E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci" zvarritet në gjykatat e vendit

Procesi gjyqësor ndaj Mediut dje në Gjykatën e Lartë është shtyrë. Një nga gjyqtaret mungonte për arsye shëndetësore


Drejtuesi i procesit në shkallën e parë dha dje dorëheqjen për konflikt interesi, ndërsa procesi s'dihet kur do nisë rregullisht


TIRANË- Edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga dita kur Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale me 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit për gjykim, gjykatat ende nuk kanë arritur të nisin procesin gjyqësor ndaj tyre.


Dosja e ndarë tashmë në tre pjesë me vendimin e 22 majit të këtij vitit të Gjykatës së Lartë, ka mbetur pa u shqyrtuar për arsye të ndryshme dhe të justifikueshme nga togat e zeza.


Fillimisht, dosja me 32 mijë faqe u mor në shqyrtim nga pesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët pas disa seancave të zvarritura, vendosen më 22 maj të ndajnë çështjen e tragjedisë së Gërdecit në tri dosje të ndryshme, duke mbajtur për gjykim vetëm materialet hetimore në ngarkim të ish-Ministrit e Mbrojtjes, të pandehurin Fatmir Mediu.


Procesi ndaj tij ishte caktuar të zhvillohej gjatë paradites së djeshme, por "falë" sëmundjes së një nga pesë gjyqtarët e çështjes, seanca u shty për me datën 6 korrik, vetëm një javë pa zgjedhjeve parlamentare.


Gjyqtarja Irma Bala, nuk është paraqitur dje në seancë për shkak të problemeve shëndetësore që ka pasur.


Ndërkaq, dosjen penale me 28 të pandehurit e tjerë dhe firmën "Albademil" si person juridik, Kolegji i Gjykatës së Lartë vendosi t'ia kalojë për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila ka caktuar vetëm treshen e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen.


Por gjatë paradites së djeshme, kryesuesi i kësaj trupe gjykuese, Kreshnik Omari, i paraqiti kryetarit të Gjykatës dorëheqjen e tij, duke kërkuar të largohet nga gjykimi i çështjes.


Shkak për këtë kërkesë, mësohet se është bërë bashkëshortja e tij, e cila punon pranë zyrës ligjore të avokatisë e cila mbron njërin nga të pandehurit e kësaj dosjeje, kolonelin Imi Laçaj.


Gjithashtu, si argument të dorëheqjes së tij, ka përmendur edhe ankimin e të pandehurit Fatmir Mediu, që ka bërë ndaj Prokurorisë së Tiranës për mos fillimin e hetimeve ndaj kryeprokurores Ina Rama.


Kjo dosje pritet të shqyrtohet në ditët në vazhdim. Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme, kancelaria e Gjykatës së Shkallës së Parë, ka hedhur në short elektronik paditë civile ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit dhe kompanive që punonin dhe institucioneve që kishin për të detyrë të krijonin dhe kontrollonin kushtet e sigurisë në punë. Pas këtij veprimi kancelaria ka caktuar një treshe të kryesuar nga gjyqtari Arben Konstandini si drejtues i seancës gjyqësore.


Brenda afatit 14 ditor, sipas procedurës penale, është i detyruar të caktojë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën e gjymtuan.


Sipas kësaj dosjeje, i njëjti gjyqtar duhet të shqyrtojë të tri paditë civile, të Këshillit të Ministrave të përfaqësuar nga përfaqësues të Avokatit të Shtetit, të cilët kanë paditur firmën "Albademil" që kryente demontimin e fishekëve në Gërdec.


Po këshu është paditur edhe administratori i kësaj kompanie, Mihal Delijorgji, të cilit i kërkohet pagimi i dëmit të shkaktuar nga shpërthimi që kap shifrën e rreth 17 milionë eurove.


Padia e të plagosurve, kërkojnë 60 mln secili
Gjithashtu, në këtë shqyrtim gjyqësor, gjyqtari Konstandini pritet të shqyrtojë edhe padinë civile të 21 familjarëve të viktimave të Gërdecit, të cilët kanë paditur Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO-n, kompaninë amerikane SAC, si dhe "Albademil"-in. Këta kërkojnë pagimin e dëmshpërblimit në masën e rreth 420 milionë lekëve të reja, përafërsisht nga 20 milionë për çdo viktimë.


Përveç këtyre dy padive civile, pranë kësaj Gjykate është depozituar edhe një padi e tretë civile ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO-së, "Albademil"-it dhe SAC-it, nga 12 personat që kanë mbetur të plagosur apo të gjymtuar nga ky shpërthim, të cilët kërkojnë t'i paguhen rreth 60 milionë lekë të reja, detyrime për shëndetin dhe pasojat e sjella ndaj tyre nga shpërthimi i 15 marsit 2008.


Shtyrja e procesit, irriton familjet
TIRANË- Familjarët e 21 viktimave të shpërthimit të Gërdecit, edhe pse dosja e tyre tashmë është ndarë, nuk munguan që të ishin të pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore, ku pritej të fillonte procesi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu. Por, seanca e parashikuar për të vazhduar me leximin e kërkesave paraprake të palëve në proces, nuk u zhvillua pasi mungonte gjyqtarja Irma Bala, e cila për shkaqe shëndetësore ishte detyruar të ikte jashtë Shqipërisë për kurim. Mungesa e saj, u bë shkak që gjyqi të shtyhet për me datën 6 korrik 2009, shtyrje kjo që nuk u prit mirë nga familjarët. Të cilët jashtë dyerve të Gjykatës së Lartë nuk ngurruan të shprehin mllefin për zvarritjen e këtij procesi penal. "Neve humbëm njerëzit tanë në Gërdec dhe po presim ndëshkimin e autorëve, ndërsa gjykata vazhdon të shtyjë seancat",-u shpreh një nga gratë e veshur me të zeza e me thinja të bardha në kokë. Edhe avokatët e familjarëve të viktimave, u shprehen se "zvarritja e këtij procesi është në dëm te drejtësisë dhe gjyqësorit në vend. Pasi çdo vendim i vonuar është një plagë më e gjatë vuajtje për familjarët"-nënvizoi njëri nga dy avokatët e pranishëm. F.V.


Të afërm të viktimave kërkojnë ribashkimin e procesit në një të vetëm dhe legjitimimin e tyre si palë

Ndarja e dosjes, familjarët ankesë në Kushtetuese

TIRANË- Avokatët e familjarëve të 21 prej viktimave të tragjedisë së Gërdecit, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar prishjen e vendimit të ndarjes së çështjes mes të pandehurit Fatmir Mediu dhe të tjerëve dhe mos pranimin e padive civile, duke kërkuar që çështja të bashkohet e të gjykohet nga një trupë tjetër gjyqësore.


Lajmi pohohet nga avokatja e familjarëve të viktimave, Blerta Kraja, e cila pohoi se kërkesa me dy objekte është dërguar në protokollin e Kushtetueses. Sipas kërkesës, 21 familjarë të viktimave, si palë në këtë proces penal kërkojnë "vendosjen e pezullimit të menjëhershëm të ekzekutimit të vendimit të ndërmjetëm për kërkesat paraprake të datës 22 maj 2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të drejtuar nga relatori Besnik Imeraj, të dhënë gjatë gjykimit të procedimit penal nr.6 regjistrit themeltar të datës 13 mars 2009.


Si dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë, nga një Kolegj Penal tjëtër,- thuhet në kërkesën e dorëzuar pranë Gjykatës Kushtuese.


Sipas kërkesës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e sipërcituar i ka hequr të drejtën për t'u dëgjuar si palë në procesin penal familjarëve të viktimave, megjithëse ishim të legjitimuar, si të dëmtuar dhe si paditës civil nga organi procedues, Prokuroria e Përgjithshme. "Duke mos na legjitimuar në Gjykatë, kur ne ishim legjitimuar si të tillë nga Prokuroria, ky Kolegj ka cënuar të drejtën tonë për një proces të rregullt ligjor.


Qoftë vetëm për këtë shkak që ky vendim i ndërmjetëm është rikonfirmim i dy seancave gjyqësore antikushtetuese si më lart, ai duhet të shfuqizohet dhe çështja t'i dërgohet asaj Gjykate për t'u gjykuar me një tjetër kolegj.


Pra, vendimi i sipërcituar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë është rrjedhojë e kuptimit, interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal, duke na cenuar të drejtën tonë për t'u dëgjuar në një proces të rregullt ligjor,- thuhet në kërkesë.


Në lidhje me "copëtimin" e dosjes në tri pjesë, familjarët e viktimave i kërkojnë Gjykatës Kushtetues "të pezullojnë ekzekutimin e vendimit të ndërmjetëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.


Pasi, nëse nuk ndërmerret kjo masë e menjëhershme edhe nëse çështja zgjidhet drejt në themel nga kjo Gjykatë, përsëri ka rrezik që të drejtat tona të mos përmbushen, pasi vetë procesi penal do të ketë hyrë në rrugë të ndryshme në dy Gjykata të ndryshme"-thuhet në kërkesë, duke cilësuar vendimin e ndarjes së çështjes "shkatërron këtë çështje, duke vazhduar me një procesi të parregullt ligjor, pasi që kur ka filluar, ai ka cenuar një nga parimet bazë atë të gjykimit të pandërprerë".


Pritet që kjo kërkesë e familjarëve të viktimave të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetues, çka do të vendos drejtimin e çështjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›