Festa e Birrës në Korçë, nata e katërt ndezi edhe më shumë atmosferën

Korça ka përjetuar një tjetër natë të madhe festive në këtë 20-vjetor të Festës së Birrës. Nata e katërt shënoi një pjesëmarrje edhe më të lartë, me mijëra qytetarë, turistë vendas dhe të huaj që mbushën Polin e Eventeve për të shijuar muzikën dhe atmosferën karakteristike të festës.
Në skenë u ngjitën artistë të njohur të muzikës shqiptare, duke nisur me Vëllezërit Prifti, ndërsa më pas atmosfera u ndez me performancat e Anxhela Peristerit, David Dreshajt dhe Alban Skënderajt.
“Po i mrekullueshëm. Është një udhëtim relativisht i gjatë, që tregon se festa ka qenë e suksesshme në të gjithë këto 20 vite. Ky rrugëtim është dëshmi e gjallë e forcës së traditës dhe e dashurisë së njerëzve për këtë ngjarje.” Stefi Prifti – Këngëtar
“Është një festë e mrekullueshme, 20-vjetori sivjet. Ajo që pashë është bërë një gjë shumë e madhe, shumë e bukur. Skena, shtrimi i parketit – tash mrekulli. Ky organizim tregon përkushtimin dhe energjinë e madhe që e ka kthyer festën në një eveniment të paharrueshëm.” Endri Prifti – Këngëtar
“Bëhet shumë qejfi për zhvillimin që ka pasur dhe për evenimentin gjigant që është bërë tani. Sigurisht që është gjithmonë një kënaqësi të marrim pjesë dhe të ndajmë këtë përvojë të veçantë me të gjithë.” Anxhela Peristeri
“Publiku ishte i jashtëzakonshëm, energjia ishte e mrekullueshme. Është hera e parë që vizitoj Korçën, si mysafir dhe si performues.” David Dreshaj
Muzika, birra dhe argëtimi vijuan përgjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa publiku iu bashkua artistëve duke kënduar dhe kërcyer deri në orët e vona.
Me pjesëmarrjen që sa vjen e rritet, Festa e Birrës po i jep Korçës një tjetër atmosferë në këto ditë gushti, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme të turizmit dhe argëtimit veror.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/