E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fërshëllimë në errësirë", një dramë për dhunën

 

TIRANE-Fërshëllimë në errësirë", një dramë e shkruar nga irlandezi Tom Merfi, do të shfaqet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë me regji të Spiro Dunit. Drama e vënë në skenë për herë të parë në vitin 1961, me sukses të padiskutueshëm edhe sot në shumë skena të botës, do të shfaqet për publikun shqiptar në 28 nëntor. Në rolet kryesore do të interpretojnë aktorë të njohur si Reshat Arbana (Artist i Popullit), Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Anila Bisha, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Saimir Sina dhe Roland Saro. Regjisori Spiro Duni, në një konferencë për shtyp sot paradite në mjediset e Teatrit Kombëtar, tha se "vepra është shumëplanëshe në tematikën e saj, por baza është dhuna që është produkt i injorancës dhe i trungut familjar të dobët, të egër, ku veç tyre ndikon edhe çështja e emigrimit". Ai tha se "vendosëm ta vëmë në skenë këtë vepër sepse problemet që sjell ajo janë më aktuale për vendin tonë sot, sesa për Irlandën, kështu që edhe nga pikëpamja sociale ajo ngjall interes dhe mendoj që Shqipëria duhet ta sillte në skenë këtë vepër". Sipas regjisorit Duni, vepra është realiste deri në natyralizëm, disa kritikë e quajnë realizëm metafizik, por gjithsesi efektiviteti i saj është i madh. Ai bëri të ditur se "jemi përpjekur të gjejmë një trupë aktorësh me dinjitet, por gjithsesi të kenë dhe një përqasje fizike, ku protagonist është Reshat Arbana në rolin e babait, djali, të cilin e luan Naun Shundi, martuar me një angleze, që interpretohet nga Anila Bisha, etj". Ndërsa aktori kryesor Reshat Arbana tha se "motivi që më udhëheq për të punuar me këtë vepër është problemi i madh i dhunës brenda familjes dhe plagët e emigracionit. Pra, dy probleme që në ditët tonë janë më aktuale edhe për Shqipërinë post komuniste, madje më aktuale se edhe për vetë Irlandën". Subjekti i dramës na njeh me mënyrën sesi një familje funksionon në opinionin shoqëror dhe si funksionon brenda mureve të shtëpisë. Pamja jashtë është ajo e familjes me unitet (babai dhe pesë djemtë), pamje e familjes që do të dominojë mbi të gjithë komunitetin e emigrantëve bashkëkombës. Pamja brenda shtëpisë është krejt tjetër. Uniteti i shfaqur jashtë kthehet në konflikt të egër brenda (mes burrave të shtëpisë). Arkitekt i çdo gjëje agresive, patologjike, pra thellësisht negative është vetë babai i djemve. Autori i dramës, Tom Mërfi, ka lindur në Galway të Irlandës në vitin 1935. Ai ka shkruar 25 drama dhe romane dhe në përgjithësi veprat e tij janë larg sentimentalizmave dramatike, por me konflikte të ashpër dhe me fund tragjik, ku një ndër to është edhe "Fërshëllimë në errësirë".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›