Zjarret në Lurë e Dajt, 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren. Ministri Nufi: Mirënjohje për guximin dhe përkushtimin

Situata nga zjarret në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit paraqitet nën kontroll, ndërsa aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në vijën e parë të përballimit të flakëve, duke mbrojtur komunitetet dhe duke garantuar sigurinë e banesave.
Sipas tij, në Lurë të Dibrës janë angazhuar 50 efektivë të FA, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor” dhe një automjet zjarrfikës, të cilët po punojnë pa ndërprerje për neutralizimin e vatrave.
“Në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve.”-shkruan Nufi
Ndërkohë, në Malin e Dajtit në Tiranë, janë dislokuar 50 efektivë të tjerë të FA dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Vatra e zjarrit në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe po monitorohet vazhdimisht, duke mos paraqitur rrezik për zonat e banuara.
Ministri Nufi ka shprehur mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira. “Forcat e Armatosura në vijën e parë të përballimit të zjarreve! Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv për guximin dhe përkushtimin e treguar,” shkruan ai.
“Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira.- shkruan ministri