E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fest 64 nis përgatitjet intensive, artistët rrëfejnë emocionet e para

Në Sallën e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar kanë nisur përgatitjet intensive për ngjarjen më të rëndësishme të fundvitit, Festivali i Këngës.

Tashmë në prova janë bashkuar artistët, bendi muzikor si edhe Orkestra e Radio Televizionit, ku po ndërlidhin të gjithë elementet dhe detajet për të qenë gjithçka e përsosur për netët live të Fest 64.

Ky vit do të ngjisë në skenë artistë të rinj, të cilët Festivalin e Këngës e shohin si një trambolinë për karrierën e tyre artistike, ashtu edhe artistë të afirmuar të skenës shqiptare, të cilët kanë lënë gjurmë me hitet e tyre.

“Kjo eksperiencë është shumë emocionuese për mua, pasi po marr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës. Kam punuar me Florent Boshnjaku dhe Erona Rushiti, kemi bërë prova live me Orkestrën dhe kemi shkuar shumë mirë”, u shpreh këngëtarja Rigersa Lola.

“Është kënaqësi që rikthehem pas kaq shumë vitesh. Emocionet e forta janë gjithmonë. Kënga është baladë e fortë. Bashkëpunim me Xhevdet Gashin dhe Afërdita Saraçini-Kelmedi. Është hera e parë që bashkëpunoj me autorë nga Kosova, kështu që jam i lumtur edhe për këtë fakt”, u shpreh këngëtari Vedat Ademi.

“Këtë vit jam pak më klasik, pop-rock, një këngë që e kam kompozuar vetë. Mezi po pres ta performoj”, tha këngëtari Lorenc Hasrama.

“Kënga është e bërë dhe kompozuar nga Beatrice Gjergji dhe Marcelo Boteli. Është një këngë që flet për realitetin tonë. Ka ankth, gjëra që çdo person apo i ri i kalon një herë në jetë”, tha këngëtarja Ghiti.

Pas provave të para në sallën e Orkestrës, provat do të zhvendosen në Pallatin e Kongreseve, ku do të finalizohen detajet e fundit teknike, ndërsa ditë pas dite stafi organizativ, në bashkëpunim me Drejtoreshën Artistike të Fest 64, Elhaida Dani, do të zbulojë për publikun surprizat që rezervon ky edicion.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›