E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë, Shqipëria, notë jo kaluese

Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosin paraprakisht për vendet që përfitojnë nga vizat. Sipas një raporti konfidencial, Shqipëria nuk plotëson asnjë nga kriteret e kërkuara


"Shqipëria renditet e fundit, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, duke marrë notën 3 në të katër blloqet e Udhërrëfyesit"


TIRANË- Shqipëria nuk merr notën kaluese sa i përket liberalizimit të vizave, për shkak të mos përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian.


Edhe pse nuk ka qëndrim zyrtar, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, të mbledhur në Luksemburg, kanë rënë dakord që të liberalizojnë vizat në fund të këtij viti për tre shtete të Ballkanit Perëndimor.


Ato janë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina nuk do të përfitojnë nga ky proces, pasi nuk kanë plotësuar kriteret.


Ky fakt vërtetohet edhe nga një raport i përgatitur kohë më parë, por bërë publik vetëm dje, ku Shqipëria ka marrë vlerësimin më negativ në të katër blloqet e kritereve të Udhërrëfyesit, ndërkohë që Maqedonia ka marrë vlerësimin maksimal.


Raportet e Misioneve të Vëzhgimit, duke u kombinuar edhe me informacionin që është dërguar nga vetë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë shërbyer si bazë për përgatitjen e raporteve më të fundit të vlerësimit të komisionit për secilin vend.


Konkretisht, iniciativa për Stabilitet Europian (ESI - European Stability Initiative), një institut politikash që merret me analiza komplekse të çështjeve të ndryshme, ka hedhur dritë mbi një dokument krahasues vlerësimi me standardet që kanë plotësuar vendet e Ballkanit Perëndimor, për të përfituar nga regjimi i liberalizimit të vizave.


Dokumenti i përgatitur kohë më parë, është bazuar tek vizitat e ekspertëve të misionit vlerësues të situatës dhe të Vlerësimit të Komisionit Europian të implementimit të Udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave nga ana e shteteve të Ballkanit Perëndimor.


Pikërisht, në bazë të këtyre vlerësimeve, Bashkimi Europian do të vendosë përfundimisht (në fund të muajit korrik) se cili prej vendeve do të përfitojë lëvizjen e lirë për qytetarët e vet, duke filluar nga viti 2010.


Megjithatë, nisur nga të dhënat që përfshin raporti, Shqipëria ka pak gjasa që të ketë fatin e vendeve fqinje. Komisioni Europian, në vlerësimin e tij për përmbushjen ose jo të standardeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ka përdorur 6 shprehje të ndryshme, të cilat variojnë nga "plotëson standardet" deri tek "nuk plotëson standardet".


Sipas metodologjisë së vlerësimit, nota 1 përkon me "përmbushjen e standardeve", nota 2 përkon me "përmbushjen e shumicës së standardeve" dhe nota 3 përkon me "mospërmbushjen e standardeve".


Shqipëria renditet e fundit, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, duke marrë notën 3 në të katër blloqet e Udhërrëfyesit, ndërkohë që Maqedonia ka marrë notën 1, duke qenë se i ka plotësuar të gjitha standardet. Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë notën mesatare 1,75 dhe presin vendimin e BE-së në lidhje me heqjen e regjimit të vizave Shengen për qytetarët e tyre.


Të dhënat e bazuara mbi vlerësimet e brendshme të Komisionit Europian mbi zbatimin e Udhërrëfyesit drejt një regjimi pa viza në vendet e Ballkanit Perëndimor

Maqedonia i plotëson kriteret, nota: 1
Mali i Zi plotëson shumicën e kritereve, nota: 1,75
Serbia plotëson shumicën e kritereve, nota: 1,75
Shqipëria nuk plotëson kriteret, nota: 3
Bosnje-Hercegovina nuk plotëson kriteret, nota: 3

Shpjegimi i notave
1- "i plotëson kriteret" dhe "përgjithësisht i plotëson kriteret"
2 - "plotëson një numër të konsiderueshëm të kritereve" dhe "plotëson pjesën më të madhe të kritereve"
3 - "në rrugën e duhur, por..." dhe "ende nuk i plotëson kriteret"

Shqipëria Bosnja Maqedonia Mali i Zi Serbia
Siguria e dokumenteve 3 3 1 1 1

Migracioni ilegal dhe
Ripranimi 3 3 1 2 2

Rendi dhe Siguria
Publike 3 3 1 2 2

Marrëdhëniet me
Jashtë dhe 3 3 1 2 2
Te drejtat themelore

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›