFF. Shifra marramendëse janë ato që Këshilli Miratues i Projekteve, ka dhënë për dy produksione filmike dhe një festival.
Bashkëprodhimit shqiptaro-gjerman, "Shqiptari", të regjisorit gjerman, Johannes Naber, i janë akorduar plot 35.950.000 lekë, ndërsa regjisorit shqiptar, Spartak Pecani, 38.870.000 lekë për projektin "Tirana blu". Dhe për TIFF-in jo pak, 18.500.000 lekë (vitet e shkuara është mbështetur me 3 milionë lekë), i cili këtë vit ka ndryshuar edhe strukturë.
Përfshirjen në këtë festival të filmit me metrazh të gjatë, drejtori i QKK-së, Xhevdet Ferri, e cilëson si një sfidë të organizatorëve, ndërsa shton se formati i ri i TIFF-it, nuk përmban festivalin e filmit shqiptar. Ky i fundit, sipas Ferrit, mund të realizohet pranverën e ardhshme, kur prurjet të jenë më solide.
Ferri më tej shpjegon arsyet e miratimit të buxhetit për TIFF-in, dështimin e Festivalit të Durrësit dhe për financimin e projektit shqiptaro-gjerman, "Shqiptari", me regji të Johannes Naber, i cili këtë vit është cilësuar si skenaristi më mirë nga kritika gjermane për filmin "Nordwand".
Z. Ferri, cilat ishin projektet që aplikuan për Festivalin e Filmit Shqiptar?
Kanë aplikuar disa projekte, ishte projekti për edicionin e 13-të të Festivalit të Filmit Shqiptar, Giffoni dhe TIFF (Tirana International Film Festival). TIFF kërkoi që të shndërrohet nga një festival të filmit me metrazh të shkurtër në festival klasik, me të gjitha seksionet, duke përfshirë dhe filmin e gjatë në seksionin ndërkombëtar.
Meqenëse është një festival që është kalçifikuar, bordi vendosi që ta testojë këtë vit, nëse mund të përfitohet një festival i mirë. Aq më tepër që Bashkia e Durrësit apo subjektet që ishin ngarkuar, nuk treguan asnjë lloj interesi për të vazhduar Festivalin e Durrësit.
Kjo do të thotë që festivali i Durrësit dështoi?
Do të thotë që nuk do të ketë Festival Durrësi këtë vit. Bordi vendosi që këtë vit të financohet vetëm TIFF-i. Sepse janë duke bërë ciklin e festivaleve filmat "East-West- East" i Gjergj Xhuvanit, "Kronikë Provinciale" i Artan Minarollit&Ylljet Aliçka dhe "Honey Moon" i Genc Permetit&Goran Paskaljevic.
Kështu që është e vështirë të kapim gjithë gamën e festivalit deri në shtator. Ndërkohë, po xhirohen dy filma në Kosovë.
Bashkëprodhimi që kemi me gjermanët, "Shqiptari", mund të përfundojë deri në pranverë dhe e lamë që të shihnim edhe një herë mundësinë e organizimit dhe të financimit të një Festivali të Filmit Shqiptar në pranverën e vitit 2010, ku prurja do të jetë më solide për të bërë një festival të plotë.
A kanë paraqitur organizatorët e TIFF-it një projekt konkret për festivalin që do të zhvillohet këtë vit?
TIFF-i ka paraqitur një projekt shumë të detajuar. Përmban kohëzgjatjen (ditët) e festivalit, seksionet, prurjet, çmimet, mënyrën e organizimit dhe gjithçka.
Sipas skemës së paraqitur, TIFF-i nuk do të jetë i lokalizuar, por mund të pushtojë gjithë Tiranën.
Çfarë vendi do të zërë filmi shqiptar në festivalin TIFF?
TIFF-i është festival ndërkombëtar. Ata marrin përsipër të bëjnë edhe seksionin e filmit shqip, por ka një debat të paqartë për këtë punë.
Organizatorët mund të ftojnë filmin shqiptar të marrë pjesë në festivalin e tyre, duke e lënë të hapur të drejtën e aplikimit të subjekteve dhe duke e lënë të hapur në gjykimin e selektorit të festivalit, i cili vendos nëse ndonjë film shqiptar është i denjë për të konkurruar në këtë nivel.
Domethënë TIFF-i nuk ka shkrirë në strukturën e tij festivalin e filmit shqiptar?
Në një festival ndërkombëtar të filmit nuk ka seksion për filmin shqip, por festivali ka seksionin e filmit me metrazh të gjatë.
Një film shqiptar futet në konkurrim në seksionin e filmit të gjatë dhe konkurron me filmin francez, kongolez, uzbekistan, tajlandez dhe këdo që mund të vijë dhe të tregojë interes. Kjo është sfida e organizatorëve.
Ata premtojnë një seksion me 20 filma të huaj, premtojnë një pjesëmarrje shumë të gjerë të personaliteteve të huaja, premtojnë një festival 10-ditor.
Një manifestim që do të pushtojë gjithë qytetin, sepse duke pasur shumë seksione, pretendohet që të jetë një festival që do të përfshijë të gjitha sallat e kinemave në Tiranë, "Kristal", "Millenium", "Imperial", kinemanë e AQSHF-së.
Tani sfida është tek ata. Ne u kemi dhënë mbështetjen tonë, u kemi lëvruar një pjesë të fondit që ata të kenë mundësi të fillojë punën, pjesën tjetër do t'ua japim në bazë të rezultateve.
Është hera e tretë që QKK-ja e mbështet këtë festival, por edhe buxheti që i keni akorduar është pesëfishuar.
Edhe pretendimi, kontrolli dhe sfida është më e madhe. Ne nuk shkojmë me logjikën "shpresojmë të dështojnë që të mos paguajmë lekët".
Po shpresojmë që të bëhet tre herë më i mirë nga sa e kemi menduar dhe kjo do të thotë që lekët që ne paguajmë (që janë lekë publike), janë përdorur dhe kanë shkuar atje ku ne pretendojmë.
Kjo do të thotë që gjithë sasia e financimit varet nga cilësia që do të ketë TIFF-i?
Absolutisht që po. Në kontratat dhe në planifikimet që kemi përgatitur, u kemi premtuar deri në ditën e festivalit jo më shumë se 40 % të buxhetit. Pjesën tjetër pas festivalit, pasi të shohim rezultatin.
Gjatë mbledhjes së fundit të bordit, ju keni vendosur të mbështetni me fonde projektin shqiptaro-gjerman, "Shqiptari".
Ne nuk financojmë gjermanët, në kemi financuar shtëpinë filmike shqiptare, "On film production", që përfaqësohet nga Dritan Huqi. Historia është shqiptare, ngjarjet zhvillohen në Shqipëri dhe në Gjermani, protagonistët janë shqiptarë.
Ndryshe nga herët e tjera, kur oferta vjen nga ne, ne miratojmë dhe kineastët tanë dalin në tregun evropian të gjejnë paratë. Kësaj here ka ndodhur e kundërta. Erdhën ata dhe thanë: "Duam të bëjmë një film në Shqipëri, me temë shqiptare, ne kemi paratë tona. Ju doni të futeni si bashkëprodhues në këtë film?".
Regjisor i produksionit është Johannes Naber, i cili së bashku me Ani Spahivoglin kanë shkruar skenarin. Kemi vënë kusht që kompozitori të jetë shqiptar, në mënyrë që të krijojmë një balancë edhe në autorësi.
Ju i keni besuar një shifër prej 35.950.000 lekësh shtëpisë filmike "On film production". Çfarë prodhimesh ka nxjerrë kjo shtëpi për të justifikuar një shumë të tillë?
Ky duhet të jetë i treti. Tani është në përfundim të një projekti që e kemi financuar ne. Shtëpinë e ka ndërtuar një njeri që mund të them se ka rekordet më të mira si producent ekzekutiv vitet e fundit. Ai ka bërë ekzekutimin e produksionit të Saimir Kumbaros, "Ne dhe Lenini", të Artan Minarollit, "Gjallë", dhe ka udhëhequr produksionin shqiptaro-serb, "Honey moon".
Shtëpia e tij filmike, brenda këtij viti ka fituar tre projekte, por ende nuk është shfaqur asnjë. Filmi me gjermanët, "Shqiptari", është projekti i tretë. Ka një paketë me punët e diplomës së studentëve të Akademisë së Arteve që financoi QKK-ja, si dhe një film të shkurtë, të cilin do të bëjë në verë.
Ky person ka të gjithë potencialin për t'i besuar një shifër të tillë?
Ka kredenciale për t'i dhënë 400 mijë euro. Kredenciale që janë nga referencat e tij, nga puna e tij, nga aplikimet, nga korrektësia që ka me QKK-në.